Komisioneri për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Oliver Varheli, ka thënë se përmbushja e standardeve nga kapitujt 23 dhe 24 është kyç për rrjedhën e mëtejshme të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian, ndërsa ka porositur se nuk do të ketë mbyllje të përkohshme të kapitujve të tjerë, derisa ky kusht të mos përmbushet.
Komisioneri për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Oliver Varheli, në seancën e Këshillit të Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme, duke prezantuar paketën e sivjetshme të zgjerimit i cili përfshin edhe raportin mbi Malin e Zi, është shprehur se, edhe pse përparimi ndaj reformave të BE-së, kryesisht ka ndaluar, “tani qeveria e re duhet të fokusohet në reformat që lidhen me BE-në, me qëllim që institucionet demokratike dhe të drejtësisë të bëhen edhe një herë plotësisht funksionale”, ka thënë Varheli.
Ndërkaq, deputeti i Parlamentit Evropian, njëherësh raportues për Malin e Zi në Parlamentin Evropian, Tonino Piculla, ndër të tjera ka thënë se shteti ka humbur një mundësi të mrekullueshme që në këtë mandat të mbyllë negociatat.
“Na vjen keq që ky shtet nuk ka arritur përparim të madh”, ka theksuar Piculla.
Ai është shprehur se sistemi gjyqësor është në një krizë të thellë kushtetuese, me udhëheqësi dhe menaxhim të dobët, me mungesë të vizionit strategjik dhe me planifikim të dobët.
“Kjo ndikon në mundësinë e tyre të marrjes së vendimeve gjyqësore. Por tani shohim edhe njerëz të cilët janë hapur kundër përvojave dhe politikave të BE-së, ka thënë Piculla.
Në të njëjtën kohë, deputeti i Parlamentit Evropian, Tomas Vajs ka konsideruar se Mali i Zi përfundimisht ka qeverinë e cila do të mund të zbatonte reformat e domosdoshme.
“Shpresoj se këtu do të jetë një shumicë e qartë” ka thënë ai.
Ndërkaq, edhe ambasadorja e BE-së në Mal të Zi, Oana Kristina Popa në konferencën për media me rastin e miratimit të Raportit të Komisionit Evropian mbi Malin e Zi për këtë vit, ka porositur se fokusi i të gjithë akterëve politikë në Mal të Zi do të duhej të ishte në ndërtimin e konsensusit mbi aksionet prioritare të nevojshme për përparimin e mëtejshëm të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Znj. Popa ka theksuar se të gjithë akterët e inkuadruar, qoftë nëse bëhet fjalë për qeverinë e re apo Kuvendin, duhet që me veprime konkrete të qëndrojnë pas të thënës dhe që pavarësisht cilësdo linjë partiake, t’i mundësojnë Malit të Zi që të përparojë shpejt, drejt Bashkimit Evropian.
Në Bruksel të mërkurën e kaluar më 8 tetor 2023, Komisioni Evropian ka miratuar Raportin për Zgjerim të Shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke propozuar që me Moldavinë dhe Ukrainën të hapen negociatat, ndërsa me Bosnjën dhe Hercegovinën atëherë kur të plotësohen kushtet për harmonizim.
Kujtojmë se Mali i Zi i filloi negociatat me Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2012.
Po të njëjtin vit hapi kapitullin 23, që ka të bëjë me Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, dhe kapitullin 24 që ka të bëjë me Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, duke vazhduar më pas me hapjen dhe mbylljen e përkohshme të kapitujve të tjerë.
t. u.