Shpalosje e bukurive dhe pasurive të shumta të Lumit Cem

Shoqata e Ekologëve të Malit të Zi ka realizuar një film dokumentar me metrazh të shkurtër, mbi pasuritë dhe potencialet e shumta të lumit Cem, të titulluar “Cemi, jeta në gurë”.
Ky film dokumentar fillon me një fushëpamje të gjerë e mahnitëse, ku kuadrot e xhiruar me kamerat me dron, paraqesin qartë kanionin e Lumit Cem, ku përshkruhen të gjitha vlerat biologjike, gjeologjike, kulturore dhe vlera të tjera natyrore të këtij lumi.
Nga kjo shoqatë, kanionin e lumit Cem e përshkruajnë si njërin ndër më të veçantit në rajon, i njohur si zonë e rëndësishme për zogj dhe bimë.
Vëmendje të veçantë ky film dokumentar i kushton rrezikut që i kanoset këtij lumi çdo ditë, pavarësisht se ai, në vitin 2017 u shpall “Monument Natyror”.
Megjithatë, tregon dokumentari, menaxhimi i zonës së mbrojtur nuk është krijuar zyrtarisht. “Prandaj, vlerat natyrore janë të ekspozuara ndaj presioneve të shumta”.
Në lidhje me këtë dukuri ata shpalosën ndërtimet ilegale, zjarret, eksplantimin e rërës, gjuetinë dhe peshkimin ilegal, ndotjen nga ujërat e zeza dhe nga mbetjet e ngurta.
Përmes këtij dokumentari që mban autorësinë e Shoqatës së Ekologëve të Malit të Zi, njoftojnë se në vendosjen e menaxhimit cilësor të zonës së mbrojtur është dukur punuar me të madhe, Komuna e Tuzit.
“Komuna e Tuzit, në territorit e së cilës ndodhet kanioni i Cemit është duke përgatitur planin e menaxhimit, derisa mbështetje u kanë ofruar shoqata Eco-Team dhe Shoqata e Ekologëve të Malit të Zi, duke hartuar analizën socio-ekonomike për “Monumentin e Natyrës”.
Dokumentari, ndër të tjera, një vëmendje të veçantë i kushton edhe sporteve të ndryshme si çiklizmi, lundrimi me kajak, etj., për të cilat, një destinacion i preferuar është zona e kanionit të Lumit Cem dhe që do ishte një mundësi e rëndësishme e zhvillimit të kësaj zone.
Nga Shoqata e Ekologëve të Malit të Zi janë shprehur se kanioni i lumit Cem është njëri ndër perlat më të mëdha të trashëgimisë natyrore të Evropës, në të cilin e kanë gjetur jetën shumë lloje bimore dhe shtazore, nga të cilat, shumë janë të karakterit relikt dhe endemik.
Përmes këtij filmi dokumentar u treguan vlerat e kanionit të lumit Cemit, ku përveç atyre biologjike, gjeologjike, kulturore dhe vlerave të tjera, u theksua potenciali i shfrytëzimit të qëndrueshëm të shërbimeve të ekosistemit të lumit Cem, të cilat sipas tyre, mund të kenë efekte të shumta pozitive për bashkësitë vendore.
Filmi dokumentar “Cemi, jeta në gurë” është realizuar në kuadër të projektit, “Drejtë ruajtjes se biodiversitetit dhe fuqizimit të menaxhimit të zonës së mbrojtur të lumit Cem”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat