Havra e kuqe me pika të bardha

Gani Karamanaga

Ajshja ishte vajza më e bukur në Kala. Ibrahimi e shikonte prej së largu, por ajo ishte gjithmonë me të afërmit e saj.
Dasmat në Kala kanë zgjatur deri një javë. Kur u martua Ismet Fani me një vajzë prej Mëhallës së Re, Ajshja ishte aty. Nuk ishte përzier me valltarët, e vetmuar shikonte anash. Atëbotë, vajza ,e cila martohej ia jepte fustanet shoqeve të saja ose motrës më të vogël. Kur u martua Naziqja ia fali Ajshes havrën e kuqe me pika të bardha. Fustani i rrinte bukur, dallohej prej të gjitha vajzave atë natë. Ibrahimi e vërejti. Nuk ka pasur guxim që të flasë me të. Ishte i vetmuar, me mendimet dhe ëndrrat e tij…
Herët në mëngjes Ibrahimi me vëllain Nailin u ulën në Puntën e Nuradinit. Një ditë më përpara në mbrëmje, para akshamit kishin hedhur parangallat.
I nxorën parangallat dhe gjetën disa gruja, një sarg të madh dhe një levrek. Mjaft për shtëpinë e tyre.
Në ato kohë çdo pajë ose dhunti në Kala është bartur më valixhen e Hamit Agës nga Amerika. Për ta çuar e kanë thirrur Beqo Beharin. Para se është nisur me valixhe në krah, Beqoja ka vallëzuar në mes të oborrit nën përcjelljen e dajres, qemanes dhe harmonikës.
Të enjten paradite, Beqoja e çoi dhuntinë –dhuratat për nuse dhe familjen e saj deri në Mëhallë të Re.
Krushqit, shtatë vetë, më të afërmit dhe një krushkë, motra e Ismetit Seidja u nisën për nuse pasi doli hëna e re në orën dhjetë në mbrëmje. Me automobil, një “Ford” të vjetër, ishte Musli Hidri. Në automobil hyri krushka, axha dhe daja i Irfanit.…
Në martesat e përparshme në Kala ditën e nesërme pasdite është “ngref” nusja e re e veshur me tesha kombëtare. Afër nuses të mbështetura për mur kanë qenë nuset e tjera, gjithashtu me veshje kombëtare karakteristike ulqinake.
Gratë e reja dhe vajzat kanë kënduar nën përcjelljen e dajres dhe harmonikës. Gjatë pasdites kanë ardhur “krushkat”, gratë prej fisit të nuses.
Gratë e vajzat më të largëta kanë ardhur për të “parë nusen”.

Te porta e madhe e Kalasë janë takuar dy grupe vajzash, njëra që kishin qenë që të shohin nusen dhe tjetra që po shkonin atje.
“Si ka dal nusja? A isht e bukur? “
Pyetën ato që po hynin në Kala.
“Nusja isht si bombon.”
U përgjigjën këto të tjerat.

Hake Karamanaga ishte e afërmja e familjes së Fanëve ku erdhi nusja e re. Ka qenë grua e gjatë. Ka qenë bashkëshortja e Jusuf (Kahraman) Karamanagës. Në moshën 8-10 vjeçare në familjen e babait të saj Mollabeqiri ka qenë për një kohë të caktuar i strehuar “Hoxha i Madh” Ymer Prizreni. Hakja e vogël e ka shërbyer atëherë me kafe Hoxhën e Madh, siç e kanë quajtur Ymer Prizrenin.
Hakja ka ditur mjekësi popullore: shërim të sterilitetit, mjekim të bajameve (tonzilat) që i ka “shtrydhur” në mënyrë fizike (“ka shti fytin“). Gjithashtu e ka ditur shumë mirë krijimtarinë gojore, këngët popullore të kohës. Mjeshtërinë e saj e ka vazhduar Lutfije Malohoxha. Gjithashtu ka qenë e njohur si gatuese e veçantë e sarajlisë tradicionale të Ulqinit. Ka ditur shumë edhe për harapët (zezakët) e Ulqinit.
Familja Fani atë ditë e ftoi Haken për të vënë rregull në hyrje të odës kur vinin „kapuçat“ (ato që vinin për të parë nusen).
Ibrahimi pas dreke doli në rrugë te shtëpia e Januz Beqiragës për të pritur që të kalonte Aishja. U ul në gurin e verdhë të mbështetur për shtëpi. Mendonte se ajo do të ecë asaj rruge për të shkuar në shtëpinë e Fanëve për të parë nusen.
Pas një ore Ajshja kaloi me motrën e vogël dhe nenen e axhës së saj. Ajshja e shikoi Ibrahimin me sytë e kaltër si deti. Prapë ishte me fustanin e kuq me pika të bardha…
Një ditë, Ibrahimi ishte në shkallët e gurit te shtëpia e tyre. Ajshja erdhi dhe e kërkoi Havanë, nënën e Ibrahimit. Nëna e saj kishte nevojë që t’ia qepte një fustan. Ajo foli shkurt, Ibrahimi mbeti në maje, Ajshja qëndronte në fund të shkallëve.
“Nana ka shku te daja në Mahall të Re”, u përgjigj Ibrahimi.
Kaluan disa ditë, Ibrahimi shkoi me axhë Selimin dhe babanë në det. Lundruan deri në Durrës, mandej vazhduan për Katania në Sicili.

Ajshja një ditë në mëngjes u zgjua me ethe të larta, dhimbje koke, të vjella. E thirrën mjekun dr. Anagnostin – “flokëbardhin”, si e kanë quajtur, për ta vizituar. Gjendja u keqësua. E vizitoi edhe dr. Marko Popoviqi. Gjendja e Ajshes çdo ditë ishte më keq… Erdhi edhe dr. Frederik Shiroka prej Shkodre. Ai konstatoi që bëhet fjalë për meningjit.
Ibrahimi u kthye pas dy muajsh. E gjithë Kalaja ishte e habitur dhe me dhimbje për vdekjen e Ajshes.
Ibrahimi asnjëherë nuk do ta dijë që Ajshja atë ditë erdhi te shtëpia e tyre për të parë atë.

Të fundit

më të lexuarat