Ta sigurojmë ecjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt vlerave evropiane

Iliriana Gjoni në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Koha Javore” tregon rreth Institutit Carnegie Europe të cilit i është bashkëngjitur kohëve të fundit. Për kontributin dhe veprimtarinë e saj në këtë organizatë, në periudhën në vazhdim. Gjoni tregon edhe për planet në fushën e artit muzikor, ku planifikon koncerte të realizuara me përkushtim dhe profesionalizëm. Për të, pianoja është një burim i madh inspirimi dhe fuqie. Ajo shprehet se nuk do të ishte asnjëherë ajo që është si profesioniste e kësaj sfere pa i kaluar të gjitha sukseset, e sidomos sfidat me pianon deri më sot. Ana kreative dhe e patrembur e artistes i jep asaj besim të fortë. Dhe pikërisht ky karakter, i kombinuar me aftësitë dhe njohuritë profesionale, bëri që Carnegie Europe, ndërmjet qindra kandidatëve, ta zgjedh pikërisht, Iliriana Gjonin

Koha Javore: Ditëve të fundit, jeni bërë anëtare (analiste) në Institutin Carnegie Europe, një organizatë e rangut të lartë që ka si synim të këshillojë qeveritë mbi drejtimet që duhet të marrin në proceset vendimmarrëse. A mund të na tregoni shkurtimisht rreth kësaj organizate, si u bëtë pjesë e saj dhe çfarë ju motivoi?
I.Gjoni:
Angazhimi në një organizatë të tillë ka qenë gjithmonë synimi im, që në momentin kur vendosa të vazhdoja Masterin e Studimeve evropiane në Universitetin e Leuvenit. E rritur me një frymë atdhetare dhe koshiente mbi politikat e rajonit, pas viteve të shkollimit dhe angazhimit si pianiste profesioniste në Gjermani, vëzhgoja konfliktet e shtresave të ndryshme shoqërore, lënien pas dore të pjesëve të popullsisë që nuk ishin në linjë me mendimet mbizotëruese në skenën politike, apo edhe problemet dhe keqkuptimet ndërmjet njerëzve që më rrethonin. Kuptova që historia kishte një ndikim të thellë edhe në realitetin e kolegëve të mi muzikantë, pa marrë parasysh që artistët janë disa nga njerëzit më të lirë në shoqëri. Aty vendosa që doja të dija akoma më shumë mbi kushtëzimet që shoqëria dhe dinamikat historike kishin mbi fatin tonë si individë. Gjatë studimeve në Leuven arrita rezultate të larta – besoj një nga arsyet ishin disiplina dhe serioziteti i akumuluar në eksperiencën time si pianiste. Hulumtimi, që ishte fokusi i studimeve të mia, më vinte shumë natyrshëm; lexoja shumë dhe me interes. Kjo solli edhe mundësinë të isha e angazhuar pranë Parlamentit Evropian, ku u mora me përgatitjen e trajnimeve, dhe sidomos proceset e induksionit të eurodeputetëve të rinj në Parlament. Kur e pashë që Carnegie kishte hapur pozicionin e analistes për proceset e zgjerimit të BE-së, e dija që duhej të lajmërohesha patjetër. Publikimet shkencore të Carnegie-t i kisha studiuar shpesh; në metodologjinë e tyre njihja një skrupul, diferencim dhe perceptim të thellë të situatave shoqërore. Ata janë një institut mbipartiak, që më tërhoqi akoma më tepër. Procesi i seleksionimit kishte 4 faza: 2 intervista, punime me shkrim dhe referencat. Jam shumë e lumtur që pas të gjithë mundit dhe punës serioze, erdhi edhe shpërblimi.

Koha Javore: A mund të na thoni cili do të jetë kontributi Juaj primar në këtë institucion?
I.Gjoni:
Në proceset e hulumtimit, pjesa e parë normalisht është monitorimi i gjendjes në rajon. Si një person që flet gjuhët e Ballkanit, përveç se ka një background të rëndësishëm si hulumtuese, do të mund të prezantoj dhe analizoj një gamë të gjerë të materialeve në gjuhën e tyre primare. Në interpretimin e materialeve të tilla normalisht ndihmon eksperienca ime e jetuar e Ballkanit, si vajzë e këtyre trevave, e kombinuar me njohuritë dhe eksperiencën e marrë në universitetet dhe realitetet evropiane. Hapat e ardhshëm nuk mund t’i diskutoj në detaje, por gëzohem shumë për shkëmbimet dhe konfrontimet me kolegë dhe politikanë nga disa shtete të rëndësishme evropiane, edhe në sensin e vendimeve dhe kahjes që do të marrin proceset e zgjerimit.

Koha Javore: Inkuadrimi juaj në këtë institut, i cili ofron një platformë për mendimtarët më të shquar globalë, padyshim që gëzon jo vetëm shqiptarët në Mal të Zi, por edhe më gjerë? Si ndjehemi ju për ketë fakt dhe për çfarë do ta ngrenë zërin për aq koha sa do të jeni pjesë e tij?
I.Gjoni:
Puna në një think-tank, apo “fabrikë të mendimeve” siç është Carnegie, nënkupton studimin e situatave të ndërlikuara sociale dhe trajtimin e tyre me një sy objektiv dhe konstruktiv, që sjell më të mirën e të gjitha palëve pjesëmarrëse. Një profesionist i tillë nuk mund të jetë i njëanshëm, por duhet gjithmonë të studiojë dhe vërë në dyshim qëndrimet e veta, para se t’i prezantojë ata para një grupi profesionistësh. Ky do të jetë edhe kontributi im personal – si një vajzë që është lindur dhe rritur në këtë truall, që përveç 4-5 gjuhëve të huaja njeh dhe flet edhe gjuhët e rajonit. Njohja e mentalitetit të shoqërive të ndryshme ballkanike e kombinuar me 15 vite veprimtari në Perëndim do të jenë udhërrëfyesi im – që të gjejmë mënyrën më të mirë që vlerat evropiane të bëhen pjesë e përditshmërisë tonë dhe të sigurojmë ecjen e shteteve të Ballkanit perëndimor në këtë drejtim, duke u rezistuar ndikimeve të faktorëve të jashtëm.

Koha Javore: Menjëherë pas emërimit tuaj si analiste në Carnegie Europe keni njoftuar se do të jeni aktive në avancimin e hulumtimit dhe promovimit të proceseve të aderimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ku do të jetë fokusi në fillimin e veprimtarisë tuaj pranë kësaj organizate?
I.Gjoni:
Edhe pse sapo kam filluar angazhimin tim pranë Carnegie, në plan janë disa konferenca me akterë të rëndësishëm, si nga rajoni i Ballkanit, ashtu edhe nga institucionet evropiane. Udhëtime studimore, ku do të vëzhgojmë situatën drejtpërsëdrejti në rajon, metodë kjo që na ndihmon në publikimin e artikujve shkencorë, e që, duke qenë një institucion i një kalibri të lartë, domosdoshmërish studiohen nga persona të rëndësishëm në shtyrjen e proceseve të zgjerimit të BE-së. Carnegie është zyrtarisht institucioni nr. 1 në botë në llojin e vet dhe ndër ata që kanë më shumë ndikim në vendimet e marra nga qeveritë e ndryshme botërore.

Koha Javore: Ju keni një karrierë të gjatë dhe të pasur në muzikën klasike. A mund të na tregoni ndonjë risi që kohëve të fundit ka ngjarë në profesionin tuaj, dhe a do të vazhdoni po me të njëjtin përkushtim në muzikë, për faktin se listës suaj të angazhimeve i është shtuar edhe një detyrë e re?
I.Gjoni:
Si muzika klasike, ashtu edhe shkencat politike, kur ushtrohen në këto nivele, duan angazhim shumë serioz dhe pothuajse absolut. Tregu i lirë është i pamëshirshëm. Në punën time që e vogël kam qenë e disiplinuar dhe me kërkesa shumë të larta ndaj vetes. Për të qenë në lartësinë e tyre, u desh të zhvilloja aftësi të spikatura profesionale, por edhe një menaxhim shumë të mirë të kohës dhe nervave: mendimeve, ndjenjave, situatave jetësore, etj.. Pianoja është një burim i madh inspirimi dhe fuqie për mua. Në plan janë disa koncerte, sidomos në sezonet kur ka më pak fluks në kuptimin e takimeve bilaterale dhe multilaterale në kontekstin e zgjerimit të BE-së. Loja e pianos për mua është fizikisht e nevojshme. Qëndrimi në skenë dhe komunikimi transparent e i thellë me publikun është një lloj rimbushjeje me ndjenja pozitive. Në momentin e rikthimit te politika, këto eksperienca më bëjnë një person me resurse më të mëdha energjie, por edhe një kolege më të pëlqyeshme. Raportet e mira me profesionistët e tjerë, aftësia për të menaxhuar situata, tejkaluar probleme dhe ruajtur marrëdhëniet diplomatike, si dhe aftësia për të prezantuar para grupeve të mëdha të njerëzve me vetëbesim dhe karizëm janë shumë të nevojshme, si në politikë, ashtu edhe në studimin e saj. Nuk do të isha asnjëherë ajo që jam si profesioniste e kësaj sfere pa i kaluar të gjitha sukseset dhe sidomos sfidat me pianon deri më sot. Ana ime kreative dhe e patrembur e artistes më jep besim të fortë. Pikërisht ky karakter, i kombinuar me aftësitë dhe njohuritë profesionale, bëri që Carnegie, ndërmjet qindra kandidatëve, të më zgjedhë pikërisht mua. Duke qenë gazetë që lexohet nga të rinjtë shqiptarë, do t’i inkurajoja gjithmonë të zhvillonin talentet që i plotësojnë ata shpirtërisht. Këto energji duhen të synojnë gjithnjë e më lart.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat