Tuz – Komuna e Tuzit pas shpalljes së vitit 2023 “Viti i Xhubletës” dhe pas organizimit të simpoziumit shkencor, të mbajtur më 7 korrik 2023 në Tuz kushtuar kësaj veshjeje të lashtë e të mbrojtur nga UNESCO, po të njëjtën ditë ka organizuar sfilatën e xhubletës të titulluar “Xhubleta dëshmitare e lashtësisë tonë”, aktivitet i mbajtur në ambientet e parkut të ri të Tuzit, ku morën pjesë numër i madh i publikut, figura të njohura nga jeta kulturore, artistike, shkencore e politike në vend.
Në këtë sfilatë, mbi tridhjetë vajza dhe gra u paraqitën të veshura me xhubletën e vajzërisë dhe nusërisë, duke e prezantuar xhubletën në mënyrën më dinjitoze, të rregulluar deri në detajin më të vogël, duke i kushtuar kështu kujdes dhe rëndësi të veçantë këtij thesari të pasur të trashëgimisë tonë kulturore.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj në fillim të këtij manifestimi ndër të tjera theksoi se “pas njoftimit Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) e futi Xhubletën në listën e pasurisë jomateriale të kulturës botërore në nëntor të vitit të kaluar, Komuna e Tuzit ka shpallur vitin 2023 “Vit të Xhubletës” dhe të gjitha organizimet kulturore brenda këtij viti do të kenë siglën e xhubletës.”
Ai më tej shtoi se në këtë simpozium të organizuar nga Komuna e Tuzit, dëgjuam detaje gati të harruara për xhubletën që do të hyjnë rishtazi në memorien tonë kolektive, veçanërisht pas publikimit të kumtesave nga simpoziumi shkencor.
“T’u përkujtojmë se ia arritëm që për herë parë edhe Posta e Malit të Zi të lëshojë në përdorim pullën postare me elemente shqiptare, pikërisht me xhubletën dhe me shënimin “Viti i Xhubletës”, ka thënë kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Ndërkaq, pas sfilatës së xhubletës, kryetari Gjeloshaj ndau për herë të parë titullin e Komunës “Qytetar Nderi i Komunës së Tuzit”, që iu dha bashkëvendëses tonë Tole Berishajt për kontributin e saj të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e traditës përmes punimit të veshjes kombëtare – xhubletës. Në shenjë mirënjohjeje Tole Berishaj i dhuroi kryetarit xhubletën e vajzërisë të punuar nga ajo.
Në pjesën e parë të ceremonisë së kësaj sfilate të xhubletës u bë parakalimi me xhubleta në tapetin e kuq, ku të ftuarit patën mundësi të fotografohen, ndërsa pjesë tjetër e organizimit ishin fotografitë e xhubletës në pronësi të Muzeut ,,Marubi” – Shkodër; prezantimi i veshjeve nga stilistja e re nga Komuna e Tuzit, Amanda Berishaj me motive të xhubletës; arka e pajës e cila përfaqësonte lashtësinë; vallja e xhubletës me motive popullore; sfilata; shpallja e Qytetarit të Nderit; si dhe një koktej modest i cili u shoqërua nga zëri melodioz i mezo-sopranos së mirënjohur nga Shqipëria, Vikena Kamenica.
Në simpoziumin shkencor kushtuar xhubletës që u mbajt më 7 korrik në Tuz, për këtë pasuri të trashëgimisë sonë kulturore kumtesat e tyre i shpalosën akademik Prof. Dr. Anton Kolë Berishaj – sociolog, Afërdita Onuzi – etnologe, Jaho Brahaj – etnolog, Drita Statovci – etnologe, Prof. Dr. Shaban Sinani – antropolog, Robert Camaj, Dr. Valon Shkodra – hulumtues, Slobodan Jerkov – Dr. i Shkencave Etnologjike, Prof. As. Dr. Elindë Dibra, Luljeta Dano – shkrimtare, hulumtuese dhe koleksioniste, Zorica Mrvaleviq – etnologe, Rudina Bardhi – etnologe dhe Nikollë Berishaj.
Kujtojmë që Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në mbledhjen e mbajtur në Rabat të Marokut gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, miratoi unanimisht shpalljen e xhubletës dhe dijebërjes së saj si pjesë të listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.
t. u.