Bota ka nevojë për të rinj tëtalentuar dhetë pasionuar

Anton Gjokaj ka lindur në vitin 1994. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfunduar në Tuz me sukses shembullor, si fitues i diplomës “Pishtar” dhe “Nxënës i gjeneratës”. Që nga klasa e fundit e shkollës fillore dhe gjatë shkollimit të mesëm ka arritur suksese të njëpasnjëshme në gara shtetërore nga Matematika. Ka përfaqësuar Malin e Zi në garat ballkanike të matematikës për juniorë (Sarajevë 2009), në garat ballkanike të matematikës për seniorë (Qipro 2013) dhe në Olimpiadën Internacionale të Matematikës (Kolumbi 2013). Pas mbarimit të fakultetit matematiko-natyror në Podgoricë – drejtimi Matematikë, dhe pas studimeve master, nga shtatori i vitit 2019 vijon studimet e doktoratës në po të njëjtin fakultet. Në nëntor të vitit 2023 ka mbrojtur temën e disertacionit “Vetitë kufitare të pasqyrimeve kvazikonformale harmonike në hapësirë”. Gjatë studimeve ka qenë bartës i bursave të Komunës së Tuzit, Ministrisë së Arsimit dhe Fondit Humanitar “Malësia” si dhe është shpërblyer me këto çmime: “Studenti më i mirë i Fakultetit Matematiko-Natyror”, 2015; “Pllaka e Universitetit”, pesë studentët më të mirë të Universitetit të Malit të Zi, 2017; Shpërblimi i CANU, gjashtë të rinjtë më të talentuar në shkencë, Akademia e Shkencave dhe Artit të Malit të Zi; Shkencëtari i ri më i suksesshëm nën 30 vjeç në Mal të Zi për vitin 2022 – Ministria e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik

Koha Javore: Z. Gjokaj, historia juaj e suksesit të pandërprerë, e arritjeve dhe e çmimeve, i ka rrënjët që në ditët e shkollës fillore dhe të mesme, si nxënës përherë i veçuar dhe shembullor i gjeneratës, që me talentin tuaj të spikatur në fushën e matematikës, ia ngrinit imazhin edhe shkollave ku mësonit. A mund të na tregoni çfarë kujtoni nga koha e shkollimit fillor dhe atij të mesëm, dhe çfarë ishte motiv i arritjeve tuaja?
A. Gjokaj: Kujtoj me kënaqësi kohën e shkollimit fillor dhe të mesëm, pasi që gjatë kësaj periudhe kalova nga mësimet e para në botën e dijes e erdha në takimet e para me sfida më komplekse, gjithnjë me motiv të fortë për zhvillim. Motivi i arritjeve në shkollë, sidomos kur është fjala për pjesëmarrje në gara shtetërore dhe ndërkombëtare, vinte nga dëshira për të shfaqur aftësitë, por edhe nga dëshira për të përmirësuar gjendjen dhe imazhin e një mjedisi mësimor, i cili shpesh padrejtësisht në opinion nuk çmohej sa duhej. Eksperienca nga pjesëmarrjet në gara ndërkombëtare më bëri të ndihem pjesë e një komuniteti global të dijes dhe të krijoj edhe miqësi përtej kufijve, që i ruaj edhe sot. Këto, përkrahja e familjes dhe mësimdhënësve si dhe afërsia e shoqërisë bënë që udhëtimi im shkollor të jetë një periudhë tejet e bukur, e mbushur me përvoja të reja dhe zhvillim personal.

Koha Javore: Në vitin 2016 keni përfunduar studimet bachelor me notën mesatare 10.00, në Fakultetin Matematiko- Natyror në Podgoricë, drejtimi – Matematikë. A mund të na rrëfeni se çfarë është përcaktuese për arritjen e këtyre sukseseve në kontinuitet?
A.Gjokaj:
Një nga elementet kryesore për rezultate të mira është motivimi personal. Motivimi krijon energji shtesë për të punuar me përkushtim dhe siguron entuziazëm edhe në qasje të problemeve që kërkojnë më shumë kohë. Një tjetër faktor i rëndësishëm është organizimi, pasi që menaxhimi i mirë i kohës mundëson që të nxirret maksimumi nga sfidat me të cilat përballemi gjatë studimeve. Kjo nuk nënkupton shterim të krejt energjisë në mësim dhe lexim, por përkundrazi edhe kohë për aktivitete tjera dhe hobi, në masë të përshtatur obligimeve dhe prioriteteve. Gjithashtu, përvoja e ndarjes së njohurive dhe diskutimi me kolegët e shkollës mund të përmirësojë aftësinë e studentëve për ta kuptuar më thellë leksionin. Të gjitha këto, kur kombinohen në mënyrë harmonike, krijojnë bazë për sukses të qëndrueshëm në fushën e arsimit.

Koha Javore: Ndër një mori çmimesh të fituara përgjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare, do të veçoja Çmimin “Shkencëtari i ri më i suksesshëm nën 30 vjeç në Mal të Zi për vitin 2022”, dhënë nga Ministria e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik. Shkurtimisht, çka ishte subjekt studimi i juaji përpara se t’ju jepej ky çmim i rëndësishëm?
A.Gjokaj:
Çmimi erdhi si shpërblim për rezultatet e arritura në kërkime shkencore përmes botimit të dy punimeve si autor i parë në revista nga lista SCI/SCIE në teorinë e funksioneve harmonike kvazikonformale. Këtë çmim e shoh si të veçantë, sepse është çmimi i parë që e fitoj për arritje shkencore. Është kënaqësi të shpërblehesh, të të shpaguhet mundi e puna, sidomos kur kjo vjen nga institucione të larta shtetërore. Një vlerësim i tillë edhe imponon, prandaj shpresoj se nuk do të jetë i vetmi, por ta arsyetoj edhe në të ardhmen.

Koha Javore: Nga shtatori i vitit 2019 vazhduat studimet e doktoratës në po të njëjtin fakultet, në Fakultetin Matematiko- Natyror në Podgoricë, duke përfunduar provimet e doktoratës me notën mesatare 10.00, ku keni publikuar dy punime shkencore në fushën e funksioneve harmonike kvazikonformale. Me çfarë kanë të bëjnë këto dy punime, shkurtimisht nëse mund të na i shtjelloni?
A. Gjokaj:
Po, siç e ceka, fusha ime e studimit ka të bëjë me funksione harmonike kvazikonformale, një fushë që ka aplikim në dinamikë, në topologji, në teorinë e ekuacioneve parciale etj. Mentori im prof. David Kalaj ka dhënë një kontribut të çmueshëm në këtë fushë, sidomos në rastin e rrafshit duke publikuar rezultate të vlerësuara lart në qarqet e ekspertëve të kësaj fushe. Unë, sipas sugjerimit të tij, kam vazhduar një pjesë të këtyre hulumtimeve duke fituar disa rezultate interesante edhe në hapësirë shumëdimensionale. Rëndësia e këtyre rezultateve bëhet e dukshme edhe për shkak se kalimi nga rrafshi në hapësirë zakonisht nuk është krejt i lehtë në mungesë të teorisë së funksioneve komplekse në hapësirë. E shoh si obligim të këndshëm ta falënderoj Prof. Dr. David Kalajn për mbështetjen dhe mentorimin gjatë studimeve, e sidomos në kohën e fundit gjatë hulumtimeve dhe shkrimit të punimeve. Mënyra e tij e të punuarit për mua paraqet frymëzim.

Koha Javore: Nga viti 2017 jeni të punësuar si asistent pranë Universitetit të Malit të Zi, bashkëpunëtor në lëndët: Analizë 3, Analizë 4, Analizë Komplekse 1, Analizë Komplekse 2, Ekuacione Diferenciale, Algjebër, Hyrje në Gjeometri Diferenciale si dhe Matematikë, në Fakultetin Elektroteknik dhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë. Si arrini që të jeni kaq gjithëpërfshirës dhe që të jepni kontribut kaq të gjerë në fushën e matematikës?
A. Gjokaj:
Puna e mësimdhënësit në një qendër universitare kërkon përgjegjësi, pasi që mësimdhënësi duhet të jetë gjithmonë një hap para, të ketë parasysh një imazh më të gjerë të asaj që është tematika e një kursi dhe të jetë i gatshëm për këndvështrime dhe pyetje sfiduese të studentit. Prandaj, mendoj se mësimdhënësi duhet t’i kushtojë rëndësi edhe përgatitjes së orës dhe sidomos mënyrës se si ai shpërndan njohuritë me studentët. Me këtë të fundit kam në mendje edhe entuziazmin dhe karizmën e tij, pra sa ai mban vëmendjen e studentëve dhe sa i përqendron ata në problematikë. Sot nëpërmjet internetit kemi qasje edhe në ligjërata të incizuara në universitetet më elitare botërore. Edhe këtë e shoh si mënyrë të mirë që para studentëve të dalim me shpjegime inovative dhe kështu të rrisim kualitetin e procesit mësimor edhe në qendra të vogla universitare siç është e jona. Gjitha këto më bëjnë edhe më të pasionuar për ushtrimin e kësaj detyre.

Koha Javore: Z. Gjokaj, para pak ditësh keni mbrojtur temën e disertacionit “Vetitë kufitare të pasqyrimeve kvazikonformale harmonike në hapësirë”, ku keni marrë titullin shkencor, Doktor i Shkencave në Matematikë. Çfarë trajton ky objekt juaji studimor?
A.Gjokaj:
Disertacioni përfshin rezultatet e publikuara autoriale si dhe disa përgjithësime të tyre që i kam paraqitur në simpozium shkencor. Siç edhe e parasheh një punim i disertacionit, në pjesën e parë janë paraqitur nocionet bazë lidhur me teorinë e funksioneve harmonike dhe kvazikonformale. Në këtë pjesë, jam munduar që me shpjegime shtesë e të detajuara si dhe me ilustrime vizuale lexuesit t’ia afroj këto koncepte subtile. Si i tillë, besoj se ky punim mund të jetë i dobishëm si për studiues që duan të mësojnë bazat e kësaj fushe, si për ata që duan të vazhdojnë gërmimet në këtë drejtim.

Koha Javore: Z. Gjokaj, çfarë porosie keni ndaj gjithë të rinjve dhe të rejave që kanë synim që të arrijnë dhe të lenë gjurmë në karrierën e tyre profesionale?

A.Gjokaj: Bota ka nevojë për të rinj të talentuar dhe të pasionuar si në shkencë, ashtu edhe në çdo lëmi. Edukimi është një rrugë e gjatë, por çdo hap që hidhni drejt diturisë është hap drejt ndryshimeve të mëdha në jetën tuaj. Bëhuni kureshtarë, pyetni e hulumtoni, zbuloni talentin tuaj dhe zhvilloni aftësitë tuaja. Jini këmbëngulës për të ndjekur ëndrrat dhe mos ndalni së mësuari.

Koha Javore: Cilat janë planet tuaja më të afërta në fushën e kësaj shkence jo të lehtë dhe ekzakte, të matematikës?

A.Gjokaj: Në aspektin shkencor synimi kryesor është që të vazhdoj me hulumtime të reja, duke eksploruar sfera të reja të dijes. Në këtë drejtim shkon edhe pjesëmarrja në konferenca shkencore, pasi që ashtu jepet mundësia t’i ndajmë njohuritë dhe idetë me komunitetin shkencor si dhe të krijojmë rrugë për bashkëpunime të reja. Nga ana tjetër, roli i mësimdhënësit në fakultet ma imponon që të ndërmarr rol aktiv edhe në përmirësimin e cilësisë së studimit, prandaj shpresoj se në një të ardhme jo të largët në bashkëpunim me profesorë nga fakulteti të qesim në dritë materiale mësimore të reja e kualitative për studentë.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat