
”Prindër, mos mendoni se e edukoni fëmijën tuaj vetëm kur flitni me të, kur e këshilloni ose kur e urdhëroni. Ju e edukoni në çdo moment të jetës së tij, madje edhe atëherë kur nuk jeni në shtëpi. Si visheni, si flitni me njerëzit e tjerë, si gëzoheni, si silleni me miqtë, si qeshni… të gjitha këto kanë ndikim të madh te fëmijët, sepse ne jemi shembujt që ata ndjekin”. (Makarenko)
Ishin prindërit ata që morën iniciativën dhe filluan aksionin për gjetjen e mjeteve financiare, vendin më ideal për ndërtimin e një këndi të lojërave për fëmijë. Dhe si vendin më të përshtatshëm caktuan oborrin e Qendrës së Kulturës, në zemër të qytetit.
Kjo ëndërr e shumëpritur e prindërve, edukatorëve, qytetarëve u bë realitet falë sponsorit kryesor, Bankës Komerciale Malazeze si dhe kompanive dhe afaristëve të shumtë të qytetit që ndihmuan në ndërtimin dhe pajisjen e këtij këndi me inventarin e duhur në mënyrë që edhe fëmijët tanë të kenë ku të argëtohen dhe luajnë në natyrë.
Dita e inaugurimit ishte një ditë gëzimi për të gjithë. Të gëzohej zemra kur shihje fytyrat e fëmijëve të qeshura e të lumtura. Të gjithë ishim përkrahës të iniciativës së ndërmarrë nga Shoqata “Prindërit”. Për këtë ditë gëzimi më së miri flasin fotot e shkrepura në çastin e inaugurimit.
“Hapet këndi i parë publik i lojërave për fëmijë në Ulqin”. Ky është titulli me të cilin shumica e mediave raportuan mbi këtë ngjarje të shënuar për kohën.
Po kaloja një ditë pranë këndit të lojërave. Diçka më theri në zemër! M’u kujtua dita e inaugurimit të tij, dita e shumëpritur që ta fitonim këtë vend ideal për të mirën e fëmijëve si dhe të mbarë qytetit. I shkrepa disa fotografi që ilustrojnë gjendjen e mjerueshme të këtij këndi sot. Një qytetar i cili më pa, më tha: “Ne nuk dimë të ruajmë të mirën, ia bëjmë vetë vetes“.
Fotot sot dokumentojnë fjalët e bashkëqytetarit se ne nuk dimë t’i ruajmë vërtet të mirat që kishim. Kemi çdo gjë, por e shkatërrojmë me dorën e vet. Kishim një kënd të bukur në mes të qytetit – për relaksim, lojë dhe argëtim, vendpushim për prindër e fëmijë. Ndërsa sot është rrezik të dalësh me fëmijë në këtë kënd me inventar të shkatërruar, ulëse të demoluara, pa rrethoja…
Ju keni të drejtë të pyesni: Ku ishim ne që lejuam një vandalizëm të këtyre përmasave? A thua nuk dimë t’i edukojmë fëmijët se prona shoqërore është më e shenjtë se e veta? Mos fëmijët edukohen nga shembujt tanë?
Ja, pra. Kjo ndodh sot në qytetin tonë!
Ulqini, i vetmi qytet me më pak kënde për fëmijë. Edhe të vetmin që kishim, e shkatërruam. Ne prindërit, edukatorët, mësimdhënësit mbajmë përgjegjësi për veprimet e fëmijëve tanë. Ne duhej ta ngrinim zërin që në çdo lagje të ndërtoheshin kënde për fëmijë. Të jemi shembull, të bisedojmë më shumë me fëmijë se si duhet dashur dhe ruajtur mjedisi, qyteti, të mirat materiale, bukuritë natyrore dhe çdo gjë që na rrethon.
Apeloj te pushteti vendor që të vërë dorë edhe një herë për riparimin e këtij këndi, të vazhdojnë të ndërtojnë edhe shumë e shumë kënde, kopshte salla e terrene sportive për fëmijët.
Të ndërgjegjësohemi ne prindërit, të rrisim dhe të edukojmë fëmijë përgjegjës që nesër të punojnë për të mirën e mbarë shoqërisë.