Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq ka prezantuar “Platformën e përbashkët për Malin e Zi në BE”, një nismë që do t’ua dërgojë të gjitha partive politike në kuvendin e Malit të Zi, qëllimi parësor i të cilës është, kthimi i agjendës reformuese dhe evropiane në fokusin shoqëror dhe politik, si një veprim i përbashkët në përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi. Kështu është shprehur presidenti i Malit të Zi në deklaratën e tij për media.
Sipas kësaj deklarate, ai ka thënë se kjo platformë paraqet ftesë të gjitha subjekteve parlamentare që të bashkohen rreth qëllimeve të përbashkëta, që të tregohet përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe të punohet në fuqizimin e kohezionit të shoqërisë sonë.
“Duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta në: avancimin e sundimit të Ligjit, në zgjedhjen e bartësve të funksioneve më të larta gjyqësore, në vendosjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformën e legjislacionit zgjedhor, në profesionalizimin e administratës publike, në ndërtimin e institucioneve demokratike, në ndërtimin e sistemit më kualitativ arsimor, në avancimin e kushteve për jetesë dhe punë të të rinjve, në fuqizimin e konceptit të shtetit ekologjik, si dhe në fuqizimin e imazhit pozitiv të Malit të Zi në rajon dhe në bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në këtë deklaratë të faqes zyrtare të presidencës.
Ai ka thënë se pikërisht këto janë përfshirë me këtë platformë. Ai më tutje është shprehur se e ardhmja evropiane e Malit të Zi paraqet emërues të përbashkët të të gjithë akterëve të shoqërisë malazeze.
“Nuk ekziston ndonjë subjekt politik i cili në veprimtarinë e vet përkushtohet për qëllim të kundërt, ndërsa përkrahja e qytetarëve të BE-së nga më shumë se 80 për qind, është shumë më posht se mesatarja rajonale. Megjithatë, kur flasim për zbatimin e qëllimit evropian në nivel institucional dhe operativ, ka shumë sfida dhe pengesa”, është shprehur Millatoviq.
Ai më tutja është shprehur se këtë e dëshmon fakti se procesi i negociatave me Bashkimin Evropian zgjat mbi një dekadë dhe se në atë proces, sipas tij, janë humbur shanset për zbatimin e reformave kyçe, krahas realizimit të interesave të veçanta të subjekteve politike dhe të grumbullimit të problemeve institucionale të cilat në mungesë të konsensusit politik, kanë përjetuar kulmin e tyre.
“Muajve të fundit, tematika e integrimeve evropiane është vendosur në plan të dytë. Atë e lanë në hije tematikat politike-ditore dhe vala e re e polarizimeve politike. Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 11 qershor, para gati katër muajve, ndërsa ende presim vendosjen e funksionalitetit të plotë të Kuvendit të Malit të Zi dhe formimin e qeverisë”, është shprehur Millatoviq.
Presidenti i Malit të Zi ka shtuar se, duke pasur parasysh bllokimin institucional në të cilin ndodhet Mali i Zi, kjo platformë mund të jetë një hap shtesë me të cilin ai dëshiron të jap kontribut në konsolidimin politiko-institucional në vend.
“Nga marrja e detyrës së presidentit të Malit të Zi, në mënyrë aktive punoj në nisjen e dialogut politik mbi temat kyçe për zhvillim të mëtejshëm të shtetit tonë, por edhe për afirmimin e “kulturës së dialogut” si vlera universale të shoqërisë”, është shprehur ndër të tjera presidenti Millatoviq në prezantimi e kësaj platforme.
t. u.