
Të shkruash një monografi shkencore, në të cilën përpunohet gjerësisht një temë koncize do të thotë të zbulosh dhe të trajtosh një problem specifik dhe njëkohësisht të japësh përgjigje të hollësishme për një sërë çështjesh të rëndësishme që autori do t’i hulumtojë. Ky lloj hulumtimi, sipas meje, i përket zhanrit të prozës shkencore por që edhe duhet të shkruhet strikt me terma shkencorë. Këtë konstatim mund ta themi edhe për librin monografik “SHKOLLA FILLORE ‘BEDRI ELEZAGA’ 1869 – 2019 – KATËRKOLLË” (botuar në dy gjuhë), të autorit Rexhep Lleshi dhe të konstatojmë se botimi i kësaj monografie është gjithsesi i justifikuar dhe i domosdoshëm, duke dalë në dritë në momentin e duhur për të ruajtur nga harresa materialin, jo vetëm historik, por sidomos materialin edukativo-arsimor dhe idetë pedagogjike të mësimdhënies në këtë vatër arsimi që nga themelimi dhe deri në ditët e sodit; kapitujt në këtë monografi na dalin të janë një panoramë gjeografike dhe historike e Anës së Malit në përgjithësi – dhe e shkollës dhe arsimimit dikur dhe tani, që një shekull e gjysmë, në veçanti.
Në fakt duke parë në hyrje të librit vështrimet e dy recensueseve të nderuara, që në mënyrë shteruese kanë folur për vlerat e librit, dhe katërçipërisht kanë analizuar gjithë lëndën e shtjelluar, nuk gjeta ndonjë hapësirë të paprekur për të cilën do kisha mundësi pak a shumë të bëja ndonjë vlerësim, nga cilido këndvështrim qoftë. Megjithatë e pash të arsyeshme të preki dy-tri gjëra nga ajo pjesa e historikut të shkollës në Anë të Malit e që, sipas meje, janë me rëndësi të veçantë, në rend të parë për të sqaruar shfrytëzimin në mënyrë të drejtë të burimeve dhe dokumenteve arkivore si dëshmi historike, dhe e dyta, për të vënë në dukje humanizmin dhe guximin intelektual të autorit Lleshi që gjërat të thuhen ashtu siç janë dhe ato të quhen me emrin e vet.
E kam fjalën për shmangiet e mëdha që bën ky autor, dhe këtë e bën në mënyrën më profesionale, në rend të parë lidhur me datën e themelimit të shkollës në Anë të Malit dhe zbardhjen e periudhës para vitit 1929, vit ky që gjer tani u mor si datë zyrtare e themelimit të shkollës, si dhe zhvendosja e datës nga viti 1929, në vitin 1869, pra plot gjashtëdhjetë vjet më përpara, dhe njëkohësisht zbardhja e periudhës së viteve 1941 – 1943, që në dokumentet zyrtare janë periudha të vdekura dhe që nuk ekzistojnë fare të evidentuara. Pikërisht kjo është përgjigjja apo kundërvënia më e mirë e autorit në pyetjen – përse, vallë, duhet të pranojmë dokumentimet e imponuara të politikave të një kohe të caktuar.
Duke shfrytëzuar si burim ditarin e vitit 1871 të Davud Boriçit, autori na dokumenton se shkolla e parë në Anë të Malit u hap në Shas, në formë mejtepi që ishte e lidhur me Reformën e arsimit në shtetin osman, respektivisht me Rregulloren e vitit 1869. Andaj dhe ky vit vlen të jetë dhe koha e fillimit të punës së shkollës fillore katërvjeçare për arsimimin e njerëzve në këtë trevë – përfundon autori. Mejtepe – shkolla u hapën gjithandej edhe nëpër fshatra të tjera, për të cilat autori me përpikëri jep edhe emrat e mësuesve.
Tani lind pyetja, përse duhej harruar kjo periudhë, nga viti 1929 deri në vitin 1869, dhe kujt i pengoi kjo e vërtetë historike lidhur me arsimin e shqiptarëve në Anë të Malit, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë zhvillohej mësimi, por kur dihet se mësuesit ishin shqiptarë, dhe kur dijetarë të ndryshëm shqiptarë si Hafiz Ali Ulqinaku e të tjerë, mbase në mënyrë indirekte edhe nën ndikimin e frymës sado të dobët të lëvizjes iluministe që në Evropë në vitin 1860 pati një ndikim të fortë në reformën e shkollave, bënë punë të jashtëzakonshme për t’u ofruar nxënësve shqiptarë literaturë shkollore, dhe edhe Abetare, të përkthyera apo të shkruara me alfabetin arab apo ndonjë tjetër, pasi që alfabeti i gjuhës shqipe ende nuk ishte konstituuar, gjë që ndodhë në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit. Pra, përse në analet e shkollës u anashkalua kjo periudhë? Apo mbase për t’ia lënë meritat atij pushteti të “kralevinës” hegjemoniste që mohonte gjuhë e popuj e që shkollat e ashtuquajtura popullore i hapte në gjuhën serbe ku përdorej alfabeti cirilik dhe procesin mësimor e zhvillonin mësuesit joshqiptarë.
E njëjta gjë ndodhë edhe me periudhën 1941 – 1943, një periudhë që me qëllim apo pa qëllim në analet e shkollës mbetet plotësisht e errët, edhe pse sipas të dhënave që paraqet autori Lleshi, kjo periudhë, sa i përket arsimimit është më se e ndritur, sepse mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, pra në gjuhën amtare të nxënësit dhe me mësues shqiptarë tejet të përgatitur për kohën. Kështu, me këto plotësime që bën autori, kjo monografi na del diç më tepër se një arkiv i tërë dhe dokumenton se shqiptarët e kësaj treve megjithatë janë arsimdashës, sidomos kur mësimi zhvillohet në gjuhën e tyre amtare.
Pikërisht kjo ishte dëshira dhe qëllimi im, që të vej në dukje humanizmin dhe guximin intelektual të autorit, duke e ditur se është humane t’u bëhet me dije gjeneratave të reja që implantet e qëllimshme historiografike jo të sakta, apo fshehja e historisë sonë na lënë pa substancë dhe se është guxim intelektual të thuhen gjërat e argumentuara që qarqet e ndryshme në një kohë dhe me qëllime të caktuara u përpoqën t’i fshihnin. Që të dyja këto autori Rexhep Lleshi i bëri në mënyrë të shkëlqyer.
Ky botim jo vetëm që ka për qëllim të paraqesë historikun apo të bëhet kronikë e mirëfilltë e arsimimit në trevën e Anës së Malit, por njëkohësisht është dhe mirënjohje dhe respekt për të gjithë punonjësit e arsimit që nga fillimi e deri në ditët e sotme, duke kaluar nëpër kohë dhe rrethana të ndryshme shoqërore. Autori i paraqet të gjithë drejtorët që e udhëhoqën këtë shkollë dhe të gjithë mësimdhënësit që kontribuuan, duke pasur gjithmonë në mendje një fjalë e thënë nga dikush – se “shumë njerëz e konsiderojnë mësuesin si pikën më të vogël dhe të fundit në detin e jetës shoqërore, e që është mendim i gabuar. Një mësues në klasën më të vogël publike, nëse ai është në vendin e tij, është një person i rëndësishëm sa kryetari i çdo qyteti dhe udhëheqësi i çdo shteti…”. Dhe si dëshmi për këtë në fund të monografisë jep një pasqyrë të të gjithë atyre nxënësve që arsimin fillor e morën pikërisht nga këta mësues, nga këta mësimdhënës këtu në Katërkollë, por që sot janë emra të shquara të artit, shkencës, kulturës, letërsisë, politikës etj., me renome edhe ndërkombëtare.
Autori i monografisë ka shqyrtuar një numër të pafund ditarësh pune, libra me porosi, dëshmi dhe shënime, si dhe shumë dokumente të tjera shkollore nga arkivat për të marrë të dhënat dhe për t’i paraqitur në këtë botim, në mënyrë një botim i këtillë mos të mbetet vetëm një pasqyrë e thjeshtë statistikore. Andaj dhe dua të theksoj se për këtë punë kaq të rëndësishme i detyrohemi autorit që brenda kapakëve të kësaj monografie përmblodhi në mënyrën më shteruese historinë prej një shekulli e gjysmë të arsimit në Anë të Malit. Mendoj se Rexhep Lleshi mbase është njëri nga gjenerata e fundit e asaj plejade të mësimdhënësve që arsimin dhe shkollën e përjetuan jo vetëm si profesion por edhe si ideal në rrugën e ndritur për arsimimin e popullit të vet, duke e pasur të qartë se arsimi është rojtari i identitetit kombëtar, njëra nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë.
Monografia në fjalë është një pasqyrë e shkëlqyer e arsimimit dhe qëndrueshmërisë sonë intelektuale, e punës dhe mundit të përkushtuar të gjeneratave që lindi kjo shkollë, është një vepër e rëndësishme që do t’u mbetet përgjithmonë brezave të ardhshëm.