Po ndërtohen muzeu dhe biblioteka kushtuar meshtarit poliedrik dhestudiuesit, Patër Vinçenc Malaj

“Kur bëhet fjalë për fushat të cilave u përkasin librat që ka grumbulluar patër Vinçenc Malaj, ajo është e fokusuar tek studimet albanologjike. Përveç këtyre, kemi libra unik origjinal siç është Fjalori i Bardhit, Doktrina e Budit, Gramatika e Da Lecces, të cilët janë unik e që i ruajmë këtu”, thekson patër Mirash Marinaj

Tuz –Kisha e “Shna Ndout” në Tuz, vitin e kaluar hodhi gurthemelin për ndërtimin e muzeut, në kuadër të të cilit do të vendoset edhe biblioteka, kushtuar meshtarit, intelektualit, historianit dhe studiuesit të njohur shqiptar, Patër Vinçenc Malajt. Në lidhje me këtë nismë, biseduam me patër Mirash Marinaj, i cili për gazetën “Koha Javore” tregon rreth idesë për ngritjen e këtij monumenti.
“Ideja për këtë muze dhe bibliotekë është që në kohën kur jetonte patër Vinçenc Malaj. Me ardhjen tonë si bashkësi fretërish, njëri ndër prioritetet tona ishte edhe ngritja e bibliotekës së patër Vinkut. U bisedua shumë derisa ramë dakord që të ndërtohet një objekt i ri ku do të vendosen të gjitha ato të mira intelektuale që ai gjatë gjithë jetës së tij i bashkoi. U vendos që kjo të ndërtohet afër kishës, ku njerëzit të kenë mundësi të shohin, qoftë pasurinë intelektuale apo atë shpirtërore që e ruan misioni françeskan i Tuzit” shprehet Marinaj.
Fondi i librave të regjistruar që ka grumbulluar Patër Vinçenc Malaj tejkalon 3mijë, ndonëse numri është më i lartë për shkak se ende nuk janë regjistruar të gjithë, ndërsa librat përveç atyre teologjik i përkasin kryesisht literaturës së studimeve albanologjike.
“Kur bëhet fjalë për fushat të cilave u përkasin librat që ka grumbulluar patër Vinçenc Malaj, ajo është e fokusuar tek studimet albanologjike. Përveç këtyre, kemi libra unik origjinal siç është Fjalori i Bardhit, Doktrina e Budit, Gramatika e Da Lecces, të cilët janë unik e që i ruajmë këtu” thekson patër Mirash Marinaj.
Ndërkaq, përveç librave, nga patër Vinçenc Malaj në Kishën e “Shna Ndout” në Tuz janë të arkivuara pasuri të tjera, edhe arkeologjike, për të cilat flet bashkëbiseduesi ynë.
“Për pasuritë arkeologjike përveç patër Vinkut kontribut kanë dhënë edhe françeskanët e tjerë. Kemi pasuri që nga koha ilire, romake. Kemi Numizmatikën dhe Etnografinë. Gjithashtu, kemi shumë piktura të veçanta të piktorit të njohur shqiptar që ka jetuar në Romë, Lin Delisë” shprehet Marinaj.
Në të njëjtën kohë, i pyetur se kur priten të përfundojnë punimet e muzeut në fjalë, inaugurimi i tij dhe se kush e financon këtë projekt, Marinaj thotë se kontrata për përfundimin e punimeve është dyvjeçare, ndërsa pjesën më të madhe të mjeteve financiare deri më tani e ka kontribuar shteti i Hungarisë, me 67 mijë euro.
“Pastaj Komuna e Tuzit, shoqatat atdhetare të Michiganit, por edhe shumë individë të tjerë qoftë nga Malësia apo nga diaspora të cilët kanë ofruar ndihmë për ndërtimin e këtij objekti. Kemi arritur në afro 70 për qind të mjeteve financiare. Punimet po vazhdojnë dhe shpresojmë se do ta përfundojmë sa më parë” theksoi Marinaj.
Ajo që për të do të përbëjë një punë të madhe shtesë, është edhe rregullimi i enterierit (hapësirës së brendshme) e cila siç tha, kërkon një angazhim të kujdesshëm ku do të ndahet pjesa e bibliotekës e cila do të jetë e hapur për lexime e studimeve dhe pjesa e muzeut i cili do të jetë i hapur për vizitorët të cilët duan të njihen me pasuritë kulturore të Malësisë.
“Biblioteka do të jetë një bazë shumë e fuqishme studimesh për të gjithë ata që janë të dhënë pas shkencave albanologjike. Pra, librat do të jenë diçka e gjallë që do të jenë në shërbim të njerëzve, sepse të edukosh brezin e ri nga ana intelektuale, është ndër pasuritë më të mëdha dhe ndër detyrat tona si françeskan”, përfundon Marinaj.
Patër Vinçenc Malaj ka lindur në Ljare (Krajë) të Komunës së Tivarit, më 1 dhjetor 1928, në një familje shqiptare, e pagëzuar me emrin Pjetër. Pesë klasat e shkollës fillore i ndoqi në vendlindje. Në vitin 1941, e ndjen thirrjen për t’u bërë françeskan, shkon në Shkodër dhe ndjek Liceun Klasik tek françeskanët. Në vitin 1945-1946 në Troshan, kryen Noviciatin, duke marrë petkun Françeskan dhe ndërron emrin e pagëzimit, Pjetër në Vinçenc (Vinko). Në vitin 1947, pasi komunistët mbyllën seminaret dhe konfiskuan gjithçka që françeskanët kishin mbledhur për shtatë shekuj, ai dëbohet nga Shqipëria dhe kthehet në ish- Jugosllavinë e atëhershme. Pas kësaj ndërprerjeje, ai vazhdon studimet në Kroaci. Vazhdon gjimnazin klasik një vit në Split, e më pas në Pazin. Kryen një vit Filozofi në Dubrovnik dhe pas shërbimit ushtarak vazhdon studimet Filozofike – Teologjike në Zagreb, ku edhe diplomohet.
Në vitin 1957, shugurohet meshtar. Deri në vitin 1966 shërben në Kotorr (Mal të Zi) dhe në Dubrovnik, si kapelan dhe si kujdestar biblioteke.
Në vitin 1966 vazhdon studimet për Letërsi Italiane në Universitetin shtetëror “La Sapienza” të Romës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë, punoi në Institutin e Studimeve Shqiptare të Romës si bibliotekist dhe ndihmon për botimin e revistës “Shêjzat – Le Pleiadi”, duke i ardhur në ndihmë, Prof. Ernest Koliqit. Po në këtë revistë, boton një sëre artikujsh në fushën e folklorit dhe të historisë. Për ta ndihmuar këtë revistë, ai bën kërkime në arkivat e Romës, Venecias, Vienës e Parisit, duke mbledhur materiale albanologjike. Nën drejtimin e Prof. Ernest Koliqit, në vitet 1967 – 1969, bën mbledhje të teksteve gojore (orale) në 31 vende shqiptaro-folëse në Kalabri.
Më 20 mars 1973 diplomohet nën udhëheqjen e Komisionit të përbërë nga Prof. dr. Ernest Koliqi, korelator, Prof. dr. Giuseppe Schiro dhe Prof. dr. Giuseppe Gardilone dhe para Komisionit të përbërë nga 11 profesorë, ku mbrojti tezën e disertacionit “Kuvendi i Arbënit- 1703 – Comcilio Nazionale Albanese del 1703”, me sukses të shkëlqyer dhe me lëvdatë për rezultatet shkencore të arritura në këtë fushë.
Pas studimeve, patër Vinçenc Malaj, kthehet në Tuz (Malësi) dhe vazhdon punën e tij shkencore në fushën e albanologjisë. Themelon një bibliotekë të mrekullueshme me një pasuri të madhe albanologjike, me libra e dokumente të vlefshme, të mbledhura nëpër arkivat e ndryshme evropiane. Prej vitit 1969 deri në vdekje, merr pjesë në shumë simpoziume shkencore internacionale në fushat e albanologjisë, historisë, letërsisë, folklorit, në qendra të mëdha si në Palermo, Nju Jork, Zagreb, Dubrovnik, Cetinë, Shkodër, Podgoricë, Prishtinë, Ulqin etj.. Boton në revista të ndryshme si: “Shêjzat – Le Pleiadi”, Romë; “Studi Albanesi” Palermo; “Vatra” Nju Jork; “Zgjimi – Risveglio” Cosenza; “Dielli”, Woester; “Koha”, Titograd; “Koha Jonë”, Paris; “Kaçiq”, Split etj..
Në Tuz, ai është një ndër themeluesit e Shoqatës Kulturore “Don Gjon Buzuku” që vazhdon të veprojë edhe sot, në Ulqin e Tuz. Ishte pjesëtar i Akademisë Malazeze- “Duklanska Akademia”. Ishte profesor në Fakultetin Filozofik – Teologjik të Shkodrës. Ai ishte shumë i pasionuar mbi veprimin e françeskanëve në trojet shqiptare dhe për këtë pati botuar një punim në gjuhën kroate dhe ishte në përgatitje për një punim më të gjerë në gjuhën shqipe. Botoi në disa gjuhë si në: shqip, italisht, kroatisht e anglisht. Një vit para vdekjes i grumbulloi të gjitha punimet e tij shkencore në dy vëllime të titulluara: “Të dhana Albanologjike, Folklor, Bibliografi, Histori 1 dhe 2”.
Po në të njëjtin vit ribotoi në shqip, ‘Kuvendin e Arbënit’, të përkthyer nga Tonin Zadeja. Bashkë me këto botime, nxori në një libër në vete disa prej skalitjeve në gurë dhe të disa pikturave, që i kishte punuar gjatë jetës së tij, të titulluar: “Naturae et artis opus”- Malo priroda, malo ruka- Pak natyra, pak dora”. Në të njëjtën kohë la në dorëshkrim shumë gjera që ishin drejt përfundimit dhe në mënyrë të veçantë poezitë e tij që i kishte medituar një jetë të terë, të titulluara: “Papërdhoke e gurë faqok”.
Patër Vinçenc Malaj ndërroi jetë papritmas në Tuz më 4 shkurt të vitit 2000. Vdekja e papritur do i linte shumë punë të papërfunduara që edhe ai do ta shprehte në poezinë e tij “Lutje” me 1 janar të vitit 2000.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat