
Çinari ose rrapi është një dru i lartë me trung të trashë, me degë të gjëra me gjethe të mëdha në trajtë pëllëmbe që bën lëndë të vogla me gjemba të imët përsipër. Këtë përkufizim për rrapin e hasim në literaturë të botanikës në secilin libër shkollor dhe jo vetëm. Më tutje thuhet se ai mund të rritet deri në 50 metra i lartë. Rrapi (çinari) mund të jetojë gjatë, bile disa shekuj. Është dru rezistues ndaj ndotjes. Hasen zakonisht nëpër parqe, pranë rrugëve në qytete etj.
Një i tillë çinar, apo siç njihet në literaturë rrap, gjendet edhe në Krajë, e që është edhe subjekt i këtij shkrimi. Ai gjendet në Arbnesh, më saktësisht në afërsi të xhamisë të këtij fshati, në oborrin e saj. Ky çinar është si gjithë të tjerët, por sipas disa të dhënave gojore dhe të shkruara, ka një histori të veçantë. Duke qenë se ai është disa qindra vjeçar, trungu i tij sot ka perimetrin (vijën rrethore) mbi 5 metra, gjë që na flet shumë për jetëgjatësinë e tij.
Çinari në Arbnesh është edhe dëshmitar i ngjarjeve të ndryshme historike në këto anë, më pati thënë para disa vitesh Rifat Haliti (tash i ndjerë, ndjesë pastë) i cili ka jetuar e punuar pikërisht në truallin ku edhe ndodhet ky vigan, në Arbnesh. Ai tregonte se krahas erërave dhe stuhive natyrore çinari u ka bërë rezistencë edhe barbarive ushtarake militare, hordhive gjakatare që ndër shekuj kanë marshuar në këtë trevë.
Huliganët malazias me 1878 dëmtojnë varrezat shqiptare dhe i venë flakën xhamisë në këtë lokalitet. Çinari është dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve na thoshin atëbotë të moshuarit. Këtë e hasim edhe në një botim të autorit Smajl Muja (ndjesë pastë), “Institucionet islame në Krajë” ku thuhet: Në vitin 1878 ushtria malazeze e djeg xhaminë e Arbneshit. Banorët e ringritën përsëri atë. E veçanta është se lënda drusore për rindërtimin e foltores, lënda për pullazin e saj ua siguroi (“ua fali”) çinari, i cili i rezistoi flakës dhe zjarrit. Nga ai vit i mbrapshtë ka kaluar shumë kohë, por çinari në Arbnesh qëndron aty pa u luhatur. Edhe pas qindra vitesh ai duket i kthjellët, edhe pse mbi trup dhe degët e tij peshojnë jo vite, po shekuj. Nuk hetohet as plakja e trupi e as degë të thara.
Ky dru i rrallë është edhe dëshmitar okular i vandalizmit të ushtrisë malaziase të Krajl Nikollës në rrugëtimin e saj për pushtimin e Shkodrës më 1912. Në atë tetor të 1912, ushtarët e mbretit Nikollë i thyen gurët e varreve (nishanet) një zakon i tyre kudo që parakaluan nëpër Krajë dhe jo vetëm.
Rifat Haliti (ndjesë pastë) më emocione thoshte: “çinari, degët dhe gjethi i tij janë dëshmitarë okularë të kohërave që ikën, na tregojnë për vandalizmin, tmerrin që panë më sytë e tyre, dhunën ndaj të vdekurve në atë tetor të 1912-ës” dhe vazhdon” e shikoni si qëndron edhe sot çinari dhe shton se në Gjirokastër çinarit i thonë rrapi (kam qenë në një vizitë atje më 1981 dhe për të parën herë e mësova se çinarit i thënkan në jug rrap, e plotëson mendimin bashkëbiseduesi i rastit Rifati). Me një qeshje të ëmbël, por edhe me seriozitet na thotë se edhe na jemi si çinari, të fortë, të lashtë sa ai, të papërkulur dhe të vjetër sa vetë ky truall, kjo tokë”.
Mua për dreq seç mu kujtua në atë moment kënga për Çerçiz Topullin “Te Rapi në mashkullore” ku ndër të tjera po shkruaj ashtu siç ma kapi veshi: Te rrapi në Mashkullore/foli Çerçizi me gojë/Milazim largoi tabor/lëri djemtë e mi të shkojnë/se ju skuq ju bëj me bojë.
Edhe çinari im (rrapi im) qe deri vonë nuk e kemi ditur, ka parë e dëgjuar këngë të tilla shton Rifati si bie fjala.
Nëpër mal nëpër Rumi/vjen asqeri talimxhi/ në Shkodër po do me hy/ në Shkodër o ka Shegvasha/ ka Shegvasha nën faletë/ shumë asqeri paska met/katërqind e tetëdhet vet /bajnë me mushka ka tre vet/ka tre vet i kanë ngarkue/ n’Arbanesh (fjala është për Arbnesh) po dojnë me i çue/ n’Arbanesh ner ata gropa/ plot me vorre isht mushë toka…. Kënga vazhdon por unë këtu po e ndërpres për ta vazhduar të tjerët qe do vijnë pas nesh ta këndojnë ashtu siç e kemi kënduar ne në gazmendet tona. Çinari është dëshmitari më besnik i qëndresës shekullore në këtë truall thonë ata që i kanë përjetuar ngjarjet në këto anë.