Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë

Kur bëhet fjalë për muajin tetor në cilin jemi aktualisht, ky muaj na kujton ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, muaji i vetëdijesimit për këtë sëmundje dhe ndihmon shumë që të vihet vëmendja dhe mbështetja për vetëdijesimin dhe trajtimin e hershëm dhe kujdesin për këtë sëmundje

Koha Javore: Znj Hollaj, muaji tetor ose siç njihet ndryshe, muaji rozë i kushtohet sensibilizimit ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit, kontrolleve periodike, për të zbuluar dhe parandaluar kancerin e gjirit i cili prek çdo vit numër të madh të vajzave dhe grave nëpër botë. Sa të rëndësishme janë këto kontrolle? S. Hollaj: Kanceri i gjirit është një sëmundje shumë e shpeshtë te gratë dhe statistikat tregojnë që rreth pesëqind mijë gra vdesin çdo vit nga kjo sëmundje në botë. Vetë ky fakt tregon se sa e rëndësishme është që të flasim dhe ta kujtojmë këtë problematikë dhe sa e rëndësishme është që të kryhen kontrolle të rregullta dhe zbulimi i hershëm. Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë malinje te gratë dhe nëse zbulohet herët, në shumicën e rasteve është plotësisht i shërueshëm, Kur bëhet fjalë për muajin tetor në të cilin jemi aktualisht, ky muaj na kujton ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, muaji i vetëdijesimit për këtë sëmundje dhe ndihmon shumë që të vihet vëmendja dhe mbështetja për vetëdijesimin dhe trajtimin e hershëm dhe kujdesin për këtë sëmundje. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë.

Koha Javore: Përveç grave/vajzave, as meshkujt nuk janë të kursyer nga kjo sëmundje. Kush duhet të kryejë kontrolle të gjirit, cilat mosha dhe çfarë ekzaminimesh bëhen? S. Hollaj: Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit nuk është vetëm tek vajzat dhe gratë, por i prek edhe meshkujt. Mirëpo, meshkujt në një numër shumë më të vogël. Sepse, në qoftë se tek femrat preken 1 në 8 femra, raporti tek meshkujt është 1 në 100 raste. Simptoma e parë dhe tipike e kancerit të gjirit është një gungë e cila shfaqet në gjoks, dhe e cila frikëson dhe e shtyn pacienten që të kërkojë ndihmë tek mjeku familjar ose tek gjinekologu. Në tetëdhjetë për qind të rasteve tek kanceri i gjirit, vajzat apo gratë konstatojnë një gungë dhe kështu ato paraqiten tek mjeku. Përveç shfaqjes së një gunge, natyrisht janë edhe ndryshimet e jashtme të gjirit, simptomat të cilat tregojnë se diçka është duke ndodhur në brendësinë e gjirit. Zakonisht nga mosha njëzet vjeçare bëhet vet ekzaminimi i gjirit dhe kjo preferohet pas ditës së pestë të ciklit menstrual. Do të thotë bëhet shikimi i jashtëm i gjirit në mos ka ndonjë ndryshim në lëkurë, në thithat e gjirit që deri atëherë nuk e kanë parë dhe domosdo të kërkojnë ndihmën e mjekut. Dhe ky është momenti i parë ku ato mund të bien në kontakt me një problematikë e cila mund të jetë shumë e madhe, edhe pse, nuk është e thënë se çdo gungë është kancer. Por megjithatë, kontrollet e rregullta dhe konsultat me mjekët janë shumë të rëndësishme.

Koha Javore: Sa janë vajzat/gratë të ndërgjegjësuara për risqet dhe pasojat që shkakton kanceri i gjirit, dhe sa janë ato të gatshme që të kryejnë kontrolle për këtë sëmundje? S. Hollaj: Krahasuar me vite të mëhershme fatmirësisht rritja e vetëdijesimit është në rritje dhe kjo është për tu lavdëruar, megjithëse ndoshta jo mjaftueshëm aq sa duhet, por duke iu falënderuar edhe mjeteve informimit, rrjeteve sociale, dëshirës dhe mos ngurrimit që gratë të vizitojnë mjekun gjinekolog, dhe kështu të gjitha këto kanë ndikuar që kanceri i gjirit mbase të zbulohet në faza të hershme. Dhe ashtu siç thamë në fillim, zbulimi i hershëm shpëton edhe jetën. Në përgjithësi vetëdijesimi është në rritje, por gjithsesi nuk është i mjaftueshëm. Ne apelojmë çdo ditë që t’i kushtohet rëndësi shumë e madhe kontrolleve të rregullta si gjinekologjike ashtu edhe atyre mjekësore të cilat janë të domosdoshme dhe të cilat, nëse janë të rregullta, përmes tyre mund të zbulohet çdo sëmundje në fazë të hershme e sidomos kanceri i gjirit.

Koha Javore: Nëse i referohemi qytetit të Ulqinit, a keni ndonjë të dhënë se sa persona mund të jenë të prekur nga kjo sëmundje dhe sa jeni të kënaqur me kontrollet që kryhen gjatë këtij muaji në qytetin tuaj? S. Hollaj: Për fat të keq, asnjë vend nuk është i anashkaluar nga kjo sëmundje, por gjithsesi numrat nuk janë të njëjtë në çdo qytet dhe as qyteti ynë nuk është i anashkaluar nga kjo problematikë. Nuk kam një numër ekzakt se sa femra mund të jenë të prekura nga kanceri i gjirit, por për fat të mirë ky numër nuk është i lartë në qytetin tonë. Megjithatë, edhe një rast i prekur me kancerin e gjirit është shumë i madh sepse një jetë, është jetë. Apeli është që kontrollet të bëhen të rregullta sepse me kontrolle të rregullta tentohet që numri i të prekurave të jetë më i ulët. Ekzaminimet duhet të kryhen ashtu siç rekomandojnë mjekët, sepse bëhet zbulimi i hershëm i ndryshimeve në gji dhe me zbulimin e hershëm, edhe trajtimi edhe mjekimi është më efikas dhe mundësia për të shpëtuar jetën është shumë e madhe. Ne asnjëherë nuk mund të jemi të kënaqur me numrin e kontrolleve që kryhen në qytetin tonë por ne vërejmë që gratë janë vetëdijesuar dhe interesohen për këtë problematikë dhe për kontrolle të rregullta dhe unë besoj se ky vetëdijesim do të ngrihet nga dita në ditë dhe ky është edhe qëllimi i muajit të tetorit, që ato të kujtohen se ruajtja e shëndetit dhe kontrollet e rregullta shpëtojnë jetën.

Koha Javore: Cila është porosia juaj drejtuar vajzave/grave përgjatë këtij muaji? S. Hollaj: Porosia ime dhe e gjithë mjekëve dhe në rastin konkret e gjinekologëve, mjekëve familjarë dhe të gjithë atyre që merren me këtë problematikë, është që të bëhen kontrolle të rregullta, të bëhet vetëkontrolli i gjirit që është një nga pikat parësore ku pacienti bie në kontaktin e parë me problematikën, sidomos vetëkontrollet e rregullta çdo mujore nga mosha njëzetë vjeçare, edhe pse nuk mund të themi se kjo problematikë fillon në moshën njëzet vjeçare sepse për fat të keq kemi raste edhe te moshat më të reja.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat