Ëndrra e Besimit

Gani Karamanaga

Para disa ditëve në Australi ndërroi jetë kushëri i jonë Besim Naga (Resulaga).

Rrëfimi 1
Kepi i Bashbylykut (Kopshti i Musa Nagës)

Musa Hysein Resulaga ka qenë i lindur në Ulqin në vitin 1891. Ka vdekur në spitalin e Tivarit me 16.12.1953. Familja e Musa Resulagës ka jetuar në shtëpinë në Kalanë e poshtme. Babai na tregonte se ato i takojnë farefisit tonë. Musaja ka pasur djemtë: Besimin (1939) dhe Sadriun ( 1943) si edhe vajzën Hatmane (1934). Ato, në fillim të dekadës së gjashtë të shekullit XX kaluan të jetojnë në Tivarin e Moçëm. Besimi dhe Sadriu emigruan në Australi. Zyhra Resulaga ka jetuar në Ulqin dhe ka vdekur në pleqëri.
Kepi i Ullishtës ose i Bashbylykut është pika e cila shihet prej Kalasë së Ulqinit. Kur kanë ardhur anijet-barkat për Ulqin, aty kemi filluar t’i shohim, gjithashtu edhe aty janë zhdukur prej pamjes tonë kur janë larguar nga Ulqini. Kepi i Ullishtës vazhdon në kodrën e Bashbylykut me ullinj dhe pyll tjetër. Në afërsi të detit Musa Hysein Naga (Resulaga) ka hapur një vend për bashçe dhe aty në dekadën e pestë të shekullit XX mbolli pemë dhe perime. Një herë me shokun tim Ramazan Uruçin kemi arritur deri në këtë vend.
Besim Resulaga-Naga ka ardhur disa herë në Ulqin. Shpeshherë jemi takuar dhe kemi biseduar për prejardhjen e familjeve tona. E kemi ditur se i takojmë një farefisit.

Rrëfimi 2
Besim Resulaga – Naga ka emigruar në vitin 1958 në Itali. Pas tre vjetëve shkon në Australi. Besimi flet:
“Kam pasë 20 vjeç kur shkum me vapur në vitin 1959 për Australi. Lundrimi ka zgjatë 2 muaj. Kemi hek keq gjithë rrugës se ka pasur det të madh, gati jemi mbyt… Në Melburn na kanë vendosë në kamp, qi ishte i përgatitur për emigrantë.
Nji ditë në kamp erdhi nji ulqinak. Ai ishte Brahim Karamanaga. Pas pytjes se kush jam, i thava jam djali i Musa Nagës prej Kalasë së Ulqinit. Brahimi u gëzua dhe më tha:
“Na jena gjyni.”
Ibrahimi i vendosi në shtëpinë e tij :Besimin dhe Sabri Sulejmanin (djali i Bidin Selitës). Besimi vazhdon :
“Ke Brahimi kena ndenj tre muj. Nji herë na tha:
“Në rast se çdo ditë mbuloni në bankë nji shiling, do të baheni pasanikë.”
Fillimisht ka punuar në Melburn, por më vonë shkon për të jetuar në Darvin, i cili gjendet në bregdetin e Australisë Veriperëndimore.
Atje ka pasur anije për peshkim.
“Darvini isht në veri të Australisë, lypet gjashtë sahat me balon me mrrit në Melburn. Por, kemi komuniku shpesh me telefon, disa herë kam qenë edhe në Melburn te Brahimi.”
Më vonë, Besimi kalon përfundimisht për të jetuar në Melburn. Është kapedan i anijes së madhe për peshkim. Nganjëherë, për të hequr mallin e detit dhe Ulqinit shkon në peshkim njëditor.

Rrëfimi 3
Kthimi në vendlindje

Sipas kujtimeve të mia pas emigrimit ka qenë në Ulqin në vitin 1986. Atëherë ndërroi jetë kushëriri ynë, Nail Mano Karamanaga (1925-1986). Besimi ishte i interesuar për prejardhjen tonë nga Shkodra, në fund të shekullit XVIII. Më ka treguar se i ka gjetur në afërsi të Xhamisë së Plumbit dy familje me mbiemrin Naga.
Përsëri Besimi vjen në vendlindje në vitin 1992. Atëherë ka qëndruar dy muaj. Pas një kohe të gjatë prapë e vizitoi Ulqinin e Tivarin e Moçëm.
U takuam në kafenenë e Ali Hasës, në Pazarin e Ulqinit. Besimi ka mall të madh për Kalanë e Ulqinit.
Jemi takuar dhe kemi biseduar për prejardhjen tonë të përbashkët, nga Shkodra. Ai i bëri edhe hapat e parë për të gjetur familjarët, në lagjen Ajasëm, në afërsi të Xhamisë së Plumbit.
Gjithashtu, kujdeset për nënën e tij plakë, Zyranë, të cilës i mundësoi pleqëri të mirë.
Detaria, peshkimi, dashuria për vendlindje e okupon në çdo moment.

  • Unë kam lind në vitin 1939 në Kala. Atë vit ka ra borë e madhe, motra ime Hatmane ka pasë 4 vjet. Ajo e solli lajmin te komshiu i parë, Myrto Bushati.

Rrëfimi 4
Besimi në Melburn ka qenë i afërt me Ibrahimin. Nganjëherë, për qejf, Ibrahimi shkonte në peshkim me Besimin, i cili ka pasur një barkë 10 metra të gjatë, të pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme për peshkim në detin e hapur.
Edhe më vonë, kur Ibrahimi u sëmur, Besimi e vizitonte rregullisht.
“Më kujtohet mesa, Milihaja (vajza e Nailit) kur erdhi për me pa Brahimin. Unë i dola përpara në aeroport dhe e çova deri te Brahimi. Pas dy javësh ai vdiq… Kur ka vdek Brahimi kam qenë në det dhe jam kthy pas disa ditëve. Tereza me vonesë më lajmëroi për vdekjen e Ibrahimit.”
Besimi pushon pak dhe dukshëm i emocionuar vazhdon:
“Jam idhnu shumë në Terezën pse nuk më ka lajmëru me kohë, se ka pasë mundësi, kurrë nuk do t’ ja fal këtë gja.”

Rrëfimi 3
U takuam përsëri në kafenenë “Timoni”. Besimi sa po vinte prej Kalaje.

  • Kam qenë në vendin ku kam lindë, gjeta disa purrinj të egjër, nana dikur i ka mbledh dhe me mullaga e purrinj bante pite të mire”.
    Më tregoi që i kishte bërë telefonatë një kushëririt tonë për t’u takuar, por ky i tha se gjendet në Podgoricë.
    Kur u ul në Ranë, kushëririn e pa duke pirë kafe…
    Besim Resulaga – Naga dikur ka qenë i varfër, si edhe shumica prej nesh, sot ai është me pension të mirë, nuk ka nevojë për ndihmë, por Besimi ka nevojë për shoqërim dhe bisedë, ai ka mall të madh për vendlindje.
    Besimi shton :
  • Fëmit e mi janë materialisht të sigurum, kanë jetën e vet, nuk e kanë ma nevojën teme, menoj të kthehem përgjithmonë.

Rrëfimi 4
Sadri Naga

Në fund të vitit 2017, në Ulqin erdhi Sadri Musa Resulaga (1944). Ai është larguar nga vendlindja me garancionin, të cilin ia ka sjellë vëllai Besimi, nga Australia, në vitin 1959.
Kjo është hera e parë që vjen në Ulqin.
Sadriu thotë:

Jeta isht si nji gotë ujë.
Mandej vazhdon këngën:

O moj zemër,
O moj gastare
Pse u theve,
Për një gjysë fjale…

Rrëfimi 4
Ëndrra e Besimit :
„Unë kam lindur në vitin 1939 në Kala. Atë vitë ka ra borë e madhe, motra ime Hatmane ka pasur 4 vjeç. Ajo e sjolli lajmin te kopmshiu i parë Myrto Bushati“.
Besimi pak pushon duke pi kafen dhe vazhdon :
„ Kam dëshiirë të madhe që ta ndërtojmë me vëllaun Sadriun një shtëpi në Kala dhe vitete e fundit të pleqërisë ti kalojmë aty….
Pandemia e Covid-19 e ndaloi ardhjen e Besimit. Pas sëmundjes nuk ishte i mundshëm që ta vizitojë prapë Ulqinin.
Mbeti ëndrra për kthimin në vendlindje.
(Nga libri në dorëshkrim “Valixhja nga Amerika-mërgimtarë)

Të fundit

më të lexuarat