Nga bashkëpunimi Ulqin-Shkodër

Prof. Asc. Dr. Astrit Beci-Shkodër

Me 4 maj, me bashkëpunim te mjekëve të Shkodrës me Ulqinin u zhvilluan 3 aktivitete:
Seminari i 8-të i mjekëve te Spitalit Rajonal Shkodër dhe mjekëve nga trevat shqiptare të Malit të Zi;

Momenti i dytë i rëndësishëm ishte akordimi i mirënjohjeve nga Këshilli i Qarkut Shkodër, përfaqësuar nga kryetari z. Edmond Ndou, për :
Prof. Dr. Isuf Dedushaj,
Prof. Dr. Simë Dobreci (post mortum) si dhe Prim. Dr. Gani Karamanaga.
Po kështu nga kryetari i Këshillit Kombëtar te shqiptarëve në Mal të Zi, z.Faik Nika, iu dha mirënjohja:
Prof. Asc. Dr. Astrit Beci;

Aktiviteti i 3-të i kësaj dite i zhvilluar në qendrën rinore Arka, nën kujdesin e moderimin e Prof. Asc. Dr Astrit Beci, ishte një bisede interesante e zhvilluar gjatë promovimit të dy librave:
“Enciklopedi e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare gjithandej globit (1445-2018) dhe e mjekëve që lanë gjurmë të pashlyera në historinë e mjekësisë shqiptare” nga Prof. Dr. Isuf Dedushaj, si dhe “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi” nga Prim. Dr. Gani Karamanaga, i cili ka edhe meritën e padiskutueshme të botimit të seminareve të ndërsjella të shkruara në libra. Edhe seminari i këtij viti pati tema cilësore në specialitete të ndryshme, kryesisht ato të kirurgjisë, por edhe fusha të tjera.
Historia e shkëmbimeve të informacionit shkencor mes mjekëve në dy anët e kufirit është një histori 25 vjeçare e filluar nga takimet e mjekëve:
Simë Dobreci
Astrit Beci
Gani Karamanaga
Nadire Suma
Reshit Llolla
Ardian Dajti
Agron Luli
Bashkim Bala
Zylfije Duraku etj.
Me pjesëmarrjen e këtyre mjekëve, e jo vetëm, do të mbahej seminari i parë në mjekësi në gjuhën shqipe në Mal të Zi, asnjëherë nuk i harrojmë ato momente që na bëjnë krenarë.
Koordinimin për mjekët shqiptarë të Ulqinit do ta bënte Prim. Dr. Gani Karamanaga, drejtor i shtëpisë së shëndetit në Ulqin në atë kohë dhe Dr. Astrit Beci, drejtor i përgjithshëm i Spitalit Rajonal Shkodër.
Më vonë, gjatë viteve, këtyre seminareve do t’u shtoheshin edhe mjekë nga Mali i Zi e nga Shqipëria si p.sh. Prof. Gjuriq nga Novi Sadi, profesor i shquar në pneumologji si dhe Prof. Elez Selimi e Prof. Hektor Çoçoli, të specializuar në të njëjtën fushë nga Universiteti i Tiranës.
Gjatë viteve këto kontribute e lidhje u forcuan dha tani pas çerek shekulli mund të themi se kemi ndërtuar një bazë të fortë, që këto takime të vazhdojnë dhe në të ardhmen nga breza më të ri mjekësh gjë që solemnisht na u tha gjatë takimit, si angazhim e sfidë edhe nga Dr. Senad Hallunaj, drejtor i spitalit Rajonal Shkodër dhe Dr. Sadije Hollaj, drejtoreshe e Shtëpisë së Shëndetit, Ulqin.
Pata kënaqësinë që së bashku me disa kolegë të mi të Spitalit Shkodër të paraqisnim kërkesën për mirënjohje Këshillit të Qarkut Shkodër për tre figura të shquara të mjekësisë në trevat shqipfolëse, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre profesionale e akademike asnjëherë nuk harruan rolin e rëndësishëm e kontributit atdhetar dhe patriotik, duke u investuar në publikime shkencore kulturore dhe historike, që do të mbesin si xhevahire të kulturës sonë. Sa më të shpeshta këto kontakte, aq më të shumta urat e bashkëpunimit e lidhja e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
U ndjeva i privilegjuar për marrjen e mirënjohjes nga z. Faik Nika, mirënjohje e cila nuk më takon vetëm mua, por edhe gjithë kolegëve nga Shkodra e Ulqini, që e mbajtën të gjallë këtë traditë.
I ftuari i veçantë kësaj herë ishte Prof. Dr. Isuf Dedushaj, një nga figurat eminente të mjekësisë shqiptare, ballkanike e evropiane në fushën e epidemiologjisë.
Gjatë bisedave e takimeve me të, mund të konfirmoj krenarinë e gjithë kolegëve prezent, krenari e ligjshme kur takon të tillë përfaqësues, jo vetëm të shkencës, por edhe të vlerave humane e atdhetare, të cilat mishërohen më së miri te i madhi Prof. Dr. Isuf Dedushaj.

Të fundit

më të lexuarat