
Personaliteti i njeriut njësohet me veprën e tij. Ashtu edhe personaliteti i kolegut, bashkëpunëtorit dhe mikut tim të çmuar, prof. dr. Palokë Berisha, i cili na la dhe shkoi në amshim më 17 mars 2024. Vërtetë, ai na la fizikisht, por puna dhe vepra e tij janë me ne dhe me gjeneratat që do vijnë. Përveç kontributit të tij në arsim, si mësues, edukator, profesor i shkollës së mesme dhe profesor universiteti, prof. Palokë Berisha dha kontribut unik në kërkimet shkencore, sidomos në fushën e historisë së arsimit të shqiptarëve në Mal të Zi. Në vitin 1975 ai publikoi dy artikujt e parë: “Gjon Gjekë Lucaj, bashkëpunëtor i Rilindjes Kombëtare dhe mësues i dalluar” dhe “Jonuz Dvanoviqi, krijues i shkollës shembullore në Vlladimir”. Për interesimin e tij kërkimor-shkencor dëshmojnë edhe tezat e tij të magjistraturës dhe të doktoratës nga kjo fushë, si dhe botimet e veçanta: “100 vjet dritë-Shkolla fillore në Hot” (1993), “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi prej vitit 1878 deri në vitin 1988” (1997), “Shkollat dhe arsimi në Malësi të Madhe të aneksuar nga Mali i Zi” (2000), “Shkolla e Mesme në Tuz, 1971-2001” (2001), “Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në territorin e Komunës së Plavës dhe Rozhajës, deri në vitin 2001” (2003), “Gjoni dhe Agroni në shërbim të arsimit dhe të shkencës” (2003), “Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në territorin e sotëm të Ulqinit dhe Tivarit, deri në vitin 2001” (2003). Veprimtaria e tij kërkimore në këtë fushë, kulmoi me tre vepra shteruese voluminoze: “Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi, 1916-1966” (2006), “Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi, 1916-1971” (2007) dhe “Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi. Pjesa e tretë” (2013), ku, siç shkruan autori “janë përfshirë mësimdhënësit (mësues, arsimtarë, profesorë, magjistra e doktorë shkence), të cilët dhanë mësim në gjuhën shqipe në trojet autoktone shqiptare të administruara nga Mali i Zi”. Këta qindra mësues nga trevat shqiptare në Mal të Zi dhe jashtë tij, që punuan në shkollat shqipe në territorin e kësaj republike, autori i cilësoi METEORË ndriçues. Siç konfirmon ai, ideja për të shkruar një libër gjithëpërfshirës për mësuesit shqiptarë në Mal të Zi i lindi në vitin 1959, “respektivisht me lindjen e idesë për të shkruar biografinë e mësuesit tim të nderuar dhe shumë të merituar të Beqir Bajrami Gllvataj dhe duke njohur biografinë e Gjon Gjekë Lucaj…”
Veprat shkencore të prof. dr. Palokë Berishës janë rezultat i një pune shumëvjeçare këmbëngulëse të tij. Ato janë vepra serioze, depo informacioni, të mbështetura në burime të dorës së parë dhe të shkruara me përkushtim, akribi dhe me rigorozitet shkencor, të përshkuara nga iluminizmi dhe atdhedashuria. Nga përmbajtja dhe përkushtimi, ato në tërësinë e tyre, përbëjnë një përmendore dinjitoze të arsimit shqip në Mal të Zi, sidomos për “meteorët” e tij. Botimet e prof. dr. Palokë Berishës janë burime të rëndësishme dhe mësimdhënëse edhe për ata që dëshirojnë të shkruajnë për historinë e shkollës dhe arsimit në ndonjë trevë të caktuar.
Ky shkrim i shkurtër përkujtimor le të jetë një homazh nderimi për veprën e çmuar dhe personalitetin me integritet të pedagogut tonë, prof. dr. Palokë Berisha.