“Shpirti artistik i popullit të Rugovës iskalitur në larushinë e folklorit tradicional: Lojërat popullore të Rugovës”

Shaban Hasangjekaj

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë në vitin 2017 botoi librin me titull “Visare të Trashëgimisë shpirtërore të Pejës me rrethinë, I”, i redaktuar nga redaksia pesë anëtarëshe me kryeredaktor Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, i cili edhe e përgatiti librin për shtyp, përurimi i të cilit u bë në Pejë më 23 dhjetor të vitit 2022 me rastin e shënimit të 75 vjetorit të veprimtarisë së punës së Ansamblit folklorik autokton “Rugova” nga Rugova e Komunës së Pejës.
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë, në kuadër të trashëgimisë kulturore të Pejës me rrethinë, ka realizuar me sukses projektet: Lojërat tradicionale të Rugovës, Sofra pejane – vlerë autentike dhe Pleqnia në odat e anës së sipërme të Rrafshit të Dukagjinit, projekte këto me peshë dhe vlerë të lartë të kësaj Qendre, të cilat njëherazi janë edhe tri pjesë përbërëse të përmbajtjes së librit në fjalë.
Pjesa e parë e librit fillon shënimin e koreografit të mirënjohur shqiptar, Skënder Haklaj, me titull “Shpirti artistik i popullit të Rugovës i skalitur në larushinë e folklorit tradicional: Lojërat popullore të Rugovës”, mbi të cilin është i përqendruar vëzhgimi im vlerësues, për publikim në faqet e gazetës “Koha Javore”.
Autori Skënder Haklaj shënimin e vet në fjalë e fillon me konfirmimin se folklori është njëri nga komponentët më kryesorë të identitetit të një populli. Folklori është traditë e rëndësishme shpirtërore e historike e një populli që bën edhe dallimet e kufijve etnikë. Edhe brenda kufijve etnikë të një kombi ka dallime në fusha të ndryshme të folklorit, pohon autori Haklaj dhe në vazhdim shton se Krahina e Rugovës i ka veçoritë e veta folklorike sa unike dhe të dallueshme, si në doke e zakone, në ceremonitë e martesave, të lindjeve e vdekjeve, në dasma e kanagjeqe, në punë e në luftë, në marrëdhënie të përditshme, në këngë e në valle, në rituale të ndryshme e në legjenda në veshjet tradicionale aq açik, si dhe në lojërat popullore aq të llojllojshme e të larmishme.
Në tekstin e shënimit të vet, autori Skënder Haklaj thekson se lojërat popullore rugovase janë vlerat më të spikatura të shpirtit artistik krijues të kësaj popullate, të ruajtura me aq dashuri e fanatizëm nëpër shtigjet e historive të tyre aq të përgjakura. Në popullatën e Rugovës (deri tani) gjallërojnë këto gjini, zhanre dhe lloje të lojërave popullore; lojëra me elemente epike, lojëra me elemente epiko-historike, lojëra me elemente historike, lojëra me elemente të punës bujqësore, lojëra me elemente të jetës blegtorale, lojëra me elemente të punës artizane-zejtare, lojëra me elemente të punës së ndërtimtarisë, lojëra me elemente të kulturës fizike, lojëra me elemente të zhvillimi intelektual – mençurisë, lojëra me elemente të humorit si për meshkuj, ashtu edhe për femra, lojëra që demonstrojnë zhdërvjelltësinë e lëvizjeve fizike në përshtatje me shtrirje gjeografike, lojëra me elemente kërcimi, si dhe kërcime lojë, të shoqëruara me melodi të kënduar ose akapelo, si dhe vetëm recitim ose thirrje inkurajuese, si tifozë. Autori Haklaj thotë se mund të deklaron se me gjitha këto konstatime të paraqitura të studimeve të tij të deritashme, nuk mjaftojnë të pretendohet për nxjerrje të përfundimit, për të vënë vulën përfundimtare shkencore.
Autori Skënder Haklaj në hyrje të shtjellimit të tematikës së shënimit të vet thekson se është mësuar nga literatura se fjala “folklor” në tërësinë e vet si emër është vetëformuar nga një zhurmim i zëshëm popullor brenda territoreve angleze, ku mori perifrazimin e plotë në vitin 1846 nga studiuesi demelog anglez G. Thomas, me kuptimin shkencor “loro – shkencë dhe folk – e popullit”. Shkenca e të studiuarit të kulturës, të traditave, të dokeve e të zakoneve të një populli.
Të gjitha këto së bashku të inkurajojnë të studiosh deri në detaje dallimet e vlerave shpirtërore të popullit tënd, të shfaqura në doke e zakone, në këngë e kërcime, në lojërat popullore dhe në humorin gojor, në rite e ceremoni të ndryshme, në legjenda e mitologji, në gojëdhëna e tregime gojore, në punimet artizane dhe në veshjet popullore shprehet me admirim në tekstin e shënimit dhe në vazhdim veçon se këto janë zhvillime shpirtërore, janë vlera evidente, të cilat, të ndihmuara nga vërtetësitë historike, pasqyrojnë zhvillimet ekonomiko-shoqërore, sociale e kulturore gjatë shekujve të shkuar e deri në ditët e sotme. Prandaj këto thesare të kulturës tradicionale, janë treguesit e parahistorisë dhe historisë së një kombi. Andaj pa hezitim mund të përfundohet se folklori është një nga komponentët më kryesorë të identitetit të një populli.
Në shtjellimin e tekstit të shënimit të vet autori Haklaj thekson se përveç kufijve gjeografikë-natyrorë kombëtarë ose administrativë shtetërorë, popujt kanë veçoritë e tyre dalluese edhe nëpërmjet folklorit dhe gjuhës që flasin. Edhe brenda kufijve etnikë të një kombi ka dallime të tipareve folklorike si në përmbajtje ideore, ashtu edhe në mënyrat (format) e paraqitjes.
Edhe brenda të njëjtës krahinë ka dallime të dukshme si zona me zonë dhe fisi me fis, në doke e zakone, në llojin e lojërave popullore dhe në mënyrën e manifestimeve të tyre, në llojllojshmërinë e veshjeve popullore, si në mënyrën e veshjeve fizike të tyre, ashtu edhe në këngë e kërcime, në ceremoni të ndryshme si ato martesore, të lindjeve ose të vdekjeve (ceremonitë e varrimit).
Krahina e Rugovës ka veçoritë e veta folklorike sa unike dhe të dallueshme, si në doke e zakone, në ceremonitë e martesave, të lindjeve e të vdekjeve, në dasma e kanagjeqe, në punë e në luftë, në marrëdhëniet e përditshme, në këngë e kërcime, në rituale të ndryshme e në legjenda, në veshje tradicionale aq açik, si dhe lojërat popullore aq të llojllojshme e të larmishme, shprehet në tekstin e shënimit të vet autori Skënder Haklaj dhe në vazhdim shton se ambienti gjeografik i popullatës së Rugovës me maja aq të larta të bjeshkëve, me lugina të thella, me pyje të gjelbra gjithë vitin, me lëndina e rudina, me, lumenj e përrenj zhurmues, me vera të ngrohta e dimra të ashpër, ka influencuar në vetitë dhe virtytet e banorëve, në zhdërvjelltësi fizike e mendore, si dhe në psikologjinë dhe impulsivitetin energjik të tyre, dukuri këto që shfaqen në larushitë folklorike në përgjithësi, si dhe në lojërat popullore në rastin tonë konkret.
(vijon)


Autori Skënder Haklaj në tekstin e shënimit të vet konfirmon se popullata shqiptare e Rugovës shtrihet në etnogjeografinë e Alpeve Shqiptare, si një pjesë e veçantë, mjaft interesante për sa i përket artit popullor (folklorit) në përgjithësi dhe lojërave popullore mjaft domethënëse, në veçanti. Kjo popullatë krejtësisht shqiptare, ndahet në 14 fshatra me përbërjet e vëllazërive të mëdha të fisit Kelmend: Lajç, Vukel, Nikç, Selcë, si dhe të një pakice të fiseve Kastrat, Shalë e Shkrel (sipas studiuesit Prof. Dr. Zymer Ujkan Nezirit), që paraqet larmi folklorike tradicionale dhe artistike-kulturore shumë të pasur dhe aq të veçantë për studiuesit shkencorë të artit tradicional popullor. Autori në shënimin e vet veçon se si çdo gjini e artit popullor edhe lojërat popullore tradicionale të Rugovës, paraqesin veçoritë e tyre dalluese, me diferencime interesante në krahasim me lojërat popullore të krahinave të tjera që shtrihen në Alpet Shqiptare, qofshin ato kufitare ose më gjerë.
Lojërat popullore rugovase – janë vlerat më të spikatura të shpirtit artistik krijues të kësaj popullate, të ruajtura me aq dashuri e fanatizëm nëpër shtigjet e historive të tyre aq të përgjakura, thotë autori në shtjellimin e tekstit të shënimit të vet, duke shtuar se në këto zhvillime shpirtërore ndiejmë, dallojmë dhe kuptojmë pjesë nga jeta ekonomike shoqërore, sociale e kulturore. Lexohen gjurmimet historike të luftërave të qëndresës e të mbijetesës, shenjat e riteve dhe të legjendave të paraqitura si manifestime të karshillëkut superior përballë hasmit. Në këto zhvillime kuptohen dhe konsiderohen mënyrat e të jetuarit dhe të vepruarit në punët e përditshme bujqësore, blegtorale, të gjuetisë etj.
Autori Haklaj në tekstin e shënimit pohon se për të detajuar, për të klasifikuar dhe për të argumentuar në mënyrë sa më shkencore, kërkohet ekspeditë e posaçme studimore. Pikë së pari kërkohet sistemi dhe klasifikimi i këtyre ngjarjeve sipas gjinive të veçanta, sipas llojshmërisë brenda llojeve, sipas funksioneve dhe rrjedhojave historike, sipas domethënieve ideo-psikologjike të shprehura në lidhjet e tyre me doket e zakonet krahinore, në lidhje me historitë e veçanta ose të përbashkëta, në lidhje me marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore mes fiseve brenda territoreve të Rugovës në veçanti, si dhe të Rugovës me krahinat ose zonat e tjera, me të cilat ka pasur kontakte martesore, historike e shoqërore.
Nuk mund të mos aludohet e të mos mendohet për lidhjet martesore tradicionale të Rugovës me fiset tjera deri në Plavë e Guci, po edhe me fshatrat e rrethinës së Pejës në Rrafshin e Dukagjinit, e para vitit 1912 edhe me Malësinë e Gjakovës. Të gjitha këto së bashku kanë influencuar deri diku në huadhënien (dhënë e marrë) si konvertime të folklorit, si në rastin vendor lojërat popullore, shprehet autori në tekstin e shënimit dhe shton se në zhvillimet folklorike kemi të bëjmë me “kontaktet” dhe “jokontaktet”. Kontaktet kanë të bëjnë me zhvillimet folklorike dhe shtrirjet e tyre jashtë fisit ose jashtë zonës, të përbërë nga disa fise. Jokontaktet kanë të bëjnë me mbylljet fanatike brenda fisit ose zonës, si karshillëk mes fiseve ose mes zonave më të gjera në kufij me gjëra tjetrën ose përkarshi. Autori Haklaj thotë se në të kaluarën e largët kontaktet e Rugovës me fise ose krahina të tjera kanë qenë të ndërvarura nga kushtet klimatike mjedisore, kështu që takimet dhe ose garat e lojërave popullore në natyrë, zakonisht janë mbajtur në stinën e verës si më e mundura mundësi mjedisore, kryesisht në vende të paracaktuara në lëndina të bjeshkëve të afërta ose të përbashkëta.
Autori i shënimit në fjalë bënë me dije se nga garat më popullore kanë qenë ajo me desh vrastarë, garat e kuajve të shalës, mundje, gurapeshi ose guri i takatit të Mujës, gara e prashitjeve, kositjeve, garat e gjuajtjes në shenjë (shenjëtaria) me shtiza, me gurë mbi rrasa, me thika mbi trungje pemësh ose me pushkë duke shënjuar cigaren e duhanit në distancë të shikimit të syrit.
Gara më popullore ka qenë loja e kapuçave me lojtarë mjaft të njohur, të cilët i ftonin në raste dasmash ose miqësie, duke u vënë kalin në dispozicion për transporte në distanca shumë të largëta. Të gjitha këto lojëra e gara janë zhvilluar me kushte paraprake, duke pasur trofe për fituesin, nga qengji e deri te dashi.

Autori Skënder Haklaj me dinjitet në shënimin e vet thekson se për lehtësi studimore, lojërat popullore në përgjithësi, si dhe ato të Rugovës në veçanti, mund të klasifikohen dhe të sistemohen sipas gjinive, zhanreve, llojeve dhe përmbajtjes ideore e botëkuptimeve. Kryesisht dallimet dhe klasifikimet vijnë sipas dy gjinive kryesore: epike dhe lirike. Sipas ndjeshmërisë: në lojëra për meshkuj e lojëra për femra. Sipas klasifikimeve: me përmbajtje historike, epiko-historike, legjendare, me elemente rituale mitike-legjendare, ato që kanë lidhje me ciklin e kreshnikëve, me elemente të punës në bujqësi, blegtori, zejtari, gjueti etj., si dhe ato që kanë lidhje me ritet ceremoniale të lindjeve, të martesave, të vdekjeve.
Përveç këtyre që i tha deri më tani, shprehet kah fundi i përmbajtjes së tekstit të shënimit autori Haklaj, lojërat popullore ndahen edhe sipas rasteve (festa, dasma, kanagjeqe ose ndodhi historike) dhe vendeve ku janë luajtur, si: rudinat, lëndinat, livadhet, bahçet, odat e burrave, odat e grave etj. Lojërat epiko-luftarake klasifikohen në ato që kanë shërbyer për të ushtruar të rinjtë, si: për përdorimin e jataganit, të shpatës, gjuajtjes së thikës mbi trungje, hedhjes së gurapeshës, gjuajtjes së rrasave me gurë, gjuajtjes me shtiza mbi gjethe të gjëra, ngjitja mbi shilor, mbi lisa e pisha, mbi maja shkëmbinjsh, ngjitja në shtigje të vështira etj.
Njëra nga lojërat garuese, mjaft popullore, ka qenë ajo me kuajt e shalës, si në vrapime të gjata, në kapërcime hendeqesh, në lojëra manovruese duke u ngritur mbi këmbët e pasme, në gjuajtje në shenjë me pushkë gjatë vrapimit ose e jataganit të ngulur në tokë, e deri te kapja e kapuçit etj.
Në popullatën e Rugovës (deri tani) gjallërojnë këto zhanre dhe lloje të lojërave popullore: Lojëra me elemente epike, lojëra me elemente epiko-historike, lojëra me elemente historike, lojëra me elemente të punës bujqësore, lojëra me elemente të jetës blegtorale, lojëra me elemente të punës artizane (zejtare), lojëra me elemente të punës së ndërtimtarisë, lojëra me elemente të kulturës fizike, lojëra me elemente të humorit për meshkuj dhe femra, lojëra që demonstrojnë zhdërvjelltësinë e lëvizjeve fizike në përshtatje me shtrirjet gjeografike dhe lojëra me elemente kërcimi si dhe kërcime, lojëra të shoqëruara me melodi të kënduar ose akapelo, si dhe vetëm recitime ose thirrje inkurajuese si tifozë.
Autori Skender Haklaj shënimin e vetë vërtetë me peshë dhe vlerë e përfundon me të dhënën se mund të deklarojë se me të gjitha këto konstatime të paraqitura të studimeve të tij, nuk mjafton të pretendojë të nxjerrë konkludimin për të vënë vulën përfundimtare shkencore. Me këto plotësime, si dhe me shumë pretendime të tjera të trashëgimisë, lojërat popullore të Rugovës, në të ardhmen e afërt, mund të marrin vulën mbrojtëse të UNESCO-s
Fund

Të fundit

më të lexuarat