Tuz – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” organizoi të premten (26 prill 2024) në galerinë e QKI-së “Malësia” ekspozitën personale “Rrënjët” të piktorit nga Ulqini, Agron Ujkashi.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të adhuruesve të artit pamor, piktori Agron Ujkashi solli për publikun një krijimtari të pasur artistike, të punuar mjeshtërisht, e cila u admirua në masë të gjerë nga publiku i pranishëm.
Në fillim të këtij aktiviteti kulturor përshëndeti Albulena Ujkashi (e bija e piktorit), studente e artit dhe medias digjitale në Prishtinë e cila tha se babai i saj, Agroni, nuk është vetëm një krijues i imazhit, por personalitet.
“Jam krenare që kam pasur mundësinë që të mësoj prej tij dhe të jem kjo që jam sot, për shkak të tij” tha në mes tjerash Albulena Ujkashi.
Ndërkohë, kuratori i ekspozitës “Rrënjët”, njëherësh udhëheqës i Muzeut të Ulqinit, Gazmend Kovaçi duke folur për vlerat intelektuale të ekspozitës së piktorit, Agron Ujkashi, tha se krijimtaria e tij artistike është e një përmase shumë të rëndësishme për vendin, kulturën tonë dhe qytetin e Ulqinit.
”Me këtë prezantim të shkurtër të veprës monumentale të piktorit Agron Ujkashi, është e rëndësishme piktura e cila është e pranishme në të gjitha evenimentet e rëndësishme, nëpër shtëpitë dhe familjet tona, sepse vizaton dhe pikturon çdo herë njerëzit dhe realitetin. Përveç kësaj, ai me pikturat e tij shpreh edhe mesazhin dhe kulturën e asaj që quhet trashëgimi kulturore” u shpreh Kovaçi.
Ai më tutje theksoi se, pjesë tjetër e rëndësishme e krijimtarisë së piktorit Agron Ujkashi është skulptura.
“Pas 2300 vjetësh, me dorën e tij ka kthyer mbretërit e lavdishëm të Ilirisë, Agronin, Teutën, Glaukun, në aktivitetet tona. Pjesë shumë e rëndësishme janë edhe skenografitë që i bën në të gjitha aktivitetet kulturore në atë rrafsh ku jetojmë të gjithë, nga Ulqini, Tivari, Plavë-Gucia. Përveç kësaj është e rëndësishme edhe grafika të cilën e punon në formë stripi dhe ka kthyer legjendat tona të lashta për fëmijë dhe kjo është punë intelektuale, sepse duhet të jemi prezent edhe tek fëmijët. Gjithashtu, është i rëndësishëm edhe dizajni, sepse është i pranishëm në të gjitha lokalet e Ulqinit dhe me gjerë, ku rrimë dhe pimë kafe, pikturat e tij, grafikat dhe dizajnët e tij janë prezent edhe në plazhet e Ulqinit” tha në mes tjerash kuratori i ekspozitës, Gazmend Kovaçi.
Në të njëjtën kohë, autori i ekspozitën “Rrënjët”, piktori Agron Ujkashi tha se për të filluar rrugëtimin e tij drejt krijimtarisë artistike, ai që në moshën e tij të fëmijërisë është impresionuar nga pikturat e piktorit të madh nga Malësia, Gjelosh Gjokaj.
“Si fëmijë mua më janë duk interesante ngjyrat e tij dhe mënyra e tij se si ka punuar. Kam pasur rastin ta shoh një ekspozitë të Gjelosh Gjokaj që ka pasur në plazhin e vogël dhe duke shikuar pikturat e tij, kisha një ndjesi sikur teksa i shikoja ato, nuk më bëhej të largohem nga aty, por kisha dëshirë që t’i shikoja sërish” u shpreh Ujkashi.
Ai për publikun e pranishëm e punoi në çast (për vetëm pak minuta) portretin e piktorit të madh, Gjelosh Gjokaj, dhe aq mjeshtërisht dhe origjinal, saqë u duk sikur Gjeloshin e kishim të gjallë fizikisht në mesin tonë në këtë ekspozitë.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, duke e shpallur të hapur ekspozitën në fjalë, tha se ekspozita “Rrënjët” me një titull shumë domethënës, e shpërfaq dhe e tregon më së miri piktorin, Agron Ujkashi.
“Agroni i din rrënjët e tij. E din se nga vjen. Por ajo që është më e rëndësishme, e din se edhe nga do të shkojë. Agroni përpos që e ka talentin e lindur, ai e ka edhe të trashëguar. Nëna e Agronit për ata që e kanë njohur, Nafja, ka qenë një artiste popullore e cila ka shkruar tekste dhe ka bërë edhe disa punë të tjera me vlerë, prandaj dua të them që Agroni e ka talentin të trashëguar” u shpreh Kallaba.
Për të, e rëndësishme është se Agroni po e trashëgon këtë punë të tij edhe tek brezat e ardhshëm.
“Pra vajza e tij është studente e arit dhe mediave digjitale. Gjithashtu edhe djali i tij, Arti, është një talent dhe premton që në të ardhmen do të bëhet artist ashtu si dhe babai i tij” u shpreh Kallaba.
Z. Kallaba më tutje është shprehur se fatkeqësisht, Agroni si dhe disa artistë të tjerë me vlera, nuk janë shumë të vlerësuar nga shoqëria dhe komuniteti.
“Unë e di që edhe këtu në Malësi ka artistë të cilët ndoshta ne nuk i vlerësojmë. Dhe ajo çfarë është më e keqja, ndoshta nganjëherë është vet rrethi i piktorëve, i artistëve që nuk i përfshinë në ato aktivitetet e veta, dhe kjo është edhe një nga arsyet e nismës për të organizuar këtë ekspozitë këtu në QKI “Malësia”, u shpreh Kallaba.
Ai ka falënderuar të gjithë të pranishmit, QKI-në “Malësia” dhe institucionet e tjera në Malësi për bashkëpunimin e mirë që kanë nga viti në vit.
Ekspozita “Rrënjët” ka qëndruar e hapur çdo ditë deri më 10 maj, nga e hëna në të premte, nga ora 9 deri në orën 15.
Kjo është hera e parë që piktori Agron Ujkashi paraqiten me krijimtarinë e tij artistike në Malësi, ndërsa është ekspozita e tij e katërt personale.
Agron Ujkashi lindi në vitin 1971, në Tivar. Shkollën e mesme të artit e mbaroi në Pejë në degën Grafik Dizajn. Ujkashi është një artist i lindur shumëdimensional dhe vjen për herë të parë për të ekspozuar punimet e tij në Malësi. Në karrierën e tij artistike ka pasur disa ekspozita personale dhe kolektive.
Ujkashi është autor i më shumë se 100 muraleve në Ulqin dhe disa qytete tjera të Malit të Zi. Ndër muralet më të njohura është ai i Valdanosit, me dimensionet 20 me 9m.
Gjithashtu, Ujkashi mban rripin e zi, mjeshtër i karatesë, dhe ka qenë përfaqësues i reprezentacionit të Malit të Zi. Po ashtu ka punuar skenografi dhe enterierë të ndryshëm. Është fitues i disa konkurseve për logo, maskota etj..
t. u.