
Rrëfimi 1.
Ishin tri gjenerata detarë: Reshiti ( gjyshi), Enveri (babai) dhe Reshiti.
Shkalaja (Citadela)
Në pjesën e sipërme të Kalasë Shkalaja (Citadela) është pika më e lartë prej të cilës është hedhur “topi” në muajin e Ramazanit, i cili ka qenë shenjë që ka mbaruar dita dhe është koha për iftar. Kemi qenë fëmijë kur në Pazarin e Qytetit kemi pritur të bjerë topi. Topin prej majës së Kalasë e ka hedhur Asllan Shabanbegu deri në vdekjen e tij më 1956. Para këtij topin e ka hedhur Nuradin Shata, i cili ka jetuar në shtëpi në Kalanë jugore. Pasi kemi dëgjuar topin, kemi vrapuar deri në shtëpi duke bërtitur topi, topi… dhe të gjithë atëherë kanë prishur (me ujë ose hurmë) dhe kanë filluar të hanë iftarin.
Edhe sot ka mbetur shprehja kur pritet mbarimi i ditës dhe koha për iftar
“A ka rënë topi?”
Por, tash disa dekada në vend të rënies topit në minaret e xhamive ndizen dritat.
Një kohë në pjesën më të lartë të Kalasë kanë qenë të vendosur tre direk të lartë ku janë valëvitur flamujt e Jugosllavisë, Mali të Zi dhe i kuqi partiak.
Ishte mesi i dekadës së gjashtë të shekullit XX. Ne, disa fëmijë po luanim në majë të Kalasë. Nën bedenin verior ishte vreshta e Radovan Çejoviqit. Menjëherë rruga për Kala edhe tjetra për Meteriz, Lojrën tonë e prishi një e bërtitur e rëndë, një zë i cili duke qarë thoshte dhe ankonte vdekjen e Seides, bashkëshortes së Enver Nimanbegut. Ishte ky vëllai i Enverit Kabili duke ecur dhe vajtuar rrugës së Kalasë.
Seidja kishte shkuar në spital për të lindur fëmijën e dytë. Lindja u komplikua dhe humbën jetën edhe nëna edhe fëmija i porsalindur.
Kështu, Reshiti mbeti pesë vjeçar, jetim. E kanë rritur Minja e Enverit dhe babai Enveri.
Rrëfimi 2
Minja e Enverit
Isha duke u ulur me veturë prej Meterizit. Në dalje të Kalasë e vërejta Hajro Nimanbegun. Po ecte duke u mbajtur me shkop. Vazhduam së bashku. Hajroja është bashkëbisedues i mirë, njohës i shumë ngjarjeve të mëparshme. I dashuruar në Kala. Shumë ngjarje i ka dëgjuar prej nënës së madhe të tij, Mines Enverit, si e kemi quajtur.
Minja e Enverit më kujtohet gjithmonë si plakë me autoritet, e respektuar prej të gjithë banorëve të Kalasë, por edhe jashtë kësaj. Ishte bashkëshortja e dytë e Reshit Nimanbegut. Minja ka qenë vajza e Hysein Beg Kapllanbegut të vjetër. Ka pasur dy vëllezër : Meçon edhe Raifin. Babai i saj pas vdekjes së gruas martohet me Bako Ismajlagën dhe prej kësaj martese lind djali Xhemali.
Minja kur u martua gjeti djalin e tij Enverin shtatëvjeçar. Ajo menjëherë tha se Enveri është edhe djali i saj. Ne të gjithë e kemi thirrur: ”Minja e Enverit”. Deri vonë nuk e kam ditur se ky nuk ishte djali i saj. Ajo ka pasur dy vajza dhe dy djem. Mines i takoi në hise për t’i rritur edhe dy djemtë e Enverit (Hajrudini dhe Reshiti ) të cilët herët mbetën jetimë. Më tepër i ka kushtuar kujdes Enverit si edhe djemve tij se fëmijëve të saj.
Minja e Enverit ishte grua e veçantë, e urtë, e vendosur. Të gjithë prej Nimanbegëve kanë ardhur për këshillime te ajo. Dhe fjala e saj ka qenë përfundimtare.
Kur u ndamë Hajroja më tha:
“Pas tërmetit axhat e mi dolën prej Kalaje. Shtëpia ime qëndroi. Nana e madhe shkoj te axha , djali i saj Muhamedi i cili ndërtoi shtëpi të re në Ranë. Gjithmonë mendoj a kam bërë gjynah se ajo nuk ka dashur të dalë nga Kalaja. Por, Muhamedi ka qenë djali i saj dhe nuk kam dashur të mendohet ndryshe..”
Rrëfimi 3.
Profeti dhe vendi i vet
Në rrugën kryesore në anë të djathtë është shtëpia e Reshit Enver Nimanbegut. Në portën kryesore gjendet blloku i gurit me mbishkrimin:
Nemo profeta aceptus est in patria sua.
Kjo thënie e vjetër shpeshherë është vërtetuar në vendin tonë, por edhe jashtë tij. Është për ta përmendur edhe pronarin e shtëpisë, Reshit Nimanbegun, i cili mbas rindërtimit të shtëpisë, pas tërmetit të 1979-ës, e ka vendosur përsëri këtë mbishkrim të gdhendur në gur, aty ku ka qenë gjithmonë.
Rrëfimi 4.
Reshit Nimanbegu lindi në vitin 1951. Seide ishte gruaja e dytë e Enver Nimanbegut. Reshitin e vogël e rriti njerka e Enverit, Minja e Enverit. Fëmijërinë e kaloi nëpër rrugicat e Kalasë duke u shoqëruar me fëmijët e gjeneratës së tij: Jusuf Cufo Truma, Fatmir Ismajlaga, Jusri Resulbegu, Fatmir Nimanbegu, Skender Uruçi, Bozhidar-Boshko Çilingiri.
Pas mbarimit të Shkollës fillore regjistron Shkollën e mesme për detari në Kotorr, mandej vazhdon edhe përfundon Shkollën e lartë për detari.
Filloi më së pari si kadet të lundrojë nëpër Mesdhe ,dete e oqeane.
Pas tërmetit e rindërtoi shtëpinë e vjetër familjare.
Fati e deshi që të martohet për vajzën e cila kishte lindur në Amerikë.
Pas një kohe lundrimi dhe qëndrimi në SHBA Reshiti e lë detin dhe shkon të jetojë përfundimisht me familje në Amerikë. Lindi edhe vajza e cila mori emrin e nënës Seide.
Reshiti ishte shumë i lidhur me Kala, me shokët e tij, më shtëpinë e rindërtuar. Kalonte gjysmën e kohës me familje në Amerikë, kurse gjysmën tjetër në Ulqin. Ishte fetar i mirë dhe xhematli i rregullt në Xhaminë e Pashës. Shoqërohej me Adriatikun e tjerë. Bashkëbisedues i mirë, fliste për lundrimet e gjata, për vendet e bukura, detin dhe trazirat, për Amerikë…
Rrëfimi 5.
Mbarimi i verës, fillimi i vjeshtës. Më telefonoi Adriatiku, djali i vëllait Ismetit:
“Reshoja nuk është mirë, tash disa ditë nuk vjen në xhami…është shikuar te disa doktorë, mirë do të ishte të shkojmë ta vizatojnë në Kala..”
Derën e hapi vajza e Reshos Seide. U ngrita deri në katin e tretë. Dhoma e sjellë nga Rana me tarracë të madhe. Pas bisedës i shikova analizat biokimike laboratorike. Ishte trajtuar dy muaj me terapi të ndryshme. Në radiografinë e mushkërive në anën e majtë e vërejti ndryshimin radiologjik. I preferova që ta përsërisë radiografinë e mushkërive në dy drejtime. Pas dy ditëve u takuam përsëri. Vajza Seide ishte shumë e lidhur për babanë i vet. I propozova që duhet të vazhdohen shikimet dhe kështu Reshiti u kthye për Amerikë ku vazhdoi mjekimin. Disa herë jemi dëgjuar përmes telefonit, më ka treguar për intervenimin kirurgjikal në mushkëri, për vazhdimin e terapisë..
Eshiti shprehet:
“Në shtator kam edhe një shikim, dhe terapi, ekziston mundësia që të vij në Ulqin..
“ Kur është e mundshme terapia kirurgjikale janë mundësitë për shërim të plotë “
I fola në fund.
Dhe me të vërtet mendoj kështu.
Ka mundësi që Reshiti të vijnë në shtator në Ulqin.
(Nga libri në dorëshkrim “Valixhja nga Amerika”)