Ulqin – SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin ka zhvilluar disa aktivitete ndërgjegjësuese në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, e cila ka filluar më 25 nëntor dhe ka përfunduar më 10 dhjetor 2023, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Në kuadër të kësaj fushate janë prezantuar rezultatet e anketës “Hulumtimi mbi qëndrimet e të rinjve në lidhje me dhunën digjitale në kontekstin e dhunës mbi bazë gjinore”, e cila është zhvilluar në kuadër të projektit “Parandalimi i gjuhës së urrejtjes dhe dhunës digjitale në bazë gjinore ndaj grave përmes fuqizimit të të rinjve”, të financuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, si dhe është ndarë material edukues.
Dhuna mund të luftohet vetëm përmes promovimit të barazisë gjinore dhe ndërgjegjësimit
Sipas drejtoreshës së SOS Telefonit për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin, Hatixhe Nelaj, dhuna në familje është një problem i përhapur social, shëndetësor, global, që kapërcen kufijtë dhe ndodh në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës.
“Është një fenomen që ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social, sidomos të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë: grave, fëmijëve dhe të moshuarve”, shprehet ajo, duke shtuar se “kjo dukuri e shëmtuar për fat të keq nuk e anashkalon as Komunën e Ulqinit, ku çdo vit shënojmë rritje të numrit të rasteve të paraqitura të këtij fenomeni të shëmtuar”.
Nelaj thotë se shoqëria jonë priret ta konsiderojë dhunën në familje si një çështje private, familjare dhe si një pjesë normale të jetës bashkëshortore e familjare.
“Duke qenë se dhuna në familje shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur në shoqërinë tonë, viktimat përgjithësisht vuajnë në heshtje”, thekson ajo.
Nelaj thotë se në përvojën 23-vjeçare të punës së SOS Telefonit – Ulqin kanë kuptuar se dhuna mund të luftohet vetëm përmes promovimit të barazisë gjinore dhe ndërgjegjësimit.
“Për 23 vjet punë, që nuk kanë qenë aspak të lehta, sidomos në një rreth siç është komuna jonë, ku kanë mbizotëruar dhe akoma mbizotërojnë paragjykimet, mund të themi se arritjet tona janë reale, të prekshme, por edhe realiteti është po aq i prekshëm, ndërgjegjësimi se ne jemi vetëm në gjysmë të rrugës, dhuna me bazë gjinore është një punë e papërfunduar. Ky është qëllimi ynë kryesor që duhet përmbushur”, pohon ajo.
Dhuna në familje është forma më e përhapur e abuzimit ndaj grave në mbarë botën, pavarësisht rajonit, kulturës, përkatësisë etnike, arsimimit, klasës dhe fesë.
Drejtoresha e SOS Telefonit – Ulqin thotë se ky fenomen nuk është në rritje, por nuk fshihet më si dikur, në fillim të punës së tyre.
“Gjatë pesë viteve të fundit, numri i paraqitjes së rasteve në nivel vjetor sillet prej 60 deri në 70 raste. Shoqëria, veçanërisht gratë, janë më të ndërgjegjësuara se duhet të raportojnë dhunën në familje, institucionet janë më të përgjegjshme në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes për viktimat, është fituar një besim pak më i madh tek institucionet, por që jemi larg nga ajo që dëshirojmë dhe duhet arritur”, shprehet Nelaj.
Sipas saj, pozita e gruas në Ulqin është shumë specifike, sepse kushtëzohet nga tradita, e cila reflektohet në pikëpamjet konservatore dhe diskriminimin ndaj grave në të gjitha nivelet.
“Shoqëria në të cilën jetojmë në shumicën e rasteve e pranon dhunën ndaj gruas si një sjellje ‘normale’ dhe të pranueshme të burrave. Madje edhe kur bëhet fjalë për forma të rënda të dhunës, ata e kërkojnë fajin për krimin e kryer nga viktima dhe jo nga autori”, thotë Nelaj.
Gjatë këtij muaji, SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin do të organizojë tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante, me të cilat kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit. Me këtë tryezë përfundon realizimi i projektit “Parandalimi i gjuhës së urrejtjes dhe dhunës digjitale në bazë gjinore ndaj grave përmes fuqizimit të të rinjve”, për të vazhduar me projektin “Së bashku në zero tolerancë të dhunës ndaj grave”, i cili është mbështetur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
i. k.
Prezantohen rezultatet e anketës mbi qëndrimet e të rinjve në lidhje me dhunën digjitale
Rezultatet e anketës “Hulumtimi mbi qëndrimet e të rinjve në lidhje me dhunën digjitale në kontekstin e dhunës mbi bazë gjinore” janë prezantuar nga aktivistja e SOS Telefonit për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin, Ajdina Metani, në konferencën për shtyp të mbajtur më 4 dhjetor 2023.
Anketimi tregon se 17.95 e nxënësve të anketuar vlerësojnë se kanë qenë viktima të bullizmit, 12.85 për qind e tyre se kanë qenë viktima të dhunës nga bashkëmoshatarët e tyre të paktën një herë, 2.55 për qind më shumë herë, kurse 66.65 për qind kanë deklaruar se nuk kanë qenë viktima të bullizmit nga bashkëmoshatarët e tyre.
Në pyetjen se a duhet të lajmërohet dhuna në internet në polici, 90.6 për qind e nxënësve të anketuar vlerësojnë se duhet lajmëruar, kurse 9.4 për qind se nuk duhet lajmëruar.
Pjesë e anketës kanë qenë 117 nxënës. Përpos anketës, në kuadër të projektit “Parandalimi i gjuhës së urrejtjes dhe dhunës digjitale me bazë gjinore ndaj grave përmes fuqizimit të të rinjve” janë zhvilluar dhjetë punëtori me nxënësit e viteve të treta dhe të katërta të shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin si dhe është realizuar një video spot me mesazhet e nxënësve pjesëmarrës në punëtori.