
Në përpjekje të vazhdueshme për ta thelluar ndërgjegjësimin mjedisor dhe për t’i promovuar praktikat e qëndrueshme, shkolla fillore “Bedri Elezaga” në Katerkollë mikpriti sesionin edukativ mjedisor me temën “Ta Mbrojmë Plazhin e Madh”.
Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në ambientet e bibliotekës së shkollës me datën 8 nëntor 2023, duke sjellë së bashku nxënësit, mësuesit dhe ekspertët e fushave të ndryshme për të shqyrtuar situatën aktuale të pyjeve bregdetare në Plazhin e Madh në Ulqin. Vlen të theksohet se gjatë tërë sesionit nxënësit komunikuan në gjuhën angleze.
Sesionin e hapi drejtori i Shkollës, Mustaf Bardhi, i cili foli për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe rolin që shkolla mund të luajë në këtë drejtim. Pas fjalës përshëndetëse të drejtorit, sesionin e vijoi Znj. Vjola Avdiu, e cila prezantoi projektin JICA për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (NFFIS & Eco-DRR) dhe mbajti një aktivitet praktik të njohur si “Le të ndërtojmë një pemë nga origami”, duke integruar kulturën japoneze në programin edukativ.
Një mënyrë e shkëlqyeshme për të ilustruar konceptin e bashkëpunimit dhe krijimit të diçkaje të bukur nga një material i thjeshtë, duke përmbyllur kështu fazën e hyrjes së sesionit.
Në vijim, Znj. Vjola Avdiu shpjegoi sfidat e ndryshimeve klimatike dhe praktikat miqësore me mjedisin. Fokusi u bë më i ngulitur në situatën aktuale të pyjeve bregdetare në Plazhin e Madh. Përmes një analize të detajuar, u evidentuan problematikat e lidhura me erozionin e plazhit, dëmet nga kripërat në zonat e lagjeve, dhe humbjen e hapësirave pyjore me veti kuruese, hijes dhe mbrojtjes nga erërat.
Znj. Avdiu prezantoi aktivitetet e projektit JICA në Plazhin e Madh, duke përfshirë Pyllin e Pishave. Në këtë kontekst, u shqyrtuan praktikat më të mira nga pyjet bregdetare në Japoni, duke ofruar një model për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit.
Në segmentin e sesionit dedikuar edukatës për fatkeqësitë natyrore, Znj. Pera Pavlica-Dragisic ofroi një perspektivë të rëndësishme mbi rrezikun dhe masat parandaluese që mund të ndërmerren për të zvogëluar dëmet nga ngjarjet natyrore.
Pjesa më e vlefshme e aktivitetit ishte puna në grup me nxënësit. Ata diskutuan intensivisht veprimet e ardhshme në Pyllin e Pishave në Plazhin e Madh, prezantuan idetë e tyre dhe ndanë mendimet mbi strategjitë e mundshme për t’i adresuar sfidat që paraqiten.
Përmes këtij sesioni edukativ, nxënësit e shkollës ‘Bedri Elezaga’ u njohën jo vetëm me kulturën japoneze dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike, por edhe me sfidat e natyrës së tyre lokale, duke thelluar kështu ndërgjegjësimin mjedisor dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm.
Shkolla “Bedri Elezaga” në Katerkollë, nëpërmjet këtij aktiviteti të mbajtur, tregoi përkushtim të vazhdueshëm për promovimin e ruajtjes së mjedisit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve për sfidat mjedisore. Me këtë rast shkollës i u nda edhe mirënjohje.Ky aktivitet demonstron se shkolla është e përkushtuar jo vetëm në arsimimin e nxënësve në fushën akademike, por gjithashtu në ndërgjegjësimin e tyre ndaj çështjeve mjedisore dhe ndërtimin e kapaciteteve për të luftuar këto sfida. Mirënjohja përshëndet dhe inkurajon angazhimin e vazhdueshëm të të gjitha palëve në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe në adresimin e çështjeve mjedisore.
Në një kohë kur sfidat mjedisore po bëhen gjithnjë e më të perceptueshme, kjo shkollë shfaq liderë të ardhshëm të gatshëm të përballojnë këto sfida dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit. Mirënjohja është një formë e përshtatshme e shprehjes së falënderimeve për një angazhim të tillë të rëndësishëm dhe të ndërlikuar për mirëqenien e mjedisit dhe shoqërisë në tërësi.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Projektit për Ndërtimin e Kapaciteteve për Reduktimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë Natyrore përmes Sistemit Nacional Informativ për Zjarret Pyjore (NFFIS) dhe Eco-DRR’’ i cili zbatohet nga Agjensioni Japonez JICA me mbështetjen e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim pranë Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi. Aktivitetin e nderuan me prezencën e tyre stafi i projektit JICA me në krye z. Hiroshi Nakata dhe lideri i projektit Yuta Morikawa.