Shtëpia e vjetër krajane, karakteristikat dhe roli i saj

Hamid Alaj New York

Kur flasim apo bëjmë ndonjë hulumtim për shtëpinë shqiptare, e në veçanti për atë krajane, duke e mbështetur temën në fjalë, në rend të parë duhet të dimë se çka paraqet ky emërtim brenda një treve. Emërtimi “shtëpi” shënon banesën dhe familjen, e që në zanafillë shtëpia është krijesë e një të pari, e cila ndërkohë vjen duke u shtuar me pjesëtarë të tjerë të familjes, të cilët të gjithë së bashku gjallëronin në pronën e përbashkët, duke punuar e duke shfrytëzuar njësoj, duke përballuar bashkërisht nevojat e të papriturat e jetës, duke ndarë me njëri-tjetrin fitimet e dëmet, nderin e turpin.
Në bazë të traditës së vjetër krajane, por edhe asaj mbarëshqiptare, një bashkësi familjare është identifikuar me anë të shtëpisë, ose fjala “shtëpia e filanit” ka identifikuar ose ka pasur kuptimin e një “familjeje”. Krajani, si gjithë shoqëritë tjera, ka ëndërruar të ketë një shtëpi të mirë për të jetuar, sipas mënyrës së tij të të jetuarit, sipas shijes së tij. Ndërtimi i një shtëpie të mirë ëndërrohej të ndërtohej me mur guri të mirë, të latuar dhe të ketë një pamje “fisnike” (të mirë) si nga ambienti i jashtëm, ashtu edhe nga ai i brendshëm, por në pamundësi që ambienti i brendshëm të ishte i tillë sepse brenda ishte me pajisje tepër të varfra. Fshatari krajan nuk arrinte ta bënte një shtëpi të tillë, ndoshta nga varfëria, nga kushtet ekonomike familjare, jo gjithaq të përshtatshme për një shtëpi të mirë, por në shpirt e në zemër e kishte gjithmonë këtë ëndërr për një projekt të një shtëpie me pamje fisnike. Mirëpo, ndërtimi i shtëpisë në familjen krajane ishte një ngjarje me shumë rëndësi në jetën e tyre. Ky ndërtim shtronte një sërë pyetjesh e dëshirash, por edhe shqetësimesh. Të gjitha këto ishin të lidhura me gjendjen ekonomike të familjes, gjetja e truallit, gjetja e materialit për ndërtim, gjetja e mjeshtërve, ndërtimi i rrugës për në shtëpi, etj.
Në bazë të shpërndarjes së fshatrave dhe fizionomisë së tyre, ashtu është bërë edhe shpërndarja e ndërtimit të banesës-shtëpive fshatare në trevën e Krajës. Shtëpitë krajane mund të ndahen ashtu siç ndahen fshatrat e kësaj treve. Në shtëpi të vjetra dhe në shtëpi të reja apo moderne. Ndërtimi i tyre fillon në periudha të hershme. Ndërtimi i shtëpisë krajane vjen si rrjedhojë e strehimit të popullsisë së zonës në hapësirë banimi. Shtëpia krajane luan një rol të rëndësishëm në shoqërinë krajane. Ndërtimi i tyre është bërë sipas ekonomisë familjare dhe numrit të anëtarëve të saj dhe në bazë të saj është përcaktuar hapësira e nevojshme për ndërtimin e një shtëpie banimi në këtë trevë.
Vendosja e ndërtimit të shtëpisë së banimit në familjen krajane, në këtë apo në atë nivel, ka qenë e kushtëzuar nga faktorë të natyrave të ndryshme, ku si më i rëndësishmi ka qenë ai ekonomik. Pastaj, faktorë tjetër ka qenë edhe ai i gjetjes së truallit, vendi se ku do të ndërtohet shtëpia, terrenit të përshtatshëm për ndërtim, pozita e vendosjes së shtëpisë e të tjerë faktorë të natyrave të ndryshme. Ndërtimi i shtëpisë së banimit në trevën e Krajës, në kuptimin e ngushtë, nuk mund të kuptohet pa tokën e punës dhe kullotat. Këtë aspekt ndërtimi në nevojë njëra për tjetrën e ka mundësuar organizimi i jetës dhe i punës në fshat. Kjo dukuri e ndërtimit të shtëpisë krajane ka qenë karakteristike për të gjitha familjet krajane, në zona malore, kodrinore e fushore. Mirëpo, nuk mungojnë as ndërtimi i shtëpive krajane në ato zona banimi ku mund të shfaqet në raporte relativisht kompakte në raport me zonën ekonomike. Kjo dukuri vërehet më së shumtit në fshatra të vegjël.
Truallit-vendit për ndërtimin e shtëpisë fshatari krajan e zgjedh sipas dëshirës së vet dhe aty ku e sheh më të përshtatshëm për të ndërtuar një shtëpi. Ai gjithmonë ka zgjedhur vende të përshtatshme për ndërtim, si afër ujit, rrëzë shpateve të malit apo kodrinave, vend ku e rreh dielli, në vende mbrojtëse nga lagështia. Ndërtimi i shtëpive në lartësi kodrinore apo rrëzë maleve vinte si rrjedhim për të mos zënë tokën e bukës, të punueshme. Ishin të rralla ato familje që ndërtonin shtëpi në rrafshinë (tokë buke të punueshme) dhe kur i ndërtonin duhej të ngriheshin mbi tokë për t’u mbrojtur nga lagështia.
Shtëpia krajane, pavarësisht vendit se ku është ndërtuar ajo është shtrirë në një territor të caktuar, me oborrin e saj dhe me objektet tjera të nevojshme për përdorim. Në bazë të kësaj pothuajse ajo kishte një kufi të caktuar se deri ku mund të quhej “shtëpia e filanit” apo mund të identifikohej në kuptimin e “një familjeje”.
Në të kaluarën e largët, fshatari krajan kur fillonte të ndërtonte shtëpinë, për këtë i ndihmonin i gjithë fshati, të afërmit dhe miqtë, krahas punëtorit-mjeshtrit me pagë. Kjo bëhej për shkak të varfërisë dhe për t’i dalë në ndihmë e ndihmonin të gjithë. Në kushte jo shumë të mira ekonomike dhe me lidhje e larg nga tregu, fshatari krajan shumë gjëra i bënte vetë, meremetimet në shtëpi, veglat e punës, orenditë e shtëpisë, ushqimin, kasollen për bagëti etj.. Për ndërtimin e shtëpisë duhej zgjedhur mjeshtër të specializuar dhe ata gjendeshin rrallë në trevën e Krajës, mjete e materiale për ndërtimin e shtëpisë po ashtu kushtonin shumë. Dhe kjo nuk i jepte mundësi të paguante shumë dhe kishte raste kur ai jetonte me shumë vite në një shtëpi të vogël, derisa të grumbullonte të ardhura financiare për ndërtimin e një shtëpie më të mirë dhe më të madhe për familjen e vet. Kurse ato familje që kishin mundësi të mira financiare, shtëpitë e tyre i ndërtonin me mjeshtër të specializuar në këtë zanat, që mund t’i gjenin edhe në trevën e Krajës apo në trevat përreth saj, për ndërtim shtëpish me mur guri, të cilat kanë ditur të bëjnë mur të bukur duke e latuar gurin. Shtëpia tradicionale e Krajës mund të quhet lirisht “shtëpi e gurit” ose “shtëpi nga guri”, pra e ndërtuar nga guri si material kryesor. Para se të fillonte ndërtimi i shtëpisë krajane në truallin e caktuar për ndërtimin e saj bëhej “matja”. Pastaj fillonte gërmimi i temelave (themeleve) me një thellësi të caktuar dhe të paraparë nga trualli ku duhej të ndërtohej shtëpia. Ngritja e temelave (themeleve) ishte një akt i rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë krajane. Nga i zoti (pronari) i shtëpisë pritej kurban në temelin (themelin) e shtëpisë. Thirreshin të afër dhe farefisi dhe bëhej një gosti e veçantë ku shtrohej ushqim për të pranishmit.
Në trevën e Krajës kryesisht mbizotërojnë shtëpitë e ndërtuara me mure me gurë dhe me gëlqere dhe mure me gurë dhe me llaç (baltë). Ndërtime prej druri kryesisht janë bërë kasollet (jerevitë) për bagëti e mbajtjen e ushqimit të tyre, kotecet dhe gjëra tjera të ekonomisë shtëpiake. Shtëpi të ndërtuara prej druri nuk ka në tipin e shtëpive krajane, me përjashtim të mureve ndarëse në hapësirën e brendshme të shtëpisë, ku janë ndërtuar mure me thupra dhe pastaj të suvatuara me llaç (baltë), apo pjesë tjera të shtëpisë si hajati i shtëpisë apo shkallët prej druri, parmakët e hajatit, kulmi të gjitha këto ishin pjesë e ndërtimit të shtëpisë me dru. Shtëpia me mur guri dëshmon një traditë banimi shumë të lashtë në trevën e Krajës.
Në të kaluarën ndër tipat më të përhapur të ndërtimit të shtëpisë krajane ishte shtëpia me “çardak”. Ishte dykatëshe dhe me mjaft elemente arkitektonike dhe dekorative, sidomos aty ku ka dominuar përdorimi i materialit prej druri (shkallët, parmakët, orenditë shtëpiake etj.), por nuk kanë munguar as ato prej guri (kornizat e dyerve e dritareve, qoshet e mureve etj.). Ky lloj shtëpie, i njohur edhe në trevat e tjera dhe qytetet për rreth trevës së Krajës, u bë forma mbizotëruese e tipit të shtëpisë në këtë trevë. Ky lloj shtëpie u bë edhe tipi më karakteristik dhe më i pëlqyer ndër banorët e kësaj treve, si atyre të shtresave të pasura, por edhe i atyre më pak të pasura. Shtëpitë krajane nuk dallojnë shumë për nga ndërtimi dhe organizimi i hapësirës së brendshme të saj, me ato të trevave përreth saj. Si ato në Krajë apo të përafërta me ato gjenden edhe në trevën e Anës së Malit, Mërkotit, Malësisë së Madhe etj.. Edhe për nga madhësia mund të jenë më të mëdha ose më të vogla nga ato të trevave të tjera të cilat dallojnë për nga numri i banorëve që jetojnë brenda hapësirës së shtëpisë. Prandaj, origjinaliteti që shprehet në tipin e shtëpisë me çardak paraqet ndërtimin e shtëpisë tipik krajan për plotësimin e nevojave elementare për banim.
Tipat e shtëpisë së vjetër me çardak, të cilat mbizotërojnë në trevën e Krajës janë “tipat më të shquarat të banesës popullore” në trevën e Krajës, mbase edhe në trevat gjithëshqiptare, në vise të ndryshme të Ballkanit dhe në Azinë e Vogël, ku origjinaliteti i saj vjen nga Azia e Vogël (Perandoria Osmane), u bënë shtëpitë më të përhapura në trevën e Krajës. Këto lloj shtëpish të vendosura bri shpatijeve të maleve apo kodrave por edhe në pjesët rrafshore, zakonisht me pamje nga lindja e diellit, por edhe në të kundërtën e fryrjes së erërave të forta, është një banesë e madhe e ndërtuar mirë, me oborr, me kotec (depo) mallrash e me shtallë (ahër, ahur) bagëtish në katin e parë (përdhese), ku sipër ishte çardaku i hapur, kurse në katin e dytë (sipërm) ishin dhomat e familjes. Për të shkuar në katin ku janë dhomat e familjes dhe dhoma e pritjes (akshihanija), janë të vendosura një kthesë shkallësh prej guri një ose dykrahëshe e mbështetur në qemer dhe e mbuluar nga streha e dalë e çardakut. Me anë të këtyre shkallëve lidhet pjesa e poshtme e shtëpisë me atë të sipërmen. Këto shkallë, pothuaj se monumentale, të cilat shërbenin për ngritje dhe zbritje nga kati i sipërm, ku ishin dhomat e familjes, për nga pamja e jashtme ia rrisnin pamjen madhështuese kësaj shtëpie krajane. Këto shkallë janë të ndërtuara nga gurë të mëdhej në formë blloqesh.
(Vijon)

Të fundit

më të lexuarat