KE kritikon projektligjine qeverisë për RadioTelevizionin publiktë Malit të Zi

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësime lidhur me ndryshimet në ligjin për Radio Televizionin e Malit të Zi, të propozuar nga qeveria disa ditë më parë. Brukseli ka vënë në dukje se propozimi i qeverisë është miratuar pa u konsultuar me publikun dhe Komisionin Evropian. Propozimi i qeverisë duhet të miratohet nga parlamenti i vendit.
KE ka theksuar se Mali i Zi duhet të shmangë çdo vendim që mund ta kërcënojë pavarësinë e Radio Televizioni të Malit të Zi, duke filluar nga buxheti i tij.
“Komisioni Evropian vëren me shqetësim propozimin e Qeverisë së Malit të Zi, të miratuar pa konsultim me publikun apo Komisionin, për ndryshimin e Ligjit për Transmetuesin Publik Kombëtar, i cili mund të sjellë pasiguri në ndarjet buxhetore për RTMZ”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Komisionit Evropian.
Komisioni thekson se pluralizmi dhe pavarësia e medias janë shtyllat e një shoqërie demokratike dhe duhet të mbështeten.
“Për të vazhduar me procesin e anëtarësimit në BE, Mali i Zi duhet të sigurojë funksionimin e pavarur të mediave publike, përfshirë garantimin e burimeve financiare adekuate, të qëndrueshme dhe të parashikueshme, në mënyrë që RTMZ të jetë në gjendje të përmbushë standardet më të larta të integritetit dhe përgjegjësisë së medias. Prandaj, Mali i Zi duhet të shmangë çdo vendim që mund ta kërcënojë pavarësinë e RTCG-së, duke filluar nga buxheti i tij”, përfundon deklarata e Komisionit Evropian.
Projektligji i qeverisë ndryshon pjesën që i referohet përqindjes së vendosur prej 0.3% të PBB-së për RTMZ dhe thotë se fondet për kryerjen e veprimtarisë bazë do të sigurohen “në varësi të parametrave makroekonomikë dhe kufijve të konsumit”.
Në Mal të Zi gjatë vitit 2022, sipas ekspertëve të mediave dhe analistëve, janë regjistruar 19 sulme dhe kërcënime kundër gazetarëve dhe mediave, dhe 21 në vitin 2021. Gjatë katër muajve të parë të vitit 2023, u regjistruan katër raste trysnish, kërcënimesh dhe sulmesh verbale ndaj gazetarëve.
Disa nga rastet më të rënda siç janë vrasja e gazetarit Dushko Jovanoviq, dhe ushtrimi i dhunës ndaj Olivera Lakiq dhe Tufik Softiq, që ende nuk kanë marrë trajtimin e duhur, pavarësisht nga premtimet e shumta të autoriteteve, thonë analistët.

A.S.

Të fundit

më të lexuarat