Tuz – OJQ “Fëmijët e Malit të Zi“ organizoi në Tuz tryezë të rrumbullakët në të cilën morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë së Malit të Zi, Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës për Punë Sociale, Institutit për Mbrojtjen Sociale dhe Fëmijëve të Malit të Zi, Sekretariatit për Mirëqenie Sociale, Shkollave Fillore “Radojica Peroviq” Podgoricë, “Mahmut Lekiq” Tuz, IPP “Gjina Vrbica”, Gjimnazi “Slobodan Shkeroviq” Podgoricë, dhe SHMP “25 Maji” Tuz.
Në tryezën e rrumbullakët, e cila u realizua në kuadër të projektit “Ofrimi profesional dhe në kohë i shërbimeve pas COVID-19”, pjesëmarrësit u njohën me raportin mbi hulumtimin e opinionit publik për ndikimin e përgjithshëm të koronavirusit në cilësinë dhe qasjen në arsim, si dhe pasojat e mundshme në shëndetin mendor të nxënësve dhe prindërve të tyre.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj OJQ-je, Sabra Deceviq i tha gazetës “Koha Javore” se tryeza e rrumbullakët pati si qëllim njohjen e pjesëmarrësve me rekomandimet që nevojiten për zhvillimin e procesit mësimor, mbështetjen, individualizimin dhe mjedisin e përgjithshëm gjithëpërfshirës, me theks të veçantë në shkollat e Malit të Zi.
“Disa nga rekomandimet e diskutuara në tryezën e rrumbullakët kanë të bëjnë me: Inkurajimin e zhvillimit të hershëm, mësimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e fëmijëve në formë individuale, përmes punës në grup, por edhe nëpërmjet pranisë së një psikologu në aspektin e shëndetin psikosocial, të një pedagogu dhe mësuesi të edukimit special në lidhje me socializimin dhe arritjet akademike”, u shpreh Deceviq.
Ajo shtoi se sigurimi i zbatimit më të madh të parimeve profesionale dhe ligjshmërisë së punës, sigurimi i materialit të specializuar të punës me cilësi më të mirë në përputhje me standardet moderne dhe përdorimi i teknologjisë dhe pajisjeve ndihmëse janë po ashtu të sugjeruara.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq thekson se konsiderohet si mjaft e rëndësishme pjesëmarrja dhe bashkëpunimi me prindërit, si dhe hartimi i detyrave të shtëpisë duhet të bëhet më konkret, në mënyrë që të përmirësohet koordinimi i punës në shkollë dhe në shtëpi.
“Në këtë tryezë të rrumbullakët u diskutua se duhet të merren parasysh disa modele të të nxënit gjatë punës me fëmijët, si për shembull të krijohen situata të pjesëmarrjes së plotë në aktivitete të ndryshme gjithëpërfshirëse dhe sociale, dhe të zhvillohen seminare promovuese”, u shpreh Deceviq.
Ndërkaq, një rëndësi të veçantë përbën promovimi i të drejtave të fëmijëve në përgjithësi dhe këshillohet që të punohet në përmirësimin e qëndrimeve.
“Të gjitha rekomandimet e dhëna i drejtohen sa mësimdhënësve të cilët punojnë drejtpërdrejt me fëmijë, të shkollave, Entit për Arsim dhe Ministrisë së Arsimit”, theksoi ajo.
Projektin dyvjetor “Ofrimi profesional dhe në kohë i shërbimeve pas COVID-19” e realizon shoqata “Staze” nga Podgorica në partneritet me shoqatën “Fëmijët e Malit të Zi” nga Tuzi dhe OJQ “Impuls” nga Nikshiqi me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi.
t. u.