Podgoricë – Në vazhdimin e seancës konstitutive të Kuvendit të Malit të Zi, të mbajtur të hënën (30 tetor 2023), deputetët e shumicës së re qeverisëse kanë zgjedhur kryetar të ri të Kuvendit, Andrija Mandiqin, njërin ndër udhëheqësit e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” (ish-Frontit Demokratik).
Për zgjedhjen e tij kanë votuar 49 deputetë të Lëvizjes “Evropa Tani!”, koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste, koalicionit “Forumi Shqiptar”, koalicionit “Aleanca Shqiptare” dhe Malit të Zi të Bashkuar.
Para votimit nga salla e Kuvendit të Malit të Zi janë larguar deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Socialdemokratëve, Partisë Boshnjake, Iniciativës Qytetare Kroate dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Në sallë nuk ka qenë i pranishëm as deputeti i Lëvizjes URA, Millosh Konatar, deputeti i vetëm pjesëmarrës nga kjo parti në seancë.
Në shenjë pakënaqësie, deputetët e PDS-së para daljes nga salla e Kuvendit kanë vendosur shirita të zi në mikrofona që simbolizojnë “ditë të zezë” për Malin e Zi.
Mandiq është kryetari i 32-të me radhë i Kuvendit të Malit të Zi.
Pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit, Mandiq ka theksuar se ka më së tepërmi përvojë politike dhe se dëshiron t’i zgjidhë mosmarrëveshjet politike.
“Ajo në çfarë besoj sinqerisht dhe së cilës dëshiroj t’i shërbej është pajtimi dhe vetëm pajtimi”, ka thënë ai.
Mandiq ka theksuar se ka humbur besimi dhe se duhet të fillojë procesi i kthimit të tij.
Përpos kryetarit të Kuvendit, në këtë seancë janë zgjedhur edhe dy nënkryetarët e rinj të Kuvendit të Malit të Zi, nga katër sa ka gjithsej. Nënkryetarë të Kuvendit janë zgjedhur deputetja e Demokratëve, Zdenka Popoviq dhe deputeti i Lëvizjes “Evropa Tani!”, Boris Pejoviq.
Seanca është përshkuar nga kritikat e opozitës ndaj kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi dhe shumicës së re qeverisëse.
Në seancën e re të Kuvendit të Malit të Zi, e cila ka filluar pak para mesnatës të hënën mbrëma dhe ka vazhduar deri të martën në mëngjes është zgjedhur Qeveria e re e Malit të Zi, me kryeministër Millojko Spajiq. Për qeverinë e re kanë votuar 46 deputetë, 19 kanë qenë kundër, kurse një i përmbajtur.
Përpos kryeministrit, kabineti qeveritar përbëhet nga pesë zëvendëskryeministra dhe 19 ministra, që përbëjnë qeverinë më të madhe në historinë e sistemit politik shumëpartiak në Mal të Zi. Shumicën e re qeverisë e përbëjnë Lëvizja “Evropa Tani!”, Demokratët, Partia Popullore Socialiste, Forumi Shqiptar, Aleanca Shqiptare dhe CIVIS, kurse pas një viti parashikohet që të bëhet riformatimi i qeverisë dhe pjesë e saj të jetë edhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”. Në këtë qeveri partitë shqiptare do të kenë një zëvendëskryeministër, Nik Gjeloshaj nga koalicioni “Forumi Shqiptar”, i cili do të jetë njëkohësisht edhe ministër i Zhvillimit Ekonomik. Përpos tij Marash Dukaj, po nga koalicioni “Forumi Shqiptar”, do të vijojë të jetë ministër i Administratës Publike, kurse Fatmir Gjeka nga koalicioni “Aleanca Shqiptare” do të vijojë të jetë ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
(Kohapress)

Deputeti Genci Nimanbegu jep dorëheqje
Deputeti i Koalicionit “Aleanca Shqiptare” dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i deputetit në Kuvendin e Malit të Zi.
Në shkresën dërguar shërbimit të Kuvendit thuhet se këtë e bën për arsye politike dhe etike.
“Ju lajmëroj që jap dorëheqje në funksionin e deputetit për arsye politike dhe etike”, thuhet në shkresë, ku falënderon kolegët për bashkëpunimin e deritashëm e posaçërisht shërbimin e Kuvendit.
Dorëheqja e deputetit Nimanbegu ka ardhur pasi që ai nuk ka pranuar të jetë pjesë e shumicës së re qeverisëse me partitë e koalcionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” dhe të votojë për zgjedhjen e Andrija Mandiqit kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.