Një monografi e shkruar me dashuri për vendlindjen

Autori Fadil Sala thekson se Shtodri kishte rëndësi të madhe për Anën e Malit, por Buna u shndërrua në lumë kufitar dhe banorët e kësaj ane e vuajtën ndarjen – vendosjen e kufirit të tanishëm mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Shtodri i takoi Malit të Zi, u bë zonë kufitare e vështirë për të jetuar, sepse në kufi filloi të zbatohej ligji i kufirit

Asllan Bisha

Monografinë “Shtodri në breg të Bunës” autori Fadil Sala ia kushtoi fshatit të tij të lindjes. Është një monografi e jashtëzakonshme, e shkruar me mjeshtëri dhe dashuri për vendlindjen. Ai e përfundoi monografinë në vitin 2013, para daljes në pension. Monografia është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, kurse redaktor i saj është Dr. Nail Draga, recensent Asllan Bisha dhe lektor shkrimtari tashmë i ndjerë Skender Temali nga Shkodra.
Shtodri i moçëm është vendlindja e autorit, i cili gjendet 26 km larg Ulqinit dhe 21 km larg Shkodrës. Si një periudhë vendimtare për fatin dhe të ardhmen e këtij fshati, autori përmend me shqetësim vitin 1846 kur lumi Drin formoi një degë të re, e cila lidh Drinin me Bunën dhe Detin Adriatik. Prej atëherë Drini vazhdon të derdhet në Bunë, kurse një pjesë e tij (dega tjetër) kalon afër Lezhës dhe derdhet në det. Në kohën e shirave të mëdha, Buna përmbyste të dy brigjet e saj: anën e majtë të lumit dhe anën e tij të djathtë, ku gjendej Shtodri i moçëm. Kjo bëri që banorët e këtij fshati të largohen më në brendësi, duke formuar vendbanimin e ri më larg lumit, banorët e të cilit merren kryesisht me bujqësi, blegtori dhe peshkim. Për këtë çështje dhe etimologjinë e emrit të fshatit flet autori në kapitullin e parë (“Shtodri i vjetër”) të librit. Emrin e fshatit Shtodër autori e lidh me San Todrin (Shën Teodorin).
Përmbytja e shkaktuar nga derdhja, gjegjësisht bashkimi i degës së Drinit me lumin Buna, u disiplinua deri diku në periudhën ndërmjet viteve 1960-1990 me ndërtimin e tre hidrocentraleve në lumin Drin. Fshatarët me të drejtë thonë: “Na mbyti Drini”, por jo Buna, sepse këtë lumë e donin shumë pasi që prej tij siguronin jetën, ndërsa Drini që krijoi rrjedhën e re dhe lidhi lumin Drin në Shkodër shkaktoi dëme të mëdha në të dy anët. Po ashtu në popull thuhet se “Drini e mbyti fushën”.
Buna është lumë fushor me gjatësi 44 km dhe lidh liqenin e Shkodrës me Detin Adriatik. Shtodri ndodhet në kilometrin e 26-të nga Deti Adriatik. Shtodri është fshat në Bunë, që jetonte nga bujqësia, por edhe nga peshkimi. Lumi ishte i pasur me peshq të ujit të ëmbël, por edhe të detit. Kishte rreth 30 lloj peshqish. Kjo nxiti edhe mënyra të veçanta të peshkimit, duke përdorur mjete të ndryshme si peshkimi me karrume, rrjetë, vijaç, koca etj.. Kjo u mundësoi banorëve të kësaj ane të jetojnë mirë, të tregtojnë me qytetet e Shkodrës dhe Ulqinit. Por kur të reshurat e shiut janë të mëdha dhe nga shkrirja e borës në Bjeshkët e Nemuna, kjo edhe tani sjell përmbytje, siç ngjau në vitin 2013.
Autori Fadil Sala thekson se Shtodri kishte rëndësi të madhe për Anën e Malit, por Buna u shndërrua në lumë kufitar dhe banorët e kësaj ane e vuajtën ndarjen – vendosjen e kufirit të tanishëm mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Shtodri i takoi Malit të Zi, u bë zonë kufitare e vështirë për të jetuar, sepse në kufi filloi të zbatohej ligji i kufirit. Në monografi flitet po ashtu edhe për kohën e pushtimit italian, për periudhën pas LNÇ-së, por edhe për periudhën pas vitit 1948, kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.
Një kapitull i veçantë i monografisë i kushtohet arsimit. Shtodri gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër përfshihej në shkollën e Sukubinës, por atë e mbaroi vetëm një nxënës, sepse shkolla nuk ishte në gjuhën shqipe. Të gjithë banorët ishin analfabetë. Në vitin 1948 u hap shkolla fillore e Shtodrit, me katër klasë, ku mësimin e ndiqnin 41 nxënës. Godina e re e shkollës u ndërtua në kodrat e Kathiqit, me kontributin e fshatarëve të kësaj ane dhe të Komunës së Ulqinit. Fadil Sala përshkruan gjendjen e tanishme të mjerueshme të shkollës për shkak të rënies së numrit të nxënësve. Në vitin shkollor 2006/2007 në këtë shkollë, ku mësimin përpos fëmijëve të fshatit Shtodër e ndjekin edhe ata të fshatit Lisën, numri i nxënësve ishte 12, kurse në vitin shkollor 2012/2013 vetëm 5.
Shumë banorë të këtij fshati emigruan në ShBA, Gjermani dhe shtete të tjera, kurse një pjesë e tyre u vendosën në Ulqin. Autori shënon se Shtodri në defterët e vitit 1582 kishte 20 shtëpi dhe se popullata ishte shqiptare. Andrija Joviqeviqi thotë se Shtodri numëron 12 shtëpi. Në vitin 1948 Shtodri numëronte 100 banorë, ndërsa në vitin 2011 ky fshat kishte 112 banorë.
Fadil Sala shkroi një monografi të mrekullueshme për Shtrodrin, duke pasuruar njohuritë për këtë fshat dhe krahinën e Anës së Malit. Por Anës së Malit i duhet një monografi ku do të përfshihen të gjitha fshatrat e saj. Do të ishte me rëndësi që pjesë e kësaj monografie të ishte edhe pjesa e Anës së Malit që sot i takon Shqipërisë, sepse ajo është një tërësi e pandarë.

Të fundit

më të lexuarat