Ulqini, qytet i detarëve luftarakë dhe vendstrehim i familjeve të njohura

“Ishte një moment që Perandoria Osmane kishte rënë dhe Austro-Hungaria, habsburgët e Vjenës dhe Republika e Venedikut menduan ta godasin dhe t’i rimarrin tokat”, ka thënë Xhufi, duke treguar se krahas Perastit dhe Kotorrit që i kishte në zotërim, Venediku synonte të merrte Castel Nuovon, Rizonin dhe në jug Ulqinit, Tivarin, Shkodrën, të cilat i kishte marrë ndërkohë Perandoria Osmane

Ulqin – Në Librarinë “Ulqini”, të enjten mbrëma (15 shkurt 2024) është përuruar libri “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar” i historianit të njohur shqiptar, Akademikut Pëllumb Xhufi.
Libri flet për një periudhë mjaft të zymtë të Shqipërisë. Ai trajton veçanërisht pjesën e dytë të shekullit XVII, që shënon perëndimin e fuqisë osmane dhe përpjekjen e një fuqie tashmë të perënduar, Venedikut, për t’u rrëmbyer osmanëve zotërimet që këta ia kishin shkëputur më herët në Greqi, Shqipëri e Dalmaci.
Në bashkëbisedim me udhëheqësin e përurimit, Dr. Ilir Çapuni, historiani është përqendruar kryesisht në ngjarjet që lidhen me Ulqinin në këtë periudhë kohore, si përpjekjet për ta pushtuar atë nga venecianët, familjet e njohura ulqinake etj.
Xhufi ka thënë se treva që venecianët e quajtën Albania Veneta (Shqipëria Veneciane), edhe më herët njihej si Arbëri.
“Kështu që fjala ‘arbër’ ka qenë e njohur dhe venecianët kur erdhën, gjëja e parë kur morën Ulqinin, Tivarin, Budvën, Kotorrin, e quajtën këtë Albania Veneta, që ka rrënjë historike”, ka thënë ai, duke hedhur poshtë tezën që mbrojnë Shuflaj dhe Jeriçek se shqiptarët përjetuan shpërthim demografik në shekujt XIII-XIV, duke u shtrirë deri në Hercegovinë, ndërsa në jug deri në Prevezë.
“Ne kemi qenë dhe nuk kemi shkuar as në Çamëri, as këtu – po themi në zonën e Malit të Zi ku janë shqiptarët, nuk kemi shkuar si rezultat i atij shpërthimit demografik që pretendojnë shumë historianë, madje edhe miq të shqiptarëve, si Shuflaj. Edhe ai ka rënë në këtë gabim”, ka thënë Xhufi.
Historiani ka folur për përpjekjet për pushtimin e Ulqinit nga Venediku në vitin 1696.
“Ishte një moment që Perandoria Osmane kishte rënë dhe Austro-Hungaria, habsburgët e Vjenës dhe Republika e Venedikut menduan ta godasin dhe t’i rimarrin tokat”, ka thënë Xhufi, duke treguar se krahas Perastit dhe Kotorrit që i kishte në zotërim, Venediku synonte të merrte Castel Nuovon, Rizonin dhe në jug Ulqinit, Tivarin, Shkodrën, të cilat i kishte marrë ndërkohë Perandoria Osmane.
Njëri nga krerët kryesorë të sulmit venedikas kundër Ulqinit ishte Giovani Buroviq nga Perasti, i cili kishte mbledhur trupën kryesore ushtarake si pjesë të ekspeditës që udhëhiqej nga komandanti Daniele Dolfin. Sipas Xhufit, dokumentet tregojnë që në shekullin XVI familja Burra ishin tregtarë, punonin me anije dhe merrnin grurë në Ishëm, duke furnizuar jo vetëm Perastin dhe Kotorrin, por gjithë Dalmacinë me anijet e tyre. Pas një shekulli, kjo familje kishte pësuar tjetërsim etnokulturor, duke u bërë Buroviq, një fenomen që ndeshet edhe në shumë raste të tjera.
Historiani ka thënë se Ulqini u bë edhe një vendstrehim për shumë shqiptarë të larguar nga treva të tjera shqiptare pas pushtimit të tyre nga Perandoria Osmane.
“Për shembull, kur u pushtua Shkodra në vitin 1479, në Ulqin ka ardhur një familje Bruni, shumë e dëgjuar në Shkodër; kanë ardhur nga familja Suma, familje shumë e njohur, shumë e dëgjuar me histori shekullore që zgjat. Kanë ardhur edhe Brutët. Familja Bruti ka ardhur nga Durrësi. Kanë qenë fisnikë, aristokratë shumë të pasur të Durrësit”, ka theksuar Xhufi.
Ai ka treguar historinë e Antonio Brutit, njërit prej pjesëtarëve të njohur të kësaj familjeje, i cili në vitin 1544 kërkonte nga Venediku që të ndërtonte në Ulqin një mulli ere, që për kohën përbënte një zhvillim të avancuar teknologjik. Se kjo histori duhet të jetë e vërtetë, ai e ka ndërlidhur me toponimin Mullini i Erës për vendin ku ka qenë mulliri, i cili ende sot ekziston në memorien e banorëve të Ulqinit.
“Ky Antonio u vra pastaj në vitin 1571, duke luftuar për mbrojtjen e Ulqinit nga rrethimi osman. Ndërkohë që Bruni, brunët, ishin familje patrice shumë e shquar. Ka qenë argjipeshkvi i Tivarit, Gjon Bruni, për të cilin ka shkruar Noel Malcolm. Kanë qenë edhe familje të tjera”, ka thënë akademiku.
Xhufi ka folur edhe për mjaft çështje të tjera që lidhen me këtë periudhë përcaktuese për fatin e shqiptarëve.
Përurimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat