Në një moment të vështirë krizash për botën

Shqipëria mori të premten (1 shtator 2023) për të dytën herë Presidencën njëmujore të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Lidhur me këtë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se kjo Presidencë shqiptare e Këshillit të Sigurimit vjen në një moment vërtet të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash e konfliktesh shumë serioze, që nga Ukraina e deri te kriza e pasigurisë së ushqimit si pasojë e luftës në Ukrainë dhe politikave që ndjek Rusia, që nga Jemeni, Sudani e Lindja e Mesme në tërësi, e deri te kriza e pasiguria që mbizotëron sot në Sahel.
“Është pra një moment, që si kurrë më parë, ka nevojë për angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, e veçanërisht të Këshillit të Sigurimit për të garantuar paqen e sigurinë në botë, për të garantuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së”, ka thënë ajo.
Shefja e diplomacisë së Shqipërisë është shprehur se prioritet i presidencës njëmujore të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit do të jetë platforma e bashkëpunimit, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë dhe një aktivitet kushtuar agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
“Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence, dy aktivitetet shënjuese të Presidencës sonë… Së pari, është një nismë tejet e rëndësishme dhe inovative, për të cilën punojmë prej thuajse dy vjetësh dhe që e kemi përfshirë në agjendën e Këshillit për muajin shtator. Bëhet fjalë për një përpjekje ambicioze dhe shumë sfiduese për të garantuar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore”, ka deklaruar ajo.
Aktiviteti tjetër, sipas ministres Xhaçka, do t’i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
“Kjo është një nga çështjet me të cilat ne kemi punuar më shumë, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një çështje e cila realisht ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e partnerëve e aleatëve për seriozitetin, profesionalizmin dhe guximin me të cilin ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB-së, Ukrainën e për të dënuar Rusinë. Në këtë kontekst, ne do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar”, ka theksuar ajo.
Xhaçka ka thënë se gjatë shtatorit natyrisht do të ketë edhe shumë aktivitete e ngjarje të tjera të rëndësishme, sepse agjenda e Këshillit të Sigurimit është vërtet intensive.
Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit me mandat dyvjeçar për periudhën kohore 2022-2023, si njëra prej 15 anëtareve të këtij organi të OKB-së për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Ajo është anëtare e Këshillit të Sigurimit që prej 1 janarit 2022, ndërkohë që sipas rotacionit të mbajtjes së presidencës, kjo është hera e dytë, pas qershorit 2022, për Shqipërinë në mbajtjen Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat