Intervistë mepoeten shkodrane, Melita Vjerdha

Koha Javore: Çfarë ju frymëzoi që të filloni të shkruani poezi?

M.Vjerdha: Të krijosh është burim mendor e shpirtëror njëkohësisht , shpesh e papërcaktuar, e pa e ditur nga ku si e tek. Dukuria e frymëzimit është një det që të zhyt në thellësi dhe nuk gjen paqe deri në momentin që del në sipërfaqe një poezi.

Koha Javore: Ju jeni autore e librit poetike të titulluar “N’Teh ‘’ . Pse pikërisht ky titull dhe ku mund ta gjejnë lexuesit librin tuaj?

M.Vjerdha: Këtë titull dua ta quaj si incident mendimesh e dilemash mes dy titujve që kisha në mendje që në fillim për librin që ishin: Ekuilibër dhe Kur plaket heshtja, ndërkohë që te dyja këto ishin n’teh gjatë përzgjedhjes, më lindi ideja ta titulloj “N’teh”. Por, po të futesh në brendi të librit, fjala ‘’teh’’ është përdorur në disa prej poezive. Librin mund ta gjeni në Shkodër te libraria Universitare “Ora e Shkodrës” dhe libraria “Gogaj”, librari “Rozafa “. Në Tiranë, tek “Adrion” në Lezhë ,te “Kuvendi”, online te “Shtëpia e Librit” dhe “ Bukinist”.

Koha Javore: Cilët janë disa nga poetët tuaj të preferuar?

M.Vjerdha: Më pëlqejnë poetët që bartin brenda romantizmin dhe simbolikën që i bën unikë. Një ndër ta është Pessoa . Koha Javore: Cilat janë disa keqkuptime të zakonshme për poetët ose poezinë që keni hasur në jetën tuaj? M.Vjerdha: Mendoj se poetët gjithmonë keqkuptohen dhe mendoj se është shumë mirë kështu , deri në momentin që ato mund të kujtohen.

Koha Javore: A mendoni se poezia është ende e rëndësishme në shoqërinë e sotme? Nëse po, pse?

M.Vjerdha: Poezia është e rëndësishme për sa kohë do të qëndrojë rëndësia e saj para poetit.

Koha Javore: A ndikojnë edhe përvojat personale në tematikën e poezive tuaja? Nëse po, në çfarë mase?

M.Vjerdha: Ka raste që është e lidhur ngushtë, jo gjithmonë. Ndoshta në një këndvështrim ndjekin njëra -tjetrën. Koha Javore: Cili mendoni se është elementi më i rëndësishëm i një poezie të mirë? M.Vjerdha: Për këtë duhet të pyesni një poet të mirë, ndoshta.

Koha Javore: A e keni përjetuar ndonjëherë të ashtuquajturin (bllok) bllokim të shkrimtarit dhe nëse po, si e kapërceni atë?

M.Vjerdha: Procesin e të shkruarit unë e quaj si nevojë, barrë e domosdoshme për t’u lindur. Në periudha kur kjo nuk ndodh e quaj si pauzë, qetësi dhe mënyrë e mirë edhe për të jetuar jetën pa barra. Sepse një këndvështrim është edhe “dënim”.

Koha Javore : Përveç se poezisë, juve ju pëlqen edhe piktura, nëse do t’ju vendosnim përballë zgjedhjes: poezinë apo pikturën , pa cilën nuk bëni dot?

M.Vjerdha: Bëj shumë mirë pa të dyja. Poezinë e kam më shumë, siç e përmenda dhe më sipër nevojë, asnjëherë nuk e kam pasur ëndërr e as dëshirë që të isha poete. Dhe nga kjo nuk ka pengesa. Mjafton të ulem e të shkruaj. Ndërsa piktura është art, përveç se më i vështirë sipas meje, është edhe i kushtueshëm.

Koha Javore: Këtë vit ishit e ftuar edhe si pjesë e Panairit të Librit në Tuz. Si e mirëpritët ftesën ?

M.Vjerdha: Di te them që pas këtij botimi që është botimi im i parë, më janë hapur shumë dyer, ashtu siç nuk e mendova. Një ndër to ishte edhe ftesa për në Tuz. Ndoshta ishte koha e duhur. U jam mirënjohëse të gjithëve. Sidomos atyre që më udhëhoqën dhe kontribuuan ne finalizimin e këtij libri.

Koha Javore: Kur mund ta presë lexuesi librin e dytë?

M.Vjerdha: Besoj se tani që kapërceva tehun e parë duhet të mendoj për diçka tjetër, të denjë për respektin ndaj gjithë atyre që me kanë lexuar me dëshirë. Një profesor me pati lenë një shprehje që mua do më ndjek vazhdimisht. “Nëse dikush ka dhunti nga Zoti, është mëkat nëse e injoron” . Edhe pse mua me duhet kohë ta vërtetoj e besoj këtë.

Bisedoi Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat