Studim me peshë dhe vlerë i trajtimit, ndriçimit dhe reflektimit të çështjes së identiteti kombëtar shqiptar

Shaban Hasangjekaj

Studiuesja shumëdimensionale dhe veprimtarja e denjë dhe e paepur e trajtimit dhe shtjellimit të çështjes së rrjedhave të zanafillës dhe identitetit të kombit shqiptar Prof. As. Dr. Elena Kocaqi, e cila ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës në tri degë: Histori, me Medalje të artë, Juridik dhe është Avokate pranë Dhomës së Avokatisë në Tiranë dhe Shkenca Politike, ka mbrojtur Doktoratën për Histori të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në OSA, mban titullin Profesoreshë e Asocuar, është pedagoge me kohë të plotë mbi dhjetë vjet, pranë Administrimit Publik, në Universitetin e Durrësit dhe është autore e disa librave dha artikujve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, studimin e vet të përmbledhur në libër me titull “Pellazgët, Origjina e Shqiptarëve” i publikuar nga Shtëpia e botimeve “DODONA PRESS”, i financuar nga vetë autorja, i shtypur në Shtypshkronjën e Botimeve “EMAL” në Tiranë në vitin 2021, e fillon: “Ky studim synon të trajtojë shtrirjen territoriale të popullsive pellazgo-ilire, si dhe vazhdimësinë e tyre historike deri te shqiptarët dhe në vazhdim shton se “Disa nga pyetjet kryesore që do të marrin përgjigje në këtë punim janë: Cilët ishin pellazgët? Ku shtriheshin ata? Cila është lidhja midis pellazgëve dhe ilirëve? Po lidhja midis pellazgëve dhe Epirit? Çfarë rëndësie ka Dodona në Epir? Cila është gjeneza e shqiptarëve të sotëm dhe lidhja e tyre me pellazgët dhe ilirët? Nga e kanë origjinën grekët antikë dhe lidhja e tyre me shqiptarët? Çfarë ndodhi me grekët antikë në Mesjetë? A u zhdukën ata nga sllavët? A është gjuha shqipe një gjuhë pellazge dhe ilire? A e vërteton gjuha e Homerit lidhjen e shqipes me pellazgishten? dhe Cili është raporti i shqipes me gjuhët e tjera antike në Ilirik?”
Autorja Kocaqi më pas konfirmon se për t’u përgjigjur rreth këtyre pyetjeve dhe për të vërtetuar tezat, janë parë autorët antikë dhe bizantinë, të cilët kanë shkruar për këto tematika, dhe që janë burime primare historike. Janë parë gjithashtu burimet mitike antike, pasi miti dhe historia janë të ndërvarura. Ato fertilizojnë njëra-tjetrën dhe është e dyshimtë se, ato mund të ekzistojnë pa njëra-tjetrën, sepse miti dhe historia, janë histori të një ngjarjeje konkrete, që ka ndodhur në një vend të caktuar, dhe kanë përfshirë njerëz të caktuar. Ndërsa nga autorët modernë dhe bashkëkohorë, janë zgjedhur ata më të spikaturit që kanë trajtuar në mënyrë direkte, ose indirekte këtë temë. Në lidhje me aspektet gjuhësore, janë parë fjalorët etikologjikë më të mirë, për gjuhën e Homerit. Ndërsa për të dhënat antropologjike, janë parë studimet e drejtpërdrejta që lidhin shqiptarët me pellazgët dhe ilirët, si dhe ilirët me helenët antikë.
Në vazhdimin e tekstit të studimit të vet, autorja Kocaqi thekson se metoda e punës është përqendruar në renditje kronologjike, hapësinore dhe tematike të fakteve. Për të vërtetuar, ose hedhur poshtë teza dhe hipoteza të caktuara është përdorur metoda sintetike dhe analitike. Autorja Kocaqi shton se analiza përqendrohet te zbërthimi i disa tezave të njohura, në bazë të fakteve që kemi, të cilat janë detajuar, për t’i bërë më të qarta. Ndërsa sinteza fokusohet në mbledhjen e të gjithë informacionit historik, për të vërtetuar ose hedhur poshtë teza të caktuara. Autorja Elena Kocaqi, studimin e vet “Pellazgët, Origjina e Shqiptarëve”, e ka ndarë në gjashtë pjesë (krerë), të cilat i ka zbërthyer, ndarë dhe sistemuar në ca trajtesa shtjelluese.
Në pjesën e parë – Kreu I. Origjina pellazge e shqiptarëve e zbërthyer në shtatë trajtesa shtjelluese, trajtohet origjina pellazge e shqiptarëve në Epir, si dhe rëndësia historike dhe fetare e Dodonës, si tempulli më i vjetër: i njohur nga burimet antike.
Në pjesën e dytë – Kreu II. Shqiptarët si pasardhës të ilirëve i ka zbërthyer në 12 trajtesa shtjelluese, është trajtuar lidhja etnike midis pellazgëve dhe ilirëve, si dhe origjina ilire e shqiptarëve, që vërtetohet nga të dhënat e autorëve bizantinë. Po në këtë pjesë janë trajtuar edhe emrat historikë të shqiptarëve si: albanë, maqedonë, epirotë dhe shqiptarë.
Në pjesën e tretë – Kreu III. Shtrirja territoriale e fiseve pellazge dhe ilire, e zbërthyer në 19 trajtesa shtjelluese, është trajtuar shtrirja e pellazgëve dhe e ilirëve, në rajonet e tyre historike, sipas burimeve antike. Kjo ka rëndësi për të kuptuar origjinën e shqiptarëve sot, meqë ka shumë teza për prejardhjen e tyre si nga pellazgët, ilirët, traktët etj..
Në pjesën e katërt të studimit – Kreu IV. Lidhja e shqiptarëve me helenët antik, e zbërthyer në 15 trajtesa shtjelluese, autorja Kocaqi ka përshkruar lidhjet midis shqiptarëve dhe helenëve antikë, pasi të dy popujt rrjedhin nga të njëjtat fise pellazge dhe ilire. Jo vetëm kjo, por disa nga fiset helene antike, janë me origjinë nga territoret historike të shqiptarëve, kështu është e rëndësishme për t’i trajtuar ato. Duke qenë se për helenët antikë kemi të dhëna të shumta historike, kjo gjë na ndihmon, shprehet autorja Kocaqi, për të parë origjinën dhe antikitetin e kulturës shqiptare, nga ku rezulton se shqiptarët ende ruajnë edhe sot zakonet e shoqërisë homerike dhe parahomerike.
Në pjesën e pestë – Kreu V. A u zhdukën helenët antik nga sllavët në mesjetë?, e zbërthyer në tetë trajtesa shtjelluese, është trajtuar fati i helenëve antikë në Mesjetë. Burimet historike bizantine tregojnë për një zhdukje të pjesës më të madhe të tyre nga sllavët. Vetëm pak rajone mbetën në Spartën antike, ku dallon Mani i Peloponezit, që ka qenë një zonë e banuar nga shqiptarët, sipas të gjitha burimeve historike. Kjo gjuhë tregon se ata ruajnë origjinën e tyre të vjetër iliro-spartane në të gjithë dimensionin e saj, shkruan autorja në studimin e vet dhe dëshmon se shqiptarët e sotëm, janë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të fiseve helene antike dhe,
Në pjesën e gjashtë – Kreu VI. Gjuha shqipe dhe lidhja e saj me pellazgishten homerike, e zbërthyer në nëntë trajtesa shtjelluese, autorja Kocaqi, ka përshkruar pamjen e lidhjes së gjuhës-shqipe me gjuhën pellazge dhe ilire. Për të parë gjuhën e pellazgëve, duhej të shikonim një burim të sigurt historik-gjuhësor, thekson autorja Kocaqi dhe shton se ky burim i shkruar, i sigurt, është gjuha e Homerit, si një gjuhë artificiale, por mbi rrënjët e gjuhës pellazge që gjendet edhe sot në shqip. Ndërsa me të dhënat nga dakishtja dhe trakishtja vërtetohet se kjo gjuhë, ka qenë përdorur edhe nga fiset që janë të afërta me ilirët, pasi shihet se popujt antikë ishin me emërtime të ndryshme, por në thelb ishin nga e njëjta bazë etnike si në Ilirik, Azi të Vogël dhe Italik. Autorja e studimit, Elena Kocaqi pohon se dallimi midis gjuhës pellazge dhe asaj ilire, është si dallimet dialektor sot, midis toskëve pellazgë dhe gegëve ilirë. Kjo ndarje dialektore, shprehet autorja, është një provë e fortë dhe e pakontestueshme e autoktonisë absolute të shqiptarëve, pasi ajo ekzistonte që nga koha e Homerit dhe që rezulton se, vendosja e fiseve shqiptare në këto pozicione territoriale, është mbi tre mijë vjeçare.
Autorja e mirënjohur dhe shumëdimensionale shqiptare e studimit “Pellazgët, Origjina e Shqiptarëve”, në mënyrë koncize dhe konstruktive, me fakte dhe të dhëna të bollshme, konfirmon se historia e pellazgëve dhe pasardhësit e tyre, janë çështje të rëndësisë së dorës së parë, për historinë antike botërore në përgjithësi, dhe për historinë e shqiptarëve të lidhur me ta, në veçanti. Pellazgët nuk janë trajtuar ashtu siç duhet nga historiografia shqiptare, edhe pse ka një lidhje direkte territoriale midis trojeve të banuara me shqiptarët sot. Kjo është një çështje historike e gjerë dhe shumëdimensionale dhe ka ende tematika të tjera që duhen trajtuar, thekson autorja Kocaqi dhe shton se në këtë studim është synuar vetëm aspekti i origjinës pellazge dhe ilire të shqiptarëve. Autorja Prof. As. Dr. Elena Kocaqi, në tekstin e studimit të vet, konfirmon se një studim historik kërkon me mijëra orë punë dhe një privim të madh nga jeta e përditshme, por të rejat që ndan me publikun, si dhe dobishmëria e tij për shoqërinë, të bëjnë që t’i harrosh të gjitha vuajtjet që heq, për ta shkruar dhe botuar atë.
Të studiosh historinë, është një mision për të zbuluar të vërtetën, që kërkon shumë pasion për ta hetuar, si dhe ftohtësi e drejtësi për ta shkruar. Autorja Kocaqi, shpreson që me këtë studim padyshim ka vendosur një gur në murin e historisë së shqiptarëve.
Në faqet e fundit të vëllimit studimor “Pellazgët, Origjina e Shqiptarëve” në mënyrë koncize e kronologjike janë parashtruar edhe: Konkluzionet, në të cilat autorja e studimit Prof. As. Dr. Elena Kocaqi, thotë se ky studim trajton origjinën e shqiptarëve nga pellazgët në Epir, ku ishte edhe qendra më e madhe shpirtërore dhe më e vjetër e tyre Dodona, me bazë malin e Tomorrit. Ky tempull, shprehet ajo, mendohet se ekzistonte edhe para përmbytjes së madhe, pra një tempull mbi katërmijë vjeçar, nga më të vjetrit në botë. Aty ishte jo vetëm shtëpia e Zotit, por edhe qyteti i Zotit. Në vazhdim të konkluzioneve, autorja thekson se sipas Platonit, por edhe burimeve të tjera, Dodona ishte themeluar nga Dheukalioni, pas përmbytjes dhe presupozohet që arka e tij mbeti aty, ku edhe ai kreu ritet e flijimit për Zotin që e shpëtoi. Në fund të Konkluzioneve, autorja e studimit “Pellazgët, Origjina e Shqiptarëve” shpreson që me këtë studim, të jetë vënë një gur në murin e madh të antikitetit pellazgo-iliro-shqiptar, si dhe të jetë sqaruar etnogjeneza e shqiptarëve.
Autorja e studimit, në faqet e fundit ka parashtruar edhe Bibliografinë e begatë, të cilën e ka shfrytëzuar për hartimin dhe koncipimin e studimit vërtetë me peshë dhe vlerë të madhe. Në këtë drejtim, përmendim se ajo ka shfrytëzuar literaturën shumëpërfshirëse të autorëve antikë, bizantinë dhe mesjetarë dhe bashkëkohorë e modern.
Në faqet e fundit të studimit ka parashtruar në mënyrë koncize dhe kronologjike Përmbajtjen e lëndës, të cilën e ka trajtuar dhe shtjelluar në mënyrë dinjitoze në studimin e vet.

Të fundit

më të lexuarat