SARS- CoV-2 preku edheshëndetin mendor

Një studim i publikuar pak ditë më parë në revistën londineze, “The Lancet” i titulluar “The impact of the Covid-19 pandemic on kojitive decline”, trajton pasojat që la pandemia në shëndetin mendor tek të moshuarit, pavarësisht nëse ata ishin infektuar ose jo me Covid-19. Studiuesit duke analizuar faktorë të ndryshëm, kanë bërë të ditur se vitin e parë të pandemisë tek grupe të caktuar individësh, është vënë re një rënie në funksionin e kujtesës, dëmtime të lehta në kujtesë, përfshirë këtu sistemin nervor qendror, pavarësisht se në fillim mendohej se covid-19 shkaktonte vetëm simptoma akute të frymëmarrjes

Pandemia e Covid-19 e cila filloi në dhjetor të vitit 2019, në Vuhan të Kinës, e që më pas u shtri me një shpejtësi të frikshme në të gjithë globin, përveç një paralizimi total të jetës normale, mori miliona jetë njerëzish në të gjithë botën. Kjo pandemi, përveç viktimave në fjalë ka sjellë edhe pasoja të tjera katastrofike për njerëzimin. Për pasojat që la Covid-19 në të gjitha sferat e jetës janë kryer shumë studime nga institucione dhe organizata kërkimore nëpër botë, por natyrisht edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga dikastere të tjera të fushës së mjekësisë. Pandemia Covid-19 ka lënë pasoja edhe në shëndetin mendor tek popullata e përgjithshme. Disa studime të kryera kanë treguar se efektet negative të izolimit, stresit, vetmisë, frikës, depresionit dhe konfuzionit, kanë sjellë ndryshime në funksionimin konjitiv (aftësi që nevojiten në përvetësimin e njohurive, përpunimin e informacionit dhe arsyetimin) për shkak të pandemisë. Një studim i publikuar pak ditë më parë në revistën londineze, “The Lancet” i titulluar “The impact of the Covid-19 pandemic on cognitive decline”, trajton pasojat që la pandemia në shëndetin mendor tek të moshuarit, pavarësisht nëse ata ishin infektuar ose jo me Covid-19. Studiuesit duke analizuar faktorë të ndryshëm, kanë bërë të ditur se vitin e parë të pandemisë tek grupe të caktuar individësh, është vënë re një rënie në funksionin e kujtesës, dëmtime të lehta në kujtesë, përfshirë këtu sistemin nervor qendror, pavarësisht se në fillim mendohej se Covid-19 shkaktonte vetëm simptoma akute të frymëmarrjes. Por, sipas këtij studimi, efektet e SARS-CoV-2 në sisteme të tjera – duke përfshirë sistemin nervor qendror dhe periferik – po bëhen gjithnjë e më të qarta. “Gjetjet e reja nga studimi PROTECT tregojnë ndryshime konjitive specifike të domenit për individët me një histori të COVID-19 që pasqyronin trajektore të ngjashme për ata me dëmtim të butë njohës, por me një shkallë pak më të ulët rënieje. Ky studim gjithashtu thekson uljen e ushtrimeve, përdorimin e alkoolit, depresionin dhe vetminë si faktorët kryesorë të rrezikut që ndikuan në shkallën e rënies njohëse në popullatën e moshuar gjatë pandemisë COVID-19” thuhet në këtë studim. Më tutje studimi si faktorë të drejtpërdrejt që kanë pasur efekt negativ në mirëqenien psikologjike dhe në funksionin konjitiv, përmend alkoolin dhe mungesën e aktivitetit fizik. “Alkooli mund të pengojë komunikimin midis qelizave nervore dhe të shtypë aktivitetin e rrugëve nervore ngacmuese. Mënyrat e jetesës jo të shëndetshme janë të lidhura me stresin oksidativ, i cili njihet si një faktor kontribues në plakje dhe në zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative, duke përfshirë sëmundjen e Alzheimerit”, thotë studimi në fjalë. Ndërkaq, ata kanë potencuar edhe lidhje të tjera që mund të kenë çuar në rritje të konsumit të alkoolit dhe sjelljes sedentare, siç është izolimi social, depresioni dhe vetmia, që për pasojë kanë pasur ulje të angazhimit mendor dhe social të cilat kanë çuar më pas në rënien njohëse, përmes inflamacionit sistemik. Pandemia Covid-19 ndër të tjera ka nxjerrë në pah mungesën e strategjisë dhe organizimit të qeverive të ndryshme në mbarë botën dhe brishtësinë e përgjithshme të shoqërive tona për t’u përballur me infeksione. Studimi në fjalë tregon se kjo pandemi evidentoi se personat e moshës 50 vjeç e lart, me sëmundje kardiovaskulare dhe komorbiditete komplekse, kishin (kanë), pothuajse dyfishin e rrezikut për t’u infektuar me SARS-CoV-2, në krahasim me ata që nuk vuajnë nga sëmundje kronike. Në të njëjtën kohë, studiuesit e këtij punimi shkencor kanë apeluar për kujdes në të ardhmen, për të vazhduar që të përgatitemi dhe përshtatemi më shumë, sepse, covid-19 nuk është një gjë e së kaluarës, por një realitet me të cilin jemi përballur të gjithë. Ndërkaq, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë herë pas here ka paralajmëruar për ndikimin afatgjatë të Covid-19 në shëndetin mendor të cilit i ka kontribuar dukshëm ankthi frika, stresi, vetë izolimi, papunësia, shqetësimet financiare, izolimi social, etj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat