Shtëpia e vjetër krajane, karakteristikat dhe roli i saj

(Vijon nga numri i kaluar)
Për nga pamja, këto tipa shtëpish të vjetra, si dominuese në trevën e Krajës, ndonëse nuk kishin një pamje gjithaq tërheqëse nga jashtë, me dritaret e tyre të vogla, të “blinduara” me shufra hekuri apo druri të cilat ishin të kryqëzuara në katrorë të njëjtë, prapëseprapë, kur e shikon nga brenda, duke filluar që nga oborri i saj rrethuar me mure të thatë prej guri, aty-këtu ndonjë pemë, ku dominonte pema e manit, e disa të tjera me hardhi rrushi, apo edhe ndonjë pemë tjetër të rritur për hije, e ku kishte hapësirë edhe për vendosjen e luleve nëpër oborr, ajo tip shtëpie të lë një përshtypje të madhe dhe të mbushë me kënaqësi. Në pjesën e poshtme të dritares është i punuar një prag prej betoni në formë kornize. Para se të përdorej betoni, ky lloj pragu ishte i punuar nga guri i latuar dhe i gdhendur mirë i kapur anash me llaç dhe i forcuar për murin e shtëpisë. Dritaret nuk kishin një pozicionim të njëjtë por vendoseshin sipas nevojës se ku nevojitet të dominonte dritë e bollshme në ambientin e brendshëm të shtëpisë.
Shtëpia e vjetër krajane është e ndarë në dy nivele me përmbajtje të ndryshme funksionale. Nëse i hedhim një vështrim dy kateve të shtëpisë, atij përdhese dhe atij të sipërmit, shohim një dallim shumë të madh, si për nga hapësira e tyre po ashtu edhe për nga mënyra e përdorimit të njërës apo tjetrit nivel (kati). Niveli (kati) përdhese ishte zakonisht i pabanuar, mbasi shërbente si shtallë (ahri-ahur) i bagëtisë apo si depo mallrash shtëpiake. Ishte e ndarë në pjesë të ndryshme të quajtura “vathë bagëtish” varësisht nga lloji dhe numri i kafshëve që një familje mbante për nevojat e veta shtëpiake. Ndarja e këtyre “vathëve” bëhej zakonisht me gardh prej thuprave të drurit ose me parmak (shtylla të holla) druri dhe secila prej tyre kishte derën për hyrje dhe dalje të kafshëve shtëpiake. Në shumicën e shtëpive krajane, në katin e përdhese ku ishte i vendosur “vatha” (ahri-ahuri) të bie në sy dera me hark qemeri, me një përpunim të jashtëzakonshëm mjeshtëror. Qemeri është një punim nga gurë të mëdhenj, i përpunuar dhe i gdhendur derisa të marrë formën e gjysëmharkut.
Kati i sipërm i shtëpisë së vjetër krajane fillonte me çardakun e hapur, të dalë jashtë nga dhomat e familjes, mbuluar me strehët e kulmit të shtëpisë i cili ishte i dalë mbi çardak. Në mes të derës hyrëse dhe pjesëve ndarëse (dhomave) në ambientin e brendshëm të shtëpisë ndodhej një korridor i vogël i cili ndante “akshihanen” nga dhomat tjera të shtëpisë krajane. Në njërin krah të çardakut ishte e vendosur një dhomë familjare, kurse dhomat tjera dhe “akshihanja” (kuzhina) janë të vendosur në brendi, pra pas çardakut. Në pjesët e brendshme të kësaj shtëpie një vend të rëndësishëm zë “akshihanja” e cila konsiderohej edhe dhoma e pritjes së miqve, derisa disa familje të kamura krajane filluan të ndërtonin një dhomë në vete për pritjen e miqve, të pajisura me orendi dhe stufë për nxehje, ndryshe e quajtur “oda pritjes”. Një dhomë e tillë në këto shtëpi ka mundur të vërehet nga mesi i shekullit XX. Ky lloj dhome kishte një trajtim të veçantë, sepse kush kishte të tillë dhomë në shtëpi konsiderohej i kamur. Këto oda ishin të pajisura me orendi të ndryshme të kohës si me ndonjë “kredenc” (vitrinë), mindere, qilima, stufën (shporetin) për ngrohje, ndonjë fotografi e rastit e vendosur në mur, etj.. Disa dhoma në këto shtëpi kanë tavanet prej drurit të gdhendur e të zbukuruara me forma-modele të ndryshme. Pjesa ku merrte “akshihanja” ishte e pajisur edhe me elemente tjera të nevojshme për zhvillimin e jetës normale të një familjeje. Aty gjendej “votra” karakteristike vendase, ku përball saj qëndronte “oxhaku”, një pjesë e futur në mur. “Votra” luante rolin kryesor në këtë ambient, ku ndizej zjarri dhe përgatitej ushqimi për tërë familjen. Rreth votrës grumbullohej e tërë familja për të ndenjur dhe aty priteshin edhe miqtë, të ulur në qilima dhe jastëkë apo stola druri, ku ndizej zjarri dhe gjithë rrotull tij bënin biseda të ndryshme dhe në atë mënyrë kalonte nata e një familjeje por edhe me miqësi. Për të qenë një votër e kompletuar, në përbërjen e vet duhet të kishte edhe disa elemente të nevojshme gjatë përdorimit të saj. Elementet përbërëse të saj janë: “vargoni” i lidhur lart mbi votër, në ndonjë pjesë të tranit i cili shërbente për vendosjen e ndonjë ene (kusije) për përgatitjen e gjellës për pjesëtarët e familjes, “masha” që nevojitet për të përzier zjarrin apo për të kapur ndonjë “unë zjarri” apo ndonjë “gacë”, për t’iu ndezur duhanxhinjve apo për t’i ndezur edhe mikut duhanin, “demiraxhaku” i cili shërbente për të mbajtur një anë të druve kur vendoseshin në zjarr dhe “saxhaku” i cili shërbente për të vendosur ndonjë enë (kusi) për të zier ndonjë gjellë (darkë), për të vendosur “furterën” për të fërguar ndonjë fërgesë apo kavërdisur (fërguar) ndonjë ushqim të nevojshëm për familje. Pastaj, brenda “akshihanes” gjendeshin edhe pajisje tjera, si: “furra e bukës” e cila ishte e vendosur në një kënd të saj, pastaj kishte edhe një orendi prej druri-dërrasash të gdhendura të quajtur “çarranik”, që shërbente për mbajtjen e enëve (pajisjeve) shtëpiake dhe ushqimit. Pastaj në “akshihane”, në një pjesë të saj, diku në një kënd ishte i vendosur edhe “sqolli”, i cili nevojitej për mbajtjen e higjienës familjare, ku laheshin enët e përdorura dhe çdo anëtar i familjes përdorte “sqollin” për të mbajtur higjienën personale.
Një pjesë e mureve të “akshihanës” ishin të dekoruara me “sergji”, pjesë kjo prej druri të gdhendur, e vendosur në mur, diku në 3 m lartësi mbi çardakun e shtëpisë, ku mbaheshin pjesë të ndryshme për nevojat e familjes, apo edhe ndonjë vegël jo shumë e rëndë. Të pakta ishin ato “akshihane” që kishin ndonjë dritare. Drita në të depërtonte përmes çatisë ku liheshin një apo dy vrima në formë dritare prej xhami në tavanin e çatisë me dimensione të caktuara.
Çatia (kulmi) e shtëpisë së vjetër krajane është e mbuluar me tjegulla, ku mbi to ishin të vendosura tre deri në katër rende me gur, varësisht nga madhësia e çatisë, për të mbajtur tjegullat që mos t’i luajnë erërat e forta dhe stuhitë e shiut. Nuk kanë ekzistuar çati të mbuluara me rrasa si në disa treva të tjera shqiptare.
Në përbërje të shtëpisë krajane hyn edhe oborri i saj me elementet e veta të nevojshme për zhvillimin e një jete normale të një familje krajane. Oborri së bashku me shtëpinë formojnë “një unitet funksional, që e bën më të gjallë e më të prekshme edhe shtëpinë, rolin dhe funksionet e saj”. Oborri i shtëpisë krajane nuk është i kushtëzuar dhe nuk është i lidhur ngushtë me ndonjë lloj, siç është shtëpia krajane. Disa familje krajane kanë pasur në shfryytëzim dy oborre, njërin aty ku ndërtohej shtëpia dhe tjetrin pak më poshtë ku në të shumtën e rasteve quhej “oborri poshtë” ose një tjetër anesh atij ekzistues. Nuk mungojnë lloje të ndryshme oborresh që favorizojnë llojin e familjes të madhe apo të vogël. Në oborr janë të sistemuara edhe disa elemente të tij, si bie fjala: “saranxha” një lloj bunari që bën grumbullimin e ujit nga çatie e shtëpisë ose me anë të një lami të vogël, ujin që përdorte një familje krajane, për pije, ushqim e nevoja sanitare familjare. Aty-këtu oborri kishte edhe ndonjë pemë apo hardhi rrushi, zbukuruar me ndonjë lule apo saksi lulesh. Në një kënd të oborrit ishte e vendosur edhe ndonjë vathë bagëtish ku mbaheshin bagëtia për një kohë të shkurtër, sa për t’iu dhënë pak ushqim, apo kur ktheheshin nga kullosat. Në oborr ishte e vendosur edhe kasollja për sistemimin e ushqimit për bagëti.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat