Tuz- Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” të enjtën më 17 gusht 2023, me një orë përkujtimore iu dha lamtumira e fundit këngëtarit, tashmë të ndjerë, Lindon Camaj i cili u nda nga jeta në moshën dyzetepesë vjeç. Në prani familjarëve, miqve, kolegëve, artdashësve, të përfaqësuesve të pushtetit vendor, të figurava të shumta të jetës politike e publike në vend, për jetën dhe veprimtarinë e gjatë artistike të këngëtarit Lindon Camaj foli, Idriz Gjokaj nga QKI “Malësia”. Ai tha se Lindoni e kishte trashëguar virtytin dhe vesin e fisnikërisë, pasi siç tha, e gjithë familja është e njohur për bamirësi e bujari. “E kjo si rjedhojë e edukimit të mirë nga ana e të ndjerit, plakut fisnik, Gjeto Kolës i cili kishte trashëguar faculetën e kuqe si shenjë dëshmie nga paraardhësit e vetë dhe e cila i shtonte atij edhe më shumë hijeshinë e madhështinë prej një burri të fisshëm e malësori të denjë, por mbi të gjitha krenar”, theksoi Gjokaj. Ndërkohë, ndër të tjera, ai u shpreh se këngëtari Lindon Camaj dhe veprimtarë të tjerë të etnisë tonë të fushava të ndryshme na e kanë mundësuar që të mos vajtohen, por të lavdërohen. “Sepse ushqimi shpirtëror është gjithnjë më identifikues për një popull sesa ai material. Dhe kështu, përkujdesja e mosneglizhenca ndaj veprës së tyre është detyrim moral, njerëzor por edhe historik”, theksoi Gjokaj. Duke folur për veprimtarinë artistike të këngëtarin Lindon Camaj, Idriz Gjokaj tregoi se, sikurse shumë të tjerë që janë frymëzuar dhe inspiruar nga emra të mëdhenj krijuesish e korifenjsh të pleadës tonë kombëtare, për Lindonin ishin veçanërisht Lukë Kaçaj, Sali Mani, Gëzim Nika, Fatime Sokoli, Bik Ndoja e shumë të tjerë. “Kështu Lindoni hyn heret në këndin e shtegëtarit krijues, atëherë kur fillimet e viteve të 20-ta e përballen me emocionet e skenës në Festivalin Mbarëkombëtar të 38-të në Radio Televizionin Shqiptar, në vitin 1999 me këngën, “Kujtimi që më vret”. Mbase titulli ishte destinuar që prej atëherë, si një ogurë jo i mbarë për të na paralajmëruar se do të vijë një ditë që do të këputej filli, dhe neve do të na duhej t’a kujtonim, por tashmë jo me tituj këngësh por si një pëshpëritës krijimtarie artistike i së shkuarës të cilin sëmundja sfiduese e largoi para kohe prej nesh”, u shprej Gjokaj i cili vazhdoi duke shpalosur rrugëtimin e gjatë artistik, këngët që lanë gjurmë, pjesëmarrjet dhe bashkëpunimet ndër vite që këngëtari Lindon Camaj i realizoi ndër vite. Ndërkaq, në emër të Bashkisë Malësi e Madhe andej kufirit, kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj i ka dhënë këngëtarit Lindon Camaj çerfifikatë mirënjohjeje (pas vdekjes) me motivacionin: “Për vlerat e larta në fushën e artit e kulturës malësore e shqiptare në përgjithësi dhe për kontributin e tij atdhetar dhe lartësimin e trevës tonë- Malësi e Madhe dhe më gjerë”. Këtë çerfikatë mirnjohjeje kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe- Tonin Marinaj ia dorëzoji familjarëve të këngëtarit, Lindon Camaj. Mesazh ngushëllimi ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj i cili tha se sëmundja e rëndë dhe e pamëshirshme e ndau nga familja, shokët dhe të afrëmit, bashkëvendasin tonë, artistin me përmasa kombëtare, Lindon Camaj. “Në vend që të festonim këtë verë 25 vjetorin e maturës, sikur festuam bashkë 20 vjetorin, po të japim lamtumirën e fundit edhe nga shoqëria e gjeneratës”, është shprehur Gjeloshaj. Ai ka thënë se, veprat e tij artistike, atdhedashuria dhe afërsia me Malësinë dhe shqiptarët kudo, e bëjnë atë figurë të paharruar, e që do të mbetet përherë përmes këngës në mesin tonë. “Familjarëve dhe të afërmëve, ngushëllime të sinqerta”, tha Gjeloshaj në mesazhin e tij ngushëllimit. Funerali për këngëtarin Lindon Camaj u bë në qendrën funerale “Malësia”, ndërsa do të prehet në varrezat familjare në fshatin, Vuksanlekaj.
t. u.