Thethi-ballkonii Alpeve

Luljeta Avdiu – Cura

(Vijona nga numri i maluar)
Kulla e ngujimit
Kulla e ngujimit, kulla trekatëshe është unike dhe nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me ngujimin por ishte kulla e gjykimit dhe pajtimit kurse sot monument kulture.
Kulla ka strukturë katërfaqëshe me çati tipike alpine. Ekzistenca e saj përmendet nga Franc Nopça, një nga studiuesit më të njohur hungarez, i cili ka udhëtuar në malësitë e Shqipërisë dhe shkruan me hollësi për zakonet e Ballkanit. Veriu, etnografia e tij dhe kullat si simbol tërheqin çdo vit mijëra vizitorë.
Ne Odën e Kullës silleshin burrat e familjes së të vrarit! Pastaj në praninë e tyre sillej një foshnje djalë, në djep dhe djepin e vendosnin përmbys me foshnjën me krye poshtë! Fëmija në djep nuk mund të rrijë gjatë me krye poshtë dhe mbas pak kohe nëse nuk sillet mbarë foshnja vdes!?…”O Filani!”-i thoshin pleqtë të Afërmit të të vrarit,” A po e falë këtë kërthi a po e len me vdekë!?”…E rrinin të gjithë në ankth duke pritur çka do të thoshte plaku i Palës së vrarë!…Një rast të tillë e përshkruan Edith Durhami e cila ka qenë e pranishme aty para një shekulli…
Kisha e Thethit- Kisha e Thethit e ndërtuar në vitin 1892, në po të njëjtin vend dhe e njëjta kishë që është sot. Kisha është kushtuar me emrin, “Kisha e të Ngjiturit të Zojës në qiell”, festë që e feston Thethi me bijat (vajzat e martuara të cilat ktheheshin, në datën 15 Gusht tek prindërit me rastin e zbritjes nga bjeshka shëndosh e mirë). Në vitin 1917 u hap shkolla e parë Shqipe nga At’ Shtjefën Gjeçovi.
Kurse të apasionuarit pas natyrës në këtë vend përrallor mund të vizitojnë Syrin e Kaltër, Ujëvarat e Grunasit dhe Gjeçajve, kanionin e Grunasit, Speleologji dhe ngjitje shkëmbore, Liqenet akullnajore të qafës së Pejës, Vaskat e gurit etj.
Memoriali dedikuar Franc Nopçes dhe memoriali dedikuar Edith Durham mbron rrugën për në Theth dhe iu uron mirëseardhje vizitorëve të shumtë. Ata sikur duan të thonë, këto shtigje i hapëm ne, me punën dhe përkushtimin tonë. Nuk na ndali as koha, as situatat e ndryshme socio-politike.
Ne erdhëm këtu, n ‘veri për t’i tregu botës rëndësinë e këtij vendi të pashoq.
Me të drejtë Nopça shkruan:
Asgjë nuk është më e zorshme, sesa një i huaj të njohë thelbin e karakterit të një populli dhe asgjë nuk kërkon më tepër qetësi dhe sundim të vetvetes sesa ta përshkruajë pastaj atë në mënyrë objektive dhe siç ndodh në realitet. Për ta njohur karakterin e një populli në natyrën e tij të vërtetë, duhet të njohë fare mirë gjuhën e tij, doket dhe zakonet e tij, se vetëm atëherë mund t’i shfaqet vëzhguesit një popull i natyrshëm, i thjeshtë dhe i papenguar; pastaj duhet aftësia të futet vëzhguesi në ambientin që kërkon të përshkruajë, ta asimilojë atë, se vetëm kështu mund të paralizohen paragjykimet, që sjell ai me vete.
Kam kënaqësinë që shkrimin dedikuar vizitës në Theth, vizitë të cilën e ndjeja si obligim moral ndaj albanologëve që na lanë pas trashëgimi me vlerë ta përfundoj me fjalët e Mbretëreshës së Alpeve Shqiptare, Edit Durham e cila shkruan:
“Asnjë vend i banuar nuk më ka lënë një përshtypje të tillë izolimi madhështor nga e gjithë bota”.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat