Tuz – Në përkujtim dhe nderim të kolosëve të shkollës së parë laike shqipe dhe për nder dhe vlerësim ndaj veprimtarisë së mësimdhënësve në tërësi, Qendra Kulturore-Informative “Malësia” organizoi me rastin e 7 marsit- Ditës Kombëtare të Mësuesit, garën në recitim për të gjitha shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Me moton “Poezia na bashkon”, kësaj gare iu bashkëngjitën nxënësit e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë, të shkollave fillore “Bashkimi”- Skorraq, “Bedri Elezaga”- Ulqin, “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu”- Ostros, “Mahmut Lekiq”- Tuz, “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu”- Triesh, “Xhafer Nikoçeviq”- Guci, “Marshall Tito”- Ulqin, dhe “29 Nëntori”- Dinoshë.
Nga QKI “Malësia” në Tuz, fillimisht u shpalos një historik i shkurtër kushtuar Mësonjëtores së parë të vitit 1887 në Korçë, duke thënë se me rastin e Ditës Kombëtare të Mësuesit, të gjithë së bashku kujtojnë mësuesit e parë që u mësuan shkronjat shqipe dhe se si ta duan dhe respektojnë atdheun.
“Na mësuan poezitë e bukura të autorëve tonë të mrekullueshëm që çdo fjalë dhe varg i saj, të mbetet dhe të ngulitet thellë në mendjet tona. Mësimet e mësuesve tonë, u bënë udhërrëfyes për rrugët tona në të ardhmen. Prandaj, me rastin e Ditës së Mësuesit, QKI “Malësia”, edhe sivjet, për herë të tretë, organizon garën në recitim”, u tha nga ky institucion.
Ndërkohë, mbi Ditën Kombëtare të Mësuesit, për Mësonjëtoren dhe mësuesit e parë të shkollës laike shqipe, foli Idriz Gjokaj, udhëheqës i sektorit të programit në QKI “Malësia”.
Ai ndër të tjera u shpreh se Qendra Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, përmes garës: “Poezia na bashkon”, jep një kontribut modest për dashurinë ndaj letërsisë dhe fjalës artistike.
“Të dashur nxënës, sot me recitimet tuaja po i përkujtoni, po i vlerësoni dhe po ju bëni dhuratën më të bukur mësuesve tuaj dhe pishtarëve të arsimit dhe shkollës shqipe”, u shpreh Gjokaj.
Ndërkaq, mbi rëndësinë e shënimit të kësaj date kombëtare, mbi kontributin që kanë dhënë dhe japin ndër vite mësimdhënësit dhe njerëzit që përhapin dituri nga brezi në brez, foli profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Sidorela Berishaj.
Ajo në mes tjerash ka thënë se puna fisnike e mësimdhënësve, është një punë që duhet vlerësuar dhe duhet t’i jepet një rëndësi e veçantë, duke shtuar se mësimdhënësit e kanë detyrë kryesore që të kujdesen dhe të punojnë fuqishëm me nxënësit.
Pas recitimit të poezive të shumta të shkrimtarëve dhe poetëve të njohur shqiptarë, nxënësit në fund të kësaj gare u vlerësuan dhe shpërblyen nga juria përkatëse, e përbërë nga Idriz Gjokaj, Iden Temali, Uarda Albunesa Gjekaj dhe Sidorela Berishaj,
Nga Cikli i parë, me Vendin e Tretë u vlerësua, nxënësja Andrea Lekoçaj nga SHF “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu”- Triesh, Vendi i Dytë në këtë garë i takoi, Amelia Licit nga SHF “Mahmut Lekiq” – Tuz, dhe me Vendin e Parë u shpërblye nxënësja, Brejdina Rexha nga SHF “Bedri Elezaga”- Katërkollë.
Nga cikli i dytë, me Vendin e Tretë u vlerësua nxënësja, Ajllin Kolari nga SHF “Marshall Tito” – Ulqin. Vendi i Dytë i takoi nxënëses, Bora Kurti nga SHF “Bedri Elezaga” Katërkollë. Me Vendin e Parë u shpërblye nxënësja, Sara Gjokaj nga SHF “ 29 Nëntori” – Dinoshë.
Nga Cikli i tretë, Vendi i Tretë i takoi nxënësit, Isar Kaca nga SHF “Marshall Tito” – Ulqin. Me Vendin e Dytë u shpërblye nxënësja, Shpresa Shabaj nga SHF “Mahmut Lekiq” – Tuz dhe Vendi i Parë i takoi nxënëses, Medina Dragoviq nga SHF “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu”- Ostros.
Ndërkaq, në fund të këtij aktiviteti edukativ, kulturor dhe zbavitës, në emër të Institucionit Publik, QKI-së “Malësia”, Idriz Gjokaj, ndau fletë falënderime për të gjitha shkollat fillore pjesëmarrëse në këtë garë.
Gara “Poezia na bashkon”, ka si synim që të bëhet tradicionale dhe ky është viti i tretë që organizohet në Tuz.
t. u.