Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin të enjten mbrëma (23 maj 2024) janë përuruar përmbledhja “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” dhe studimi monografik “Baladat popullore te shqiptarët në Malin e Zi” të autorit dr. Ismail Doda.
Këto dy vëllime, të cilësuara si vepër jetësore e Dr. Ismail Dodës, janë fryt dhe kurorëzim i punës së tij dhjetëravjeçare në mbledhjen dhe studimin e folklorit në trevat shqiptare në Malin e Zi të sotëm. Ato janë pjesë e temës së doktoratës së autorit. Përmbledhja “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” përfshin 129 balada me 8 100 vargje, të cilat autori i ka mbledhur ndër shqiptarët në Malin e Zi: në Ulqin, në Anë të Malit, në Krajë, në Tivar me rrethinë, në Malësi të Madhe, në krahinën e Plavës dhe Gucisë si dhe në Rozhajë e Malësi të saj. Ndërkaq përmes studimit monografik “Baladat popullore te shqiptarët në Malin e Zi” autori jep një ndihmesë të madhe për zgjerimin e diturive shkencore për baladat te shqiptarët në Malin e Zi duke dëshmuar për një hapësirë etnokulturore të panjohur sa duhet të botës shqiptare.
Dy librat janë botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” – përmbledhja me këngë në vitin 2022, kurse studimi monografik në muajin mars të këtij viti.
Në fjalën përshëndetëse kryetari i SHAI “Art Club” dhe redaktori i librit, Ismet Kallaba ka thënë se vërtet që ka edhe të tjerë që janë marrë me mbledhjen e folklorit në trevat shqiptare sot në Malin e Zi, por askush si Ismail Doda nuk është marrë me aq përkushtim duke ia kushtuar gjithë jetën mbledhjes dhe studimit të folklorit, në këtë rast të baladave, si një lloj i veçantë i këngëve popullore.
Sipas tij, “këta dy libra do t’u vijnë në ndihmë të gjithë të apasionuarve për folkloristikën shqiptare, por në rend të parë do t’u shërbejnë studiuesve dhe institucioneve shkencore, arsimore e kulturore”.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ka thënë se “në aspektin e dilemave që të tjerët kanë për identitetin kombëtar të shqiptarëve, këto këngë dhe subjektet që trajtohen në to përbëjnë argumente të qenësishme të cilat arrijnë të dëshmojnë vijimësinë dhe lidhjen e pashmangshme të fijes gjenetike të ilirëve, arbërve me shqiptarët e sotëm, sepse tematikat e tilla si fenomeni i murosjes, rinjohjes së vëllait e motrës, bestytnitë, totemi i gjarprit ende janë pjesë e memories sonë kolektive”.
Për recensentin e librave, Prof. dr. Agron Xhagolli, këto paraqesin dy libra me vlerë në pasurinë folklorike shqiptare.
Ai ka thënë se baladat e praktikuara nga shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Malin e Zi janë një nga krijimet folklorike më interesante në folklorin shqiptar.
Sipas tij, “me të drejtë I. Doda shprehet se baladat në këto hapësira të shqiptarëve në Malin e Zi janë pjesë e pandarë e një kulture të lashtë vendase, me veçoritë karakteristike të tyre, të cilat dëshmojnë se janë pjesë përbërëse e baladave shqiptare në përgjithësi, por edhe se e pasurojnë këtë krijim edhe në shkallë kombëtare dhe më gjerë”.
Xhagolli ka thënë se në përgjithësi vëllimi “Baladat popullore te shqiptarët e Malit të Zi” është një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare në përgjithësi.
“Bibliotekat tona me botimin e këtij vëllimi do të pasurohen me një vlerë të cilësuar, shumë me interes dhe që do të përcillet më gjerë, jo vetëm nga studiuesit e fushës”, ka theksuar studiuesi.
Studiuesi dhe kritiku i artit Qazim Muja ka thënë se botimi në dy vëllime i profesor Ismail Dodës për baladën popullore të shqiptarëve në Malin e Zi, duhet të shihet dhe lexohet si një tërësi.
“E them këtë sepse Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi – vëllimi I si përmbledhje, është ajo arka e thesarit (apo e pajës) të asaj nuseje të quajtur ‘baladë’ që autori nuk i nxori pa ndonjë mund nga dorëshkrime pergamene, por i mblodhi me shumë sakrificë nga buzët e ngrohta të njerëzve, i zbuloi për të na njohur me vezullimin e tyre verbues, në kuptimin e vlerës së tyre të jashtëzakonshme, ndërsa Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi – vëllimi II, si studim monografik që pason, është mjeshtëria e jashtëzakonshme e autorit që këtë thesar të na e shpjegojë në formë studimi shterues me gjuhën e shkencës dhe me metodologjinë e spikatur, në tërë shtrirjen e saj kronotopike të motiveve, të cilat motive në baladat popullore kanë një aplikim të gjerë, gjegjësisht kanë një funksion jo vetëm estetik, por edhe psikologjik dhe etik”, ka thënë ai.
Autori i librave Dr. Ismail Doda përkujtoi punën e gjatë dhe të mundimshme si në shkollim ashtu edhe në mbledhjen e lëndës folklorike.
“I takoj asaj gjenerate të dënuar që nuk guxonim të mësonim në gjuhën shqipe dhe kur janë pjekur kushtet unë u ktheva në vendin tim si bleta dhe duke studiuar në Prishtinë”, ka thënë studiuesi.
Gjatë përurimit është lexuar edhe një pjesë e recensionit të Prof. Dr. Alfred Çapalikut për përmbledhjen “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”.
Përpos këtyre dy librave autorialë, Dr. Ismail Doda është bashkautor i librit “Në prehër të jetës së re (Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII)”. Ai po ashtu ka përgatitur për botim si redaktor shkencor librin “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar” me përmbledhje të punimeve nga Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar i organizuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi në vitin 2011. Ka marrë pjesë me kumtesa për folklorin shqiptar në Mal të Zi dhe tema të tjera në shumë konferenca dhe tryeza shkencore. Për arritjet në shkencë është shpërblyer me Medaljen e Kujtimit nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972), certifikata mirënjohjeje dhe për pjesëmarrje, emblema, falënderime etj. Vitin e kaluar (2023) Komuna e Tivarit i ka ndarë Çmimin “24 Nëntori” për të arritura profesionale në fushën e arsimit dhe kulturës.
Përurimi është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
i. k.