Mali i Zi vazhdon të vuajë nga kriza institucionale edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithëse kanë kaluar gati katër muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (11 qershor 2023), Mali i Zi vazhdon të ketë një qeveri në mandat teknik me kryeministrin në detyrë Dritan Abazoviq.
Po ashtu Kuvendi i Malit të Zi është jofunksional. Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Malit të Zi është bërë më 27 korrik 2023. Me këtë rast është bërë vetëm verifikimi i mandateve të deputetëve, por nuk është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit. Që prej atëherë, Kuvendi nuk ka mbajtur asnjë seancë.
Stërzgjatja e formimit të Qeverisë së re është shenjë e qartë e krizës politike në vend nëpër të cilën po kalon Mali i Zi pothuajse prej 30 gushtit 2020, pas ndërrimit të pushtetit në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe ardhjes në pushtet të forcave të atëhershme opozitare.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka mandatuar më 10 gusht 2023 kryetarin e Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi. Edhe pse me rastin e marrjes së mandatit, Spajiqi ka deklaruar se e ka mbështetjen e 44 deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi, pas bisedimeve paraprake dhe përjashtimit të forcave politike proserbe që përbëjnë listën “Për të ardhmen e Malit të Zi” nga pjesëmarrja në qeverinë e re, ai ka hasur në probleme brenda partisë së vet pasi që të paktën dy deputetë janë deklaruar kundër formatit të qeverisë së propozuar prej tij.
Afati për formimin e qeverisë zgjat 90 ditë pas marrjes së mandatit, që do të thotë se Spajiqi ka në dispozicion pak më shumë se një muaj për formimin e kabinetit qeveritar dhe që të sigurojë shumicën parlamentare e cila do të mbështesë programin e punës së qeverisë. Por ndonëse ka më afat, sa më tepër që kalojnë ditët, duket sikur jemi më larg formimit të qeverisë së re të Malit të Zi.
i. k.