Vepër universale e shpalosjes së mbresave udhëpërshkruese autobiografike

Shaban Hasangjekaj

Në muajin shkurt të vitit 2024, doli nga shtypi i libri me titull “Refugjatë dhe Turistë” i autorit Enver Ulaj, gazetar, krijues, studiues, pedagog, përkthyes dhe aktivist i shoqërisë civile në Pejë, por aktiv edhe në Kosovë, i lindur dhe i rritur në Vuthaj të Komunës së Gucisë.
Librin në fjalë, redaktor i të cilit është Arben Rugova, Recensent: Ilir Seci, Lektor: Nexhmedin Beqiraj, Ballina: Berat Thaçi dhe Redaktura teknike: Xhavit Thaçi, e botoi Shtëpia botuese “Libri im”. U shtyp ne Shtypshkronjën “FAB Advertising” në Pejë dhe përbëhet prej 295 faqesh. Publikimi i librit u financua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, në kuadër të Programit për mbështetjen e librit dhe autorëve.
Librin, autori Enver Ulaj, e ka shkruar gjatë pandemisë së COVID-19, si mënyra më e mirë për t’i ikur izolimit dhe realitetit të jetës në kushte karantinimi global. Muajt e parë janë shkruar në Vuthaj (në vendlindje), e pjesa tjetër në Pejë, por ai ka qenë gjithnjë në kokën e autorit si një reflektim mbi karantinimin kolektiv të popullit të tij, që nga shekulli i kaluar u bart edhe në shekullin 21.
Autori Ulaj, duke parë të kalojnë në të njëjtën rrugë refugjatë dhe turistë, u inspirua që librin ta titullojë “Refugjatë dhe Turistë”.
Autori Enver Ulaj, tekstin e librit të vet e ka ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë në mënyrë koncize ka shtjelluar 9 (nëntë) rrëfime vërtetë interesante. Rrëfimin 1: Nostalgji, autori e fillon me thënien “Me sy nga qielli. Jeta jonë po ndryshon…” I. Avioni në qiell, 09 prill 2014, paradite. Qielli përmbi Vuthaj, II. Qielli me avion, pesëmbëdhjetë vjet më herët. Prill 1999, mbrëmje, Vuthaj dhe III. Qielli pa avion. Njëzet e një vjet më vonë. Prill 2020, po në Vuthaj. Mbrëmje. Karantinë. Rrëfimin 2: Ëndrrat dhe udhëtimi, shtjellimin e fillon me aforizmat “Bota është një libër, ata që s’kanë udhëtuar kanë lexuar vetëm një faqe” i Shën Augustinit dhe “Mos më thuaj se sa i arsimuar je, më trego sa ke udhëtuar” i profetit Muhamed. Rrëfimin 3: Disa Evropa, autori po ashtu e trajton përmes aforizmave “Evropa pa mua është si një kuti magjike e përrallave” i Jenifer Lopezit dhe “Për të kuptuar Evropën, duhet të jesh gjeni ose francez” i Madeleine Albrightit. Rrëfimin 4: Dalja nga izolimi apo: nga erdhën këta shqiptarë?, e trajton me aforizmat “Edhe udhëtimi një mijë miljesh fillon me një hap të vetëm” i Loo Tsu dhe e shtjellon me aterimin e një avioni transportues ushtarak të forcave austriake në kuadër të misionit të NATOS, nga aeroporti i improvizuar ushtarak i Gjakovës në maj të vitit 2005, dhe me aforizmin “Për ata që sapo kanë dalë nga dera, pjesa më e vështirë mbetet pas”, Proverb holandez dhe pastaj i përshkruan datat dhe vendet në të cilat autori ishte përballur: 2 janar 2010, vendkalimi kufitar Gjebgjelia, viti 2005, Ambasada Amerikane në Shkup, Prill 2015, Podgoricë, Abasada Amerikane në Mal të Zi, Pragë, 30 gusht 2008. Qyteti magjik i çative të kuqe mbi lumin Vitava dhe Itali, mars 2008 . Një muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Rrëfimin 5: Turistët, autori po ashtu e shtjellon përmes aforizmave “Një udhëtar shikon atë që sheh një turist, sheh atë që erdh ta shohë”, i G.K. Chesterton dhe “Udhëtimi të bën modest, kupton se çfarë vendi të vogël zë në botë”, i Gustave Flaubertit. Rrëfimin 6. Mes turmës, njerëz dhe adete, po ashtu me aforizmat “Ai që nuk udhëton, nuk e di vlerën e vërtetë të jetës njerëzore”, fjalë e urtë maore dhe “Udhëtimi është fatal për paragjykimet, fantazimin dhe mendjen e ngushtë”, i Mark Twenit. Rrëfimin 7: Shqiptarët, autori Ulaj e fillon shtjellimin me aforizmin e Paulo Coelhos “Mos krahaso. Mos krahasoni asgjë: çmimin, as pastërtinë, as cilësinë e jetës, as transportin. Asgjë! Ju nuk po udhëtoni për të dëshmuar se jetoni më mirë. Njihuni me jetën e të tjerëve dhe gjeni atë që mund te mësoni prej tyre. Rrëfimin 8: Ana e keqe e udhëtimeve, autori e shtjellon përmes aforizmit të Mark Twenit “Kam zbuluar se nuk ka mënyrë më të mirë për të zbuluar nëse një person ju pëlqen apo është i neveritur sesa të udhëtoni me të” dhe Rrëfimin 9: Ushqimet, e trajton përmes aforizmit të Anthony Bourdainit “Gjeni se si njerëzit e tjerë jetojnë, hanë dhe gatuajnë. Mësoni prej tyre kudo që të shkoni”.
Në pjesën e dytë të librit – Dromca rrëfimesh – Ditari i udhëtarit, që fillon me aforizmin e David Mitchell “Udhëtoni aq shume, derisa ta takoni veten” autori përshkruan mbresat e udhëtimit të shteteve që i ka vizituar. Udhëtimin e ka filluar në Austri, të cilin edhe e ka quajtur ‘Austri, fillim i mrekullueshëm’ dhe ka vazhduar në shtetet tjera të cilat i ka përshkruar:
Italia, destinacioni top 1, sa herë t’i kthehesh, edhe më e bukur,
Republika Çeke: Magjia mbi Pragën e kuqë,
Greqia, parajsa e plazheve dhe ushqimeve të mira,
Kroacia, deti me ishuj e qytete e ujëvara,
Belgjika, një vend i mirë i njerëzve të mirë,
Gjermania, udhëtimi në kombin e madh,
Luksemburgu, një oazë i vogël parash mes shteteve,
Zvicra, kodra dhe liqene,
Sllovenia, një Evropë e vogël, shteti i bukur alpin,
Serbia, udhëtimi në vendin pa diell,
Bosnja, zymtësia që ngufatë shpirtin e madh boshnjak,
Bullgaria e Rumania, vendet ish komuniste, tash pjesë e BE-së,
Turqia, ky kontinent dhe shume ngjyra në një vend,
Hungaria, evropianët ndryshe,
Polonia, Sllovakia: udhëtimi rrëzave të Karpateve,
Spanja, diell e plot jetë në Barcelonë,
Finlanda, Estonia, një përrallë baltike,
Danimarka, Suedia, Norvegjia, nordi i mrekullueshëm i Evropës,
Holanda, vikend mbresëlënës në Roterdam,
Amerika, shteti i gjërave të mëdha,
Franca, riviera e mrekullueshme me diell, dimër e verë dhe
Vatikani, madhështia e shenjtërisë.
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Ca faqe në fund të librit “Refugjatë dhe Turistë”, autori Enver Ulaj ia ka kushtuar Epilogu: Kopshtit të vet me prodhime bujqësore (perime), të cilin e kultivon vite me radhë në parcelën e vet të tokës në Vuthaj, ku dhe ka ndërtuar shtëpinë e re familjare, pastaj shënimit në të cilin shkruan se deri sa shkruhej ky libër, në prill të vitit 2023, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, zbatimi i të cilit sipas vendimit u bë me 1 janar 2024, dhe e përmbyllë me falënderime gjithë atyre që e kanë ndihmuar, mbështetur dhe përkrahur moralisht, profesionalisht dhe materialisht që libri të gjendet në duart e aderuesve të fjalës së shkruar letrare – lexuesve.
Në vazhdim të këtij recensioni, bëj me dije se libri “Refugjatë dhe Turistë” i autorit Enver Ulaj, është përuruar në ambientin e Bibliotekës së qytetit “Azem Shkreli” në Pejë, më 23 shkurt 2024, në praninë e një numri shumë të madh aderuesish dhe dashamirësish të librit nga Peja me rrethinë dhe më gjerë, me ç’rast për librin në mënyrë analitike, koncize dhe konstruktive kanë evokuar vlerësimet e veta ca persona eminent nga fushëveprimet e ndryshme, kulturore dhe artistike nga Peja dhe më gjerë.
Drejtoresha e bibliotekës në të cilën u përurua libri, zonja Shengyl Kelmendi-Gashi, në fjalën e rastit tha se libri “Refugjatë dhe Turistë” i autorit Enver Ulaj, është një libër që bazën e ka te udhëtimet, por përtej udhëpërshkrimit, ai është një libër studimi dhe i përqasjes mes popujve, qytetarëve e shteteve, një libër autobiografik për autorin, gjeneratën dhe popullin e tij dhe fatin që e ka ndjekur mes dy shekujve, ku kaluan edhe rrugët e refugjatëve dhe turistëve. Është një libër i një zhanri të mikësuar.
Recensuesi i librit, gazetari dhe publicisti nga Shkodra, në pamundësi për të marrë pjesë në përurimin e librit ngase gjendet në SHBA ka dërguar vlerësimin profesional, të cilin e ka titulluar “Mes gazetarit dhe letrarit” të cilin e lexoi Erenisa Çeku, në të cilin thuhet: “Kur një udhëtar vendos të shkruajë një libër udhëpërshkrimesh dhe mbresash, atëherë lexuesi i gjerë ka mundësi të marrë në dorë një libër të dorës së parë. Saktësisht i tillë është libri i autorit Enver Ulaj, gazetar dhe shkrimtar. Është pranuar se udhëzuesit (guidat) turistike i përkasin botës së gazetarisë, kurse librat e udhëtimit i përkasin letërsisë. Enver Ulaj në këtë libër i përmbledhë të dyja, ka vëzhgimin e gazetarit që realizon udhëzuesin nga njëra anë, kurse në anën tjetër në udhëpërshkrim shfaqet shkrimtari, krijuesi, poeti. Autori i nuancon rrëfimet me zhdërvjelltësi përshkrimi, detajime historike, ndërlidhje informacioni dhe elemente autobiografike. Në këtë mënyrë, i pasuron ato udhëpërshkrime, sepse shkrimtari ideal i udhëtimeve lexohet jo vetëm me dëshirën për të mësuar sa më shumë, por edhe për tu njohur me interpretimet e tij. Në vazhdimin e recensionit të Ilir Secit, ndër të tjera thuhet se në librin e Enver Ulajt shohim se si rritet ai fëmija që ndjekë ëndërrueshëm shtëllungat e tymit që lënë pas avionët në qiellin e Plavës dhe Gucisë, ndjekim atë trajektoren e jetës së tij prej një të riu shqiptar, që fati historik e ka dënuar të ëndërrojë edhe për gjërat më normale siç janë liria e veprimit, shkollimi dhe edukimi në gjuhën e nënës. Në udhërrëfimin e tij, Enver Ulaj na bën të rijetojmë nga e para emocionet e lirisë së Kosovës që erdhi në qershor të vitit 1999, duke rivlerësuar edhe një herë atë moment kulturorë në historinë e kombit.
Edhe redaktori i librit, Arben Rugova, gazetar dhe diplomat, po ashtu në pamundësi të marrë pjesë në përurimin e librit sepse ndodhej në udhëtim në Kuvajt, ka dërguar një vlerësim me shkrim për librin dhe autorin, të cilin e ka lexuar Marigona Mulaj, në të cilin thuhet: “Aty-këtu kam dëgjuar tek thonë se kur e ke dikë mik, e njeh me dekada të tëra, ia njeh veprat, edhe familjen, atëherë është e vështirë të flasësh apo shkruash për të, ngase të tjerët mund të mos u besojnë të gjitha atyre që thua. Por sot, me kënaqësi të veçantë do të them disa fjalë mbi Enverin dhe librin e tij “Refugjatë dhe Turistë”. Është një rrëfim autobiografik i shkruar mjeshtërisht nga zoti Ulaj, ku përmes vënies në pah të sfidave dhe gërshetimit të tyre në rrethana e kohë të ndryshme, tregon për peripecitë e shumta që gjenerata e tij, por edhe breza, të shqiptarëve kanë kaluar qoftë për t’u mbijetuar maltretimeve e torturave, qoftë për tu shkolluar”.
Në vazhdimin e vlerësimit me shkrim të zotëri Arbenit, theksohet se “Libri është një udhëtim emocionues dhe frymëzues i një shqiptari të lindur në një familje të përndjekur nga ish regjimi jugosllav, nëpër sfidat dhe vuajtjet e një njeriu pa pasaportë, që për shkak të rrethanave ndjehej si refugjat në shtëpinë e tij. Ky libër është një provë e fuqishme jo vetëm e aftësisë profesionale e narrative, por e gjithë asaj që kam shkruar më lartë për krijuesin Ulaj”.
U lexua edhe vlerësimi i shkrimtarit të mirënjohur dhe produktiv kosovar, Sejdi Berisha, i cili për shkaqe shëndetësore nuk pati mundësi të merr pjesë në përurim, në të cilin thuhet: “Libri “Refugjatë dhe Turistë”, i autorit Enver Ulaj, është një vepër e veçantë, mbase edhe e rrallë, ku po ashtu, në mënyrë të veçantë trajtohet jeta e njeriut e përjetuar edhe si dhembje, edhe lumturi, edhe si qëndresë edhe si histori, e cila reflekton fatin e njeriut dhe të kombit nëpër periudha kohore.”
Për librin, në mënyrë analitike, koncize dhe kronologjike, vlerësimet e veta i kanë evokuar edhe prof. Binak Ulaj (kushëri i autorit), kryetar i Federatës së Paqes Universale ne Kosovë dhe ish i burgosur politik, profesori dhe krijuesi
Riza Dreshaj, nga Shoqata e krijuesve letrarë të Pejës, Xhavit Kastrati, drejtor i Qendrës burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” nga Peja, ku është i punësuar edhe autori Enver Ulaj, dhe Shaban Hasangjekaj (miku familjar i autorit), gazetar-korrespondent i gazetës “Koha Javore”.
Në fjalën përmbyllëse të përurimit të librit, autori Enver Ulaj, ka thënë ndër të tjera se “Libri po përurohet në një moment interesant, ku pas shumë peripecive dhe zgjatjeve të pafund, Kosovës më në fund iu hoqën vizat për udhëtim në Evropë, dhe kjo po i jep fund shumë mundimeve, kohë të humbur, udhëtime të dështuara dhe njerëz që nuk mund të udhëtojnë tek të afërmit dhe familjarët, të tjerët që për shkak të vizave mungojnë në aktivitetet kulturore, shkencore apo sportive dhe në përgjithësi, një izolim i padrejtë i Kosovës dhe banorëve të saj”.
Në fund theksojmë se libri “Refugjatë dhe Turistë”, është libri i dytë i autorit Enver Ulaj. Libri i parë, Vëllim me poezi me titull “Tri dhimbjet e mia i kam në Shkodër, i është botuar në vitin 2000 nga Shtëpia botuese “Camaj – Pipa” në Shkodër, pas përfundimit të studimeve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Të fundit

më të lexuarat