Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar të premten (29 mars 2024) në Prishtinë marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III, për vitet 2021-2027.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se përmes kësaj marrëveshjeje dy vendet do të përfitojnë përkrahje nga BE-ja për bashkëpunim ndërkufitar në shumën prej 8.4 milionë euro.
“Qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimi social, ekonomik dhe territorial i zonës ndërkufitare, diçka që ne si Qeveri i promovojmë në vazhdimësi kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me vendet fqinje”, ka thënë ai.
Bislimi ka shtuar se në arritjen e këtyre objektivave fokusi dhe prioritetet tematike të përzgjedhura do të jenë në punësimin, lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, përfshirjen sociale dhe kulturore, turizmin dhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore, si dhe promovimin e qeverisjes lokale dhe rajonale.
Marrëveshja e bashkëpunimit është firmosur në konferencën përfundimtare në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II Mali i Zi – Kosovë, për vitet 2014-2020.
Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka theksuar se bashkëpunimi në kuadër të këtij programi ka treguar se sfidat e përbashkëta dhe zgjidhja e tyre nuk njohin kufij.
“Në kuadër të Programit IPA II, i cili ka përfshirë periudhën 2014-2020, janë mbështetur 24 projekte me vlerë të përgjithshme mbi 9 milionë euro në fushat e punësimit, inkluzionit social, mbrojtjes së mjedisit jetësor, përshtatjes me ndryshimet klimatike, menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, si dhe zhvillimin e turizmit përmes valorizimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore”, ka theksuar ajo, duke shtuar se është e bindur se bashkëpunimi i suksesshëm do të jetë edhe më intensiv në periudhën e ardhshme dhe se Mali i Zi dhe Kosova përmes projekteve të ardhshme të përbashkëta do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe më shumë mjete financiare nga fondet evropiane.
Gorçeviq dhe Bislimi kanë ritheksuar se kjo marrëveshje i kontribuon bashkëpunimit të mirë ndërmjet dy vendeve dhe forcon edhe vlerat e përbashkëta të cilat i ndajnë në kuadër të rrugës drejt Bashkimit Evropian, por edhe efektit në rritjen e konvergjencës në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Në konferencë është paralajmëruar se thirrja e parë në kuadër të programit të ri IPA pritet të hapet gjatë këtij viti.
(Kohapress)