
Ka shumë kohë që mësojmë nga disa autoritete politike shqiptare, si përfaqësues autentikë dhe legjitimë të popullatës shqiptare në Mal të Zi, por, edhe nga disa medie vendore dhe më gjerë, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës etj., se ndryshimi i Ligjit mbi të Drejtat dhe Liritë e Pakicave në Mal të Zi, ka zyrtarizuar gjuhën shqipe në të gjitha komunat ku ato përbëjnë 5% të popullsisë. Pra, sipas këtyre autoriteteve politike shqiptare, gjuha shqipe, përveç në Ulqin, Tuz dhe Plavë është zyrtarizuar edhe në Rozhajë, Podgoricë, dhe Tivar.
S’ka dyshim se Ligji aktual mbi të Drejtat dhe Liritë e Pakicave në Mal të Zi, për opinionin e gjërë shqiptar përbën një hap të madh në drejtim të avancimit të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Megjithatë, në qoftë se e marrim për bazë praktikën e deritanishme, faktet flasin vetë dhe tregojnë se gjuha shqipe në Mal të Zi është më shumë një gjuhë e folur mes komunitetit shqiptar, sesa realisht një gjuhë e zyrtarizuar në institucione shtetërore dhe lokale.
Në Mal të Zi, shtet ky që konsiderohet si mjaft demokratik për shqiptarët në disa vendbanime me shqiptarë, nuk ka as shkolla fillore ku mësimi mbahet në gjuhën shqipe. Në ato vende ku shqiptarët kanë mundësi shkollimi në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm, mësojnë me tekste shkollore diskriminuese. Për tekstet shkollore aktuale lirisht mund të themi se janë thjesht përkthime tendencioze, ofenduese dhe diskriminuese për shqiptarët.
Fakti se aktet juridike kushtetuese dhe ligjore në fuqi në Mal të Zi, nuk e zyrtarizojnë gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj në nivel shtetëror, të paktën jo ashtu siç u zyrtarizua gjuha serbe në Kosovë, ku në “Kushtetutën e saj ka një dispozitë ku thuhet se në Kosovë gjuhë zyrtare janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe”, megjithëse serbët përfaqësojnë vetëm 5% të popullsisë së Republikës së Kosovës. “Për më tepër e degradojnë dhe e segmentojnë atë në drejtim të margjinalizimit të saj, me qëllim të zhdukjes së tipareve dhe gjurmëve multinacionale të realitetit shoqëror dhe etnik në Mal të Zi, sepse gjuha shqipe dhe shkrimi i saj në Mal të Zi nuk trajtohet si gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë kolektive, por si një e drejtë individuale, si gjuhë e palës, si gjuhë e individit, si një gjuhë e qasjes, e jo si gjuhë e shtetit, përkatësisht si gjuhë e organit shtetëror apo e personit zyrtar në ushtrimin e veprimeve dhe procedurave të ndryshme zyrtare shtetërore dhe lokale”.
Për ata që nuk kanë njohuri fatkeqësisht, tani statusi kushtetues dhe ligjor i gjuhës shqipe në Mal të Zi veçohet edhe pse shqiptarët ne këto troje janë popull autokton dhe se pikërisht gjuha është ajo që i veçon nga popujt tjerë që e përbëjnë shtetin malazez. “Gjuha shqipe nuk parashihet fare në Presidencën e Malit të Zi, ministrat shqiptarë nuk mund as ta shkruajnë e as ta flasin gjuhën shqipe në Qeveri, seancat plenare të Parlamentit nuk mund të udhëhiqen në gjuhën shqipe, komandat, qoftë ushtarake, qoftë policore, nuk mund të jepen edhe në gjuhën shqipe, procedurat gjyqësore penale, civile dhe të kundërvajtësve nuk mund të udhëhiqen (të realizohen) edhe në gjuhën shqipe (madje as edhe në gjykatat e themeluara në njësitë e vetadministrimit lokal, ku gjuha shqipe gjoja është gjuhë zyrtare në nivel lokal, si: qyteti i Ulqinit, Tuzit, Plavës, Rozhajës, Podgoricës dhe Tivarit”.
Në Mal të Zi, procedurat administrative nuk mund të udhëhiqen edhe në gjuhën shqipe. Prandaj, duhet theksuar se gjuha shqipe dhe shkrimi i saj në të gjitha degët e pushtetit shtetëror në Mal të Zi trajtohet si gjuhë e shtetasve të huaj, ose si gjuhë e minoriteteve. Në ish- Jugosllavinë komuniste, udhëheqja e procedurës gjyqësore edhe në gjuhën shqipe ka qenë e përcaktuar me ligj si një e drejtë kolektive e shqiptarëve. “Nga ana tjetër, sot në praktikë shpesh ndodhin situata tragjiko-komike, sikurse në një proces gjyqësor edhe pse të gjithë pjesëmarrësit janë shqiptarë, si: gjyqtari, avokati, prokurori publik, eksperti mjeko-ligjor, i akuzuari, procesmbajtësi, dëshmitarët, etj., megjithatë të gjithë ata komunikojnë në gjuhën malazeze (sllave) dhe shkrimin e saj?”.
Kjo që u tha më lart ka të bëjë me faktin se shqiptarët në Mal të Zi, nuk i gëzojnë madje, edhe të drejtat në bazë të statusit të minoritetit, si për shembull, Konventa Evropiane mbi Gjuhët Regjionale dhe Minoritare, e cila i obligon vendet anëtare të KE-së (ku bën pjesë adhe Mali i Zi) të sigurojnë që gjykatat në procedurat penale, civile dhe administrative, me kërkesë të njerës palë, të realizojnë procedurat edhe në gjuhën regjionale ose minoritare.
Pra, shihet qartë se Ligji Kushtetues i shtetit të Malit të Zi, përcakton nocionin e një gjuhe zyrtare si gjuhë e shtetit dhe organeve të saj; Prandaj, shtrohet pyetja; a është gjuha shqipe gjuhë zyrtare në këtë shtet, kur ajo nuk mund të flitet ose të shkruhet në kryerjen e punës dhe procedurat zyrtare nga zyrtarët e shtetit që do t’i përkasin 5%.
Gjuha shqipe e përdorur në Mal të Zi është në një situatë të mjeruar, ashtu siç janë edhe vet shqiptarët. Në këtë drejtim kjo që cekëm më lart ka të bëjë me mospërdorimin e gjuhës shqipe në shumë institucione të shtetit si dhe për degradimin e saj nga shumë institucione tjera zyrtare. Pa ulur rëndësinë e këtyre aspekteve që kanë të bëjnë më gjuhën tonë amtare, shqetësim serioz përbën degjenerimi dhe sllavizimi i shqipes nga vetë shqiptarët, nga disa mediume dhe institucione ku përdorimi i saj i drejtë nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe ku kjo është plotësisht në dorën e vet shqiptarëve. Problemi nuk është vetëm te fjalët e përdorura. E keqja është se disi pa u vërejtur shumë edhe fjalitë tek ne po ndërtohen vazhdimisht sipas rregullave të gjuhës malazeze apo serbe.
Përvoja e deritanishme dëshmon se disa përfaqësues të partive politike shqiptare, por edhe politikanë shqiptarë në partitë qytetare gjuhën shqipe e përdorin dhe e bëjnë zyrtare vetëm gjatë fushatave parazgjedhore dhe jo në instuticione shtetërore dhe lokale. Të shumta janë rastet ku shum zyrtarë shqiptarë shtetëror por edhe lokalë (siç është rasti në komunën e Ulqinit) si ato të ekzekutivit ashtu edhe përfaqësuesit e trupit zgjedhor shqiptar (këshilltarët) bastardojnë gjuhën shqipe me arsyen e palogjikshme se më lehtë e kanë të shprehen në gjuhën sllave.
Ky lloj i politikanëve shqiptarë, që injorojnë gjuhën shqipe janë mëkatarë!… Thonë se gjuha është pasuri, dhe sa më shumë gjuhë flet njeriu aq më i pasur është. Kjo është e vërtetë, siç është e vërtetë se për ta mësuar dhe njohur një gjuhë të huaj është parakusht që ta dish ta flasish dhe ta shkruash gjuhën amtare. Prandaj këtij lloji të politikanëve shqiptarë askush nuk ua mohon të drejtën e tyre që të manipulojnë me elektoratin shqiptar gjatë fushatave zgjedhore, por askush nuk ju lejon që të shfrytëzojnë pozitat e tyre politike për të shpërbërë gjuhën shqipe si gjuhë amtare.
Partitë politike shqiptare si përfaqësues autentikë dhe legjitim të popullatës shqiptare në Mal të Zi, duhet ta kenë të qartë se veprimet e këtilla të mospërdorimit të gjuhës shqipe nga përfaqësuesit e tyre partiakë është manipulim jokorrekt ndaj votuesve shqiptarë të tyre. Për ata përfaqësues dhe politikanë që bastardojnë gjuhën shqipe, dëshiroj tju them se të “kesh programin partiak tënd, të ndryshosh nga të tjerët, është sa logjike aq edhe e drejtë dhe demokratike.Të mos pajtohesh me programet e të tjerëve është po aq e logjikshme, po aq e drejtë dhe dyfish më demokratike. Por, të mos pajtohesh me programin tënd partiak, me politikat e tua, të shkelësh parimet e tua është dyftyrësi. E keqja edhe më e madhe bëhet kur dyftyrësinë tënde tenton t’ua shesësh të tjerëve, kur popullit që përfaqëson tenton t’ua nënçmosh intelegjencën”.