Shpalosje e mjeshtërisë dhe frymëzimit artistik

“Si kryetar shoqate jam shumë i kënaqur për ftesën që na keni bërë, dhe dëshiroj e jam i gatshëm të vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe ta përsosim edhe më shumë, në mënyrë që të kemi një shkëmbim të zanateve, sepse ka disa vite që kemi qenë të shkëputur. Disa zanate dhe profesione në Shkodër janë të veçanta jo vetëm për Tuzin, por për të gjithë Shqipërinë” tha ndër të tjera, kryetari i Shoqatës së Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë, Zef Gjini

Tuz – Në galerinë e QKI-së “Malësia” në Tuz të premten mbrëma (31 maj 2024) u hap ekspozita e artizanateve dhe zejeve e Shoqatës së Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë me qendër në qytetin e Shkodrës.
Në prani të adhuruesve të artit tradicional, kryetari i Shoqatës së Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë, Zef Gjini tha se Shkodra si një qytet 2500-vjeçar, ka qenë njëri ndër vendet më të avancuara në artin dhe zanatin.
“Në Shkodër ka pasur rreth dymbëdhjetë konsullata të cilat kanë shkruar shumë për artizanatin. Me këtë zanat është punuar shumë mirë dhe punimet siç është argjendi, druri, hekuri, lëkura, etj., kanë pasur vlera të mëdha” u shpreh Gjini, duke shtuar se në qytetin e Shkodrës ka pasur gjithsej tetëdhjetë zeje.
Ndërkohë, duke folur për ekspozitën, Gjini tha se ajo përbëhet e tëra nga punime dore, me një vlerë të jashtëzakonshme për artin dhe trashëgiminë e artit në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë.
“Si kryetar shoqate jam shumë i kënaqur për ftesën që na keni bërë, dhe dëshiroj e jam i gatshëm të vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe ta përsosim edhe më shumë, në mënyrë që të kemi një shkëmbim të zanateve, sepse ka disa vite që kemi qenë të shkëputur. Disa zanate dhe profesione në Shkodër janë të veçanta jo vetëm për Tuzin, por për të gjithë Shqipërinë” tha ndër të tjera, kryetari i Shoqatës së Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë, Zef Gjini.
Në të njëjtën kohë, drejtori i QKI-së “Malësia” Vasel Berishaj tha se duke jetuar në këto kohë të stuhishme dhe të shpejta ku njerëzit ndjekin pasurinë materiale, e duke humbur ndjenjat për vlerat e vërteta njerëzore, kjo ekspozitë është një bekim i vërtetë.
“Sepse një shoqatë si kjo na mëson se si jetonin të parët tonë dhe e vlerësonin atë që ishte krijuar nga dora e njeriut. Çdo zanat është një art. Ne çdo ditë do të kuptojmë se sa shumë na mungojnë artizanët e aftë dhe punët e tyre” u shpreh, Berishaj.
Ai tha se me këtë ekspozitë, vizitorët kanë mundësinë që të shijojnë mjeshtërinë dhe frymëzimin artistik të ekspozuesve shkodranë, e cila për një moment të kthen qindra vjet mbrapa.
“Të ndjejmë erërat dhe ngjyrat e atyre kohërave. Të shohim, të prekim dhe të përjetojmë objekte pa të cilat jeta e të parëve tonë do të ishte e paimagjinueshme” theksoi Berishaj.
Ekspozita në fjalë qëndroi e hapur deri më 7 qershor nga e hëna në të premte, nga ora 8 deri në orën, 15, ndërsa u ekspozuan punime të ndryshme nga argjendi, druri, tekstili, allçia, etj..
Në historinë e tij 2500 – vjeçare, qyteti i Shkodrës krijoi traditën edhe në fushën e artizanatit në të cilën u pleks mjeshtëria e lartë, individualiteti, fantazia krijuese dhe shijet e ndjenjat artistike të kësaj treve.
Arti në Shkodër është, edhe art, edhe mjeshtri, edhe mënyrë jetësore.
Shoqata e Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë është themeluar në vitin 2007, me mision, krijimin e lidhjeve mes artizanëve, duke ndikuar në ringjalljen, rigjenerimin dhe zhvillimin e artizanatit shqiptar.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat