Çapriqi, një libër origjinal

“E kujtojmë sot poetin që i këndoi lirisë së Kosovës dhe njeriun që ishte rreshtuar në rezistencën rugoviane kundër së keqes, poetin që i këndoi njeriut tradicional që po hynte në modernitet, pikërisht përmes vetënjohjes në jo dhunë dhe luftës për liri”, ka theksuar Sibel Halimi, drejtoreshë për Kulturë e Komunës së Prishtinës

Prishtinë – Pas Ulqinit dhe Tuzit, filmi dokumentar “Në teh të erës” kushtuar poetit, studiuesit të letërsisë dhe profesorit universitar Basri Çapriqi është shfaqur edhe në Prishtinë (më 23 prill 2024), me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit.
Në promovimin e organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë, Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Kino Armata kanë marrë pjesë një numër i madh i miqve e bashkëpunëtorëve të poetit, krijuesve, studentëve, adhuruesve të veprës së tij dhe të kulturës.
Në fjalën e saj në emër të organizatorit, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi ka thënë se jo rastësisht e kanë përzgjedhur poetin Basri Çapriqi për ta shënuar Ditën Botërore të Librit, pasi sipas saj Çapriqi, ky modern i cili na ka ikur aq herët, aq i talentuar, i solli poezisë frymë të fuqishme letërsisë shqipe me motive, figura, gjuhë eksplicite letrare dhe ndikim.
“Sot është dita për të nderuar poetin si Basriu, që guxuan të shkruanin atë që ndjenin dhe kur fjala shqipe ndiqej e ndrydhej dhe me guximin e tyre ndryshuan jetën e shumë njerëzve dhe brezave”, është shprehur ajo.
Halimi ka thënë se Çapriqi – profesori i letërsisë shqipe, studiuesi, publicisti dhe njeriu shembullor na la trashëgimi të pasur letrare, prandaj do të kujtohet ai dhe brezi i tij që e filloi poezinë në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, prej të cilëve mësuan jo vetëm të rinjtë që erdhën pas tyre, por edhe autorë të shquar të poezisë së sotme.
“Se Basriu ishte këtu dhe mbolli dashurinë në vargje, e dëshmojmë ne, lexuesit e tij. Kjo i jep jetë dhe identitet ekzistencës sonë si etnikum. E kujtojmë sot poetin që i këndoi lirisë së Kosovës dhe njeriun që ishte rreshtuar në rezistencën rugoviane kundër së keqes, poetin që i këndoi njeriut tradicional që po hynte në modernitet, pikërisht përmes vetënjohjes në jo dhunë dhe luftës për liri”, ka theksuar ajo.
Duke bërë një paralelizëm ndërmjet shkrimtarit të njohur spanjoll, Miguel de Servantes dhe poetit Basri Çapriqi, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë, Bernard Çobaj ka thënë se “i njëjti inspirim i kultivuar nga përvoja jetësore, artistikisht e gjen artikulimin e vet në vargjet e Basriut, ku deti, ulliri dhe Kalaja bëhen elemente të pashmangshme në krijimin e poetikës së tij”.
Ai ka cituar Shekspirin, i cili ka thënë se “qëllimi i artit është t’i japë jetës formë”.
“Basriu e ka shkrirë jetën e vet në art duke i dhënë formë artistike”, ka thënë ndër të tjera Çobaj.
Për autorin e dokumentarit “Në teh të erës”, Dr. Haxhi Shabani, shfaqja e këtij filmi dokumentar në Ditën Botërore të Librit është një përkim shumë i mirë, “sepse kush e ka njohur Basriun dhe kush do ta njohë, edhe në aspektin profesional, letrar, edhe si njeri, është një libër origjinal që ka ditur t’u flasë jo vetëm shqiptarëve, por edhe nivelit dhe komunikimit botëror”.
Në vijim ai ka folur për pesë idetë bazë mbi të cilat është ndërtuar portreti i Çapriqit në dokumentar.
“Basri Çapriqi ishte poeti që ngriti letërsinë shqipe, sidomos poezinë, në aspektin estetik, posaçërisht figurativ, duke shkuar kundër rrjedhës së saj të deritashme për t’u bërë i dukshëm në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur ishin në kulmin e lavdisë së tyre poetët në Kosovë – Podrimja, Shkreli e Dedaj, në Shqipëri – Kadare, Agolli, Arapi, duke e ngritur poezinë shqipe në nivel të poezisë që mund të matet me vlerat e poezisë evropiane”, ka thënë Shabani.
Sipas tij, “Basri Çapriqi ishte studiuesi i thellë i poezisë, i cili mori në shqyrtim mikrostrukturat e tekstit letrar, sidomos atij poetik të poezisë shqipe, duke përdorur metoda letrare moderne të letërsisë evropiane dhe duke arritur përfundime të ftohta e shkencore, duke krijuar premisat e një modeli se si studiohet letërsia”.
Shkrimtari, sociologu dhe profesori universitar Ibrahim Berisha ka folur mbi rëndësinë dhe simbolikën e Ditës Botërore të Librit.
“Dita Botërore e Librit na bën të mendojmë më shumë për librin, vlerësojmë krijuesit e veprat e tyre, librin, bibliotekën dhe të drejtën e autorit, censurën dhe propagandën, pastaj librin dhe pozitën e shkrimtarit, librin dhe lirinë e shprehjes, librin dhe teknologjinë, librin elektronik, inteligjencën artificiale. Njeriu, pra, nuk shkon te libri më, por libri vjen te njeriu. Sot në xhep mund të mbajmë një bibliotekë me mijëra libra”, ka thënë ai.
Berisha më pas është ndalur te kontributi profesional i Basri Çapriqit, në studimet letrare dhe në letërsi.
Poetja Erina Rrahmani, e cila e ka udhëhequr programin, e ka filluar mbrëmjen me recitimin e vargjeve të Çapriqit nga përmbledhja me poezi “Ma qet gjuhën”.
Më pas, për publikun e pranishëm në Kino Armata është shfaqur dokumentari “Në teh të erës”, i cili nëpërmjet rrëfimeve dhe bisedave me bashkëpunëtorët e miqtë e tij më të ngushtë, shkrimtarë, studiues të letërsisë, pedagogë të Universitetit të Prishtinës, botues etj. trajton ndihmesën e Basri Çapriqit në shumë fusha të dijes. Dokumentari pasqyron figurën e plotë të Çapriqit si poet, studiues i letërsisë, profesor universitar, publicist, themelues dhe drejtues i shoqatave letrare, por edhe aspektin e tij njerëzor. Vargje nga krijimtaria e Basri Çapriqit në dokumentar reciton aktori Simon Shkreli.
Filmi dokumentar “Në teh të erës” është prodhim i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është realizuar me mbështetjen e diasporës sonë në SHBA, përmes Fondit Humanitar “Trojet Tona” – Nju Jork.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat