
Libri më i ri i z. Ali Gjeçbritajt, me titull “Gjurmë”, nuk ka se si të mos lërë gjurmë, ashtu si librat e tjerë të tij, sepse autori është i vetëdijshëm, se misioni i intelektualit është të lërë dëshmi të gjurmuara nga e kaluara për të ardhmen e gjithmonshme.
Krijimtaria letrare e Ali Gjeçbritajt nuk kufizohet vetëm te poezitë dhe thellësitë shpirtërore që poezia mund të nxjerrë në pah. Publicistika është krijimtari e veçantë e Ali Gjeçbritajt, përmes së cilës tregon ngjarjet, rrëfen të kaluarën, kujdeset që e ardhmja të ketë udhëzues dhe ushtron me profesionalizëm rolin e mësuesit edhe për ne nxënësit e rritur, që përmes këndvështrimit të tij dhe perceptimit të tij intelektual, të kujdeset të na lërë në mendjen tonë gjurmë të pashlyeshme të trashëgimisë tonë materiale dhe jomateriale.
Librat e mësuesit, gazetarit, shkrimtarit Ali Gjeçbritaj përçojnë te lexuesi mësime dhe dëshmi të vlefshme për vendin tonë. Universaliteti i tij si krijues bën që shkrimet e tij të merren shpeshherë si citate burimore, sepse shkrimtari është kujdesur që për të dhënën të gërmojë thellë deri në burimin e sigurt dhe autentik. Shkrimet e tij shpeshherë bëhen referime të shumë punimeve shkencore dhe të artikujve publicistikë. Krijimtaria e tij shkrimore është e gjithanshme, ashtu siç është e gjithanshme edhe jeta në Krajë. Këtë jetë në Krajë, autori është kujdesur që ta dëshmojë ndër vite, duke gjurmuar mbi të kaluarën e Krajës që jehon ende nëpër vendin tonë; duke gjurmuar fusha të ndryshme jetësore që banori i Krajës i bën ballë; duke gjurmuar mbi dallgët e politikës që dukuria e saj është bërë pjesë e përditshme e peripecive njerëzore dhe kështu të bëhen gjurmë e gjurmime, rrëfime e përsiatje, reflektime e shqyrtime, grishje e qëmtime.
Libri “Gjurmë” përmban një korpus të madh shkrimesh të vlerave tona të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Trashëgimia kulturore bëhet trashëgimi e tillë, pra kulturore, sepse në të është i përmbajtur koncepti i universales. Shumë nga trashëgimitë tona kulturore, qofshin ato materiale apo jomateriale, mund të shpallen si Vlera të Jashtëzakonshme Universale. Vetëdija e autorit për këto vlera të jashtëzakonshme universale, të quajtura ndryshe edhe si vlera botërore, ka bërë që të rreket me to dhe të bëjë për to dokumentim të jashtëzakonshëm prej publicisti. Libri fillon me artikullin mbi Ublën e Krajës, të shkruar qysh në vitin 2007 dhe vazhdon me përmendjen e ublave të tjera nëpër Krajë, duke treguar rëndësinë e tyre, ndërtimin e tyre, arkitekturën e tyre, rrëfimet për to dhe përmbledhjen e gjithanshme duke e konceptuar, se “ubla në Krajë ka shumë”, apo “me të drejtë thuhet se Kraja është vend ublash”, apo duke e gërshetuar tradicionalen me modernen, se “lirisht mund të thuhet se Kraja ka qenë vend i ublave, siç është edhe sot vend i saranxhave.”
Mbi trashëgiminë ndërtimore, autori i librit flet shumë, sepse kjo trashëgimi është aq e rëndësishme për banorët, sa është e rëndësishme vet njohuria mbi kultivimin e historisë përmes saj. Është i vetëdijshëm mbi rëndësinë që trashëgimia në përgjithësi ka mbi jetën e njeriut dhe rolin e tij në jetë. Politizimi dhe politizimi fetar mbi trashëgiminë ndërtimore ka bërë që ta nxisë Ali Gjeçbritajn t’u dalë në mbrojtje këtyre monumenteve, duke bërë betejë intelektuale dhe duke i mbrojtur dhe promovuar ato nga tjetërsimi dhe uzurpimi politiko-fetar i popujve të tjerë, siç është rasti me Kishën e Krajës, për të cilën që në fjalinë e parë bën thirrjen monumentale, se “gërmadhat e Kishës së vjetër Shën Mëria e Krajës paraqesin një monument historik të rëndësishëm për Krajën dhe banorët e saj”.
Autori librit nuk u ka bërë një strukturim kronologjik të përmbledhjeve të shkrimeve, por ua ka bërë një renditje duke i varguar artikujt mbi kategoritë dhe shtjellimet që mesazhet e artikujve do të përçojnë. Siç e ka thënë shkrimtari Andre Zhid, “gjithçka që duhet thënë tashmë është thënë. Por, meqenëse askush nuk po dëgjonte, gjithçka duhet thënë përsëri.” Tërë artikujt e përmbledhur në librin “Gjurmë”, janë veprimtari, dukuri dhe ngjarje të ndodhura, por autori është kujdesur që këto veprimtari, dukuri e ngjarje përmes shkrimit të marrin jetë përsëri. Nga trashëgimia ndërtimore, autori kalon në trashëgiminë e lundrimit dhe mbi veprimtarinë e jashtëzakonshme të lundrimit që krajanët e zotëronin aq mirë, pastaj bën vështrime mbi trashëgiminë shpirtërore e deri te simbolikat krajane të kultit, manifestimet kulturore e deri te recensionet e librave dhe vlerësimet e të tjerëve për autorin.
E ka thënë shkrimtari i njohur Franc Kafka, se “qëllimi i një shkrimtari është të mbajë qytetërimin nga shkatërrimi i vetvetes.” Ali Gjeçbritaj mësues ka bërë që edukimi arsimor të ndikojë në formimin intelektual te njeriu. Ndërsa, Ali Gjeçbritaj shkrimtar, ka bërë që zëri i Krajës që jehojë përmes poezisë së tij, mallëngjimin e Krajës ta sjell pranë secilit. Poezia e tij dhe personaliteti i mësuesit i mishëruar në poet e publicist, është gurthemel i rëndësishëm në krijimtarinë letrare shqiptare. Kjo krijimtari plotësohet me poezitë që kanë ndikime të thella shpirtërore mbi truallin e të parëve, mbi trashëgiminë që na lanë të parët, mbi vendlindjen dhe origjinën tonë. Poezitë e tij na bëjnë që Krajën ta duam më shumë, ta ndjejmë më fort dhe ta kemi më afër. Me librin “Gjurmë”, Ali Gjeçbritaj ka bërë që pasuria jonë kulturore të bëhet edhe në letër gjurmë e thellë, e pashlyeshme dhe e gjithmonshme.