
Në vend të hyrjes
Prim. Dr. Divanoviqi ka lënë gjurmë në punën time si mjek i përgjithshëm.
Prim. Dr. Sllobo Nikçeviq ishte drejtori i Spitalit për mushkëri në Brezovik. Aty isha dy vite në specijalizimin për pneumoftiziologji.
Prof. Dr. Branisllav Gjuriq (Novi Sad) ka pasur ndikim në pjes[marrjet e mia në seminare, kongrese në gjuhën malazeze.
Prof. Dr. Elez Selimi (Tiranë) dhe Prof. Dr. Simë Dobreci kanë ndikim në pjesmarrjen time në tubimet shkencore dhe profesionale në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Hajro Ulqinaku ka ndikim të veçantë në zhvillimin tim si krijues dhe shkrimtar në gjuhën shqipe. Është edhe redaktori i të gjithë librave të mi.
Akademiku Zuvdija Hoxhiq-Berisha është lektori i disa librave të mi në gjuhën malazeze. Ka ndikuar në krijimtarinë time me këshillat e tij.
Prim. Dr. Ibrahim Divanoviqi
Gjatë stazhit në Spitalin e Tivarit çdo ditë zgjohesha herët në orën pesë e gjysmë, pastaj shkoja në këmbë deri te stacioni i autobusëve, i cili ka qenë nën pazarin e qytetit (në atë vend ka qenë Xhamia e Merasë me tyrbe, të cilat janë edhe sot, ndërsa Xhamia u rrënua prej pushtetit të atëhershëm). Me autobus është udhëtuar rrugës së vjetër përafërsisht një orë e gjysmë.
Mjekët në Spitalin e Tivarit kanë qenë me përvojë, por nuk kanë qenë shumë komunikativë dhe të gatshëm që diturinë t’ua përcjellin të rinjve. Kam shfrytëzuar çdo moment që ta përcjell punën e tyre… Po e veçoj Dr. Ibrahim Divanoviqin i cili ka pasur ndikim në zhvillimin tim si mjek në praktikën e përditshme. Një pjesë të stazhit të obliguar e kam bërë në repartin e Dr. Divanoviqit. Edhe kur kam qenë në repartet e tjera kam pasur kontakte me Dr. Divanoviqin përmes kujdestarive të shpeshta të cilat më kanë takuar. Në këtë mënyrë prej këtij mjeku kam përfituar dituri praktike dhe reagime në raste të lloj-llojshme. Një plakë e sëmurë nga Tivari ishte paciente e shpeshtë në Repartin e Sëmundjeve të Brendshme. Një here Dr. Divanoviqi e pyeti a ka ndokush të kujdesohet për të. Plaka u përgjigj se ka katër djemë, por të gjithë janë jashtë vendit. Doktori i tha:”Nuk është korrekte nga ana e djemve tu që të mos kujdeset asnjëri për ty”. Një here djali i hallës sime Xhemal Basha, u dërgua në spital në një gjendje të vështirë. Mjeku kujdestar e kishte ordinuar terapinë, por Xhemali nuk bëri më mirë. Unë iu drejtova Dr. Divanoviqit. Ai e vizitoi, e ndërroi terapinë dhe e mori nën mbikëqyrjen e tij. Xhemali bëri më mirë. Më vonë, kur fillova specializimin nga pneumoftiziologjia, një pjesë të këtij specializimi sipas programit është dashur ta kryej në Shërbimin për Sëmundje të Brendshme. Si mjek punoja në Stacionin shëndetësor në Katërkollë. Në mbledhje të Kolegiumit te drejtori i atëhershëm Dr. Lubo Zhivkoviq, unë u deklarova se është mirë që të vazhdoj edhe dy muaj në Katërkollë (nuk ka pasur kush të punojë atje) për arsye se e njoh mjekësinë interne dhe do të vazhdoj pastaj pjesën e stazhit. Pas dy muajsh iu lajmërova Dr. Divanoviqit. Nuk më priti mirë dhe më tha:”Ti ke deklaruar se nuk të nevojitet internja…”. Unë heshta dhe vazhdova katër muaj në Repartin e Internes. Pas mbarimit, kur u ndamë, Dr. Divanoviqi i cili vështirë ka lavdëruar dikë më tha: “E kam përcjellë punën tënde, ke qenë me të vërtetë i mirë.” Pas zgjedhjes për drejtor në mandatin e parë në vitin 1978, në një tubim mjekësor në Sutomore ishin mbledhur mjekët e Tivarit dhe të Ulqinit. Dr. Divanoviqi më tha: “E di se në kolektivin tuaj keni persona të cilët bëjnë probleme. Më dëgjo, pak shtrëngo, pak lësho…” Kur u zgjodha për drejtor për herë të dytë në fund të vitit 2003 e ftova Dr. Divanoviqin dhe bashkë me Dr. Petar Gjuriqin dhe Dr. Ali Muharemin ia shtrova një darkë në restorantin “Galo Nero“.
Prim. Dr. Ibrahim Divanoviqi (1931) ka qenë mjeku më i dalluar dhe më i suksesshëm në periudhën prej vitit 1945 deri te dalja e tij në pension pas vitit 1992. Ky mjek ka lënë vulë të posaçme në mjekësinë e rajonit të Tivarit e Ulqinit. Ai ka dhënë kontribut të veçantë në mjekimin e popullatës shqiptare të Ulqinit, Tivarit dhe të Malësisë.
Prim. Dr. Sllobodan Nikçeviq (1931-2013).
I lindur në Nikshiq në vitin 1931. Fakultetin e Mjekësisë si dhe specializimin e pneumoftiziologjisë i përfundon në Beograd. Drejtor i Brezovikut prej vitit 1974-1984. Drejtor i Qendrës Mjekësore të Nikshiqit prej 1983-1985. Ka qenë edhe kryetar i Komunës së Nikshiqit. Kur ishte kryetar e vizitova në kabinetin e tij. Gjithashtu edhe kryetar i Kryqit të Kuq të Malit të Zi, si dhe nënkryetar i Kryqit të Kuq të ish-Jugosllavisë. Së bashku me vëllain tim, Ismetin, ka qenë në organizatën për ruajtjen e qyteteve të vjetra.
Njëherë, në verë të vitit 1976 ka qenë mysafiri im në Ulqin bashkë me zëvendësin e tij Rajko Gërgureviq. Unë ia bëra një shëtitje me sandallin tim UL70 deri në Valdanos.
Ai është autor i përafërsisht njëqind punimeve profesionale dhe shkencore. Ka përgatitur për botim në gjuhën malazeze librin e Dr. Frederik Ferijer “Mali i Zi” (2007). Gjithashtu ka përgatitur për botim librin “Crnogorski medicinski velikani Miljanići – Petar-Niko-Miloš“. Libri i fundit i botuar në vitin 2003 është “Shënime nga historiku shëndetësor i Nikshiqit dhe i Malit të Zi”.
Në prill të vitit 2013 i telefonova për t’ia uruar festën e Pashkëve. Fliste me vështirësi. Më tha: “Jam shumë i sëmurë, këto janë punët e Zotit…” ). Një prej thënieve të shpeshta të Dr. Nikçeviqit ka qenë: “Do të bëhet mirë e bukur”.Vdiq më 1 gusht 2013 në periudhën e shkrimit të këtij libri. Më 3 gusht, shkova në Nikshiq me bashkëshorten time në përcjelljen e fundit të Dr. Nikçeviqit. Duke u kthyer për Ulqin në afërsi të Danillovgradit më mori në telefon vajza e tij, Jasmina, e cila me plot respekt na ftoi në shtëpinë e tyre. Më tha se babai i saj në kohët të fundit nuk ka pasur fuqi të shkruaj, por i ka diktuar asaj atë çka donte për mua si kujtim në faqen e parë të librit të tij të fundit. Më tha se do të jemi në kontakt dhe do të ma dorëzojë librin.
Prof. Dr. Branisllav Gjuriq (Novi Sad)
Prof. Dr. Branisllav Gjuriqi ka qenë një kohë të gjatë drejtor i Institutit në Sremska Kamenica në afërsi të Novi Sadit. Prindërit i ka pasur mjekë të njohur. Ka lindur në Beograd në vitin 1934. Fakultetin e Mjekësisë e mbaron në vitin 1958. Prej vitit 1960 punon në Institutin për Sëmundjet e Mushkërive në Sremska Kamenica (Novi Sad). Është autor i 200 punimeve shkencore, kërkimore. Doktoraturën e ka mbrojtur në vitin 1973. Ka qenë për ngitje profesionale në disa qendra botërore: Paris, Londër (Roçester (Mayo klinika), Baltimor, Betesdi, Milano, Kjoto.
Për herë të parë dëgjova për Prof. Branisllav Gjuriqin në Kongresin XVIII e Pneumoftiziologëve të Jugosllavisë në Novi Sad. Por takimi i parë ishte në vitin 1995 mbas takimeve të pneumoftiziologëve në Tivar. Profesori ka pasur një shtëpi për pushim në luginën e ullinjve (“Utjeha”) ndërmjet Tivarit e Ulqinit. Kërkoi ndihmë nga unë lidhur me rregullimin e pullazit të shtëpisë. I ndihmova. Kështu lindi një miqësi dhe bashkëpunim i frytshëm. Në vitin 1999 kur Prof. Gjuriqi i mbushi 65 vjet, Instituti i njohur për Sëmundjet e Mushkërive në Sremska Kamenica organizoi një manifestim solemn. Isha prezent. Ishte koha menjëherë pas intervenimit të forcave të NATO paktit kundër pushtetit të atëhershëm të Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin. Kam udhëtuar me autobus, sepse vazhdonte gjendja e jashtëzakonshme.
Prof. Gjuriqi si mjek i dalluar dhe dijetar ka qenë prezent në shumë universitete botërore. Një herë më tha: “Nuk kam qenë vetëm në Afrikën e Jugut dhe në Shqipëri.” Për këtë arsye e ftova në Simpoziumin e Dytë Shkodër – Ulqin në tetor të vitit 2000. Në Shkodër për herë të parë shkuam ne mjekët nga Ulqini. Përveç shqiptarëve ishte edhe Dr. Anto Martinoviqi nga Tivari dhe Prof. Gjuriqi. Vizituam Kalanë e Shkodrës, Rozafën. Profesori mbeti i fascinuar. Në emisionin televiziv në TV Rozafa ku morën pjesë: Dr. Astrit Beci, Dr. Sadije Hollaj, Dr. Gani Karamanaga, Dr. Bashkim Bala, profesor Gjuriqi theksoi: “Shkodra është aq qytet i bukur, saqë me siguri do të mundesha të jetoja këtu”.
Në vitin 2002 u mbajt Kongresi i Parë i Pulmologëve Gjithëshqiptar në Tiranë. Me ftesën e Prof. Elez Selimit mysafir ishte edhe Prof. Branisllav Gjuriqi. Të gjithë mjekët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia kishin respekt të posaçëm për profesor Gjuriqin, sepse kishin dëgjuar për punën e tij profesionale dhe shkencore.
Edhe pas daljes në pension, dhjetë vite ka qenë i angazhuar nga Spitali për Sëmundjet e Mushkërive dhe Tuberkulozit në Brezovik si konsultant mujor.
Prof. Gjuriqi ka qenë redaktor dhe recensent i librit tim “Mjekimi me faktorë natyrorë në regjionin e Ulqinit“. Gjithashtu është edhe recensent për librin tim të tretë “Dielli, deti, shëndeti (përmbledhje e punimeve shkencore, profesionale”). Ka marrë pjesë me ligjërata dhe në disa takime medicinale Ulqin-Tivar, si dhe në Simpoziumin për Onkologji në Fshatin e Paqes në Shkodër. Prof. Branisllav Gjuriqi paraqet një ndër figurat më të rëndësishme të pneumoftiziologjisë sa i takon të gjitha republikave të ish-Jugosllavisë dhe më gjerë. Është autor i disa veprave për pulmologji. Më e njohura është “Sarkoidoza” në gjuhën serbe dhe angleze. Në periudhën kohore prej vitit 1994 deri në vitin 1998 në organizimin e Shoqatës së Pulmologëve të ish-Jugosllavisë u organizuan në bregdetin e Mali të Zi takimet e lartpërmendura. Kryetari i kësaj shoqate dhe organizatori kryesor ishte Prof. Dr. Branisllav Gjuriq, mjeku i dalluar nga Novi Sadi. Në të gjithë këto manifestime mora pjesë me punime shkencore, profesionale.
(Vijon)
(Vijon nga numri i kaluar)
Prof. Dr. sci. med. Simë (Gjon) Dobreci
Është i lindur më 1934 në një familje bujku në katundin Braticë të Ulqinit. Me kombësi është shqiptar, shtetas i Malit të Zi. Shkollën fillore e ka mbaruar (1952) në Ulqin, ndërsa gjimnazin (1957) në Tivar. Flet dhe shërbehet me gjuhën angleze. Mjekësinë e ka studiuar dhe kryer në vitin 1963 në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd.
Specializimin nga dermatologjia e ka kryer në vitin 1970 në Klinikën për Sëmundjet e Lëkurës në Zagreb, ndërsa subspecializimin nga mikologjia në Entin për Sëmundjet e Lëkurës në Sarajevë, në vitin 1975.
Nga viti 1963, si mjek në stazh, e pastaj si mjek i praktikës së përgjithshme, ka punuar deri në vitin 1967 në Ulqin, në Ambulancën e praktikës së përgjithshme. Në Repartin për Sëmundjet e Lëkurës të Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë ka punuar prej vitit 1967 deri 1971, e pastaj në Klinikën për Sëmundjet e Lëkurës të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë (1971 – 1991). Ka qenë në përsosje profesionale në Vankuver (Kanada 1974 – 1975 në Klinikën për Lëkurë të Spitalit të Përgjithshëm).
Në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës ka punuar nga viti 1971 si asistent në Klinikën për Sëmundjet e Lëkurës. Në vitin 1981 është zgjedhur për docent, më 1986 për profesor inordinar, ndërsa më 1992 për profesor të rregullt. Disertacionin e doktoraturës: “Hulumtimet epidemiologjike të dermatofitisë endemike në Kosovë” e ka mbrojtur në vitin 1981 në Prishtinë.
Në vitin 1994 ka shkuar në pension të moshës.
Pas ardhjes në vendlindje, Prof. Simë Gjon Dobreci nuk pushon, por e vazhdon punën si mjek, specialist për sëmundjet e lëkurës. Ordinanca në shtëpinë e tij në Braticë është e hapur për të gjithë të sëmurët.
Gjithashtu riaktivizohet duke luftuar për drejtat e popullit shqiptar, themelon revistën mujore “Buzuku”.
Ardhja e Prof. Simë Dobreci vërehet në shumë fusha, qoftë ajo e mjekësisë, por edhe në kulturën e qytetit. Ka marrë pjesë në të gjitha simpoziumet Ulqin-Shkodër, si edhe në tubimet medicinale Ulqin-Tivar. Në simpoziumin në Shkodër së bashku me autorin e këtij libri (Dr. Gani Karamanaga) prezantuan Rezolutën për domosdoshmërinë e hapjes Fakultetit të Mjekësisë në Shkodër.
Ka qenë anëtar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës dhe kryeredaktor i revistës “Praxis medica”. Ka botuar dy libra “Dermatologjia” (shqip) për studentët e mjekësisë së përgjithshme që ka përjetuar tre ribotime (1980, 1984 dhe 1998) dhe “Sëmundjet e lëkurës” për stomatologë (1990). Librat janë botuar në Prishtinë si tekste universitare. Përveç librave të përmendur, ka botuar më shumë artikuj nga mikologjia, tuberkulozi i lëkurës, të karcinomës së lëkurës dhe parazitozave të lëkurës. Punimet janë prezantuar në shumë qytete të ish-Jugosllavisë dhe në vendet e jashtme, në kongreset kombëtare, evropiane dhe botërore të dermatologëve (janë botuar në “Acta dermatologica Yugoslavica”, “Praxis medica”, si dhe në materialet nga tubimet apo kongreset.
Prof. Dr. Elez Selimi (Tiranë)
Është një ndër mjekët më të dalluar të Shqipërisë. Njohja dhe bashkëpunimi jonë fillon prej vitit 2002. Prof. Elezi atëherë ka qenë shef i Katedrës së Pulmologjisë në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Mushkërive në Tiranë. Me ftesën e tij mora pjesë në dy Kongreset e Pulmologëve të Shqipërisë me përmbajtje ndërkombëtare në Tiranë në hotelet “Arbana” dhe “Sheraton”. Gjithashtu, ai organizoi një seminar shëtitje deri në Sarandë, ku ishim së bashku me Prof. Behxhet Osmanin dhe Dr. Musën nga Prishtina. Disa herë kam qenë pjesëmarrës i tubimeve shkencore në Tiranë duke i falënderuar ftesës së Prof. Elez Selimit. Ka qenë recensent i tre librave të mi të deritanishëm. Unë jam përpjekur që ta ftoj në tubimet shkencore të cilat i kemi organizuar në Ulqin dhe Bijello Polje.
Respekti
Në Ulqin, me propozimin e Shoqatës së Mjekëve të Ulqinit, u organizua Kongresi i Mjekësisë së Përgjithshme të Serbisë dhe Malit të Zi me përmbajtje ndërkombëtare. Unë i ftova për pjesëmarrje me ligjërata Prof. Dr. Elez Selimin, Prof. Dr. Hektor Çoçolin dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ishte fillimi i shtatorit 2006. Mjekët nga Shqipëria më lajmëruan se do të vijnë përmes kalimit kufitar në Sukubinë dhe dola që t’i pres. Kalova kufirin me leje të policëve të Malit të Zi dhe të Shqipërisë. I tregova për ardhjen e mjekëve nga Shqipëria. Prof. Elezin, Hektorin e tjerët i gjeta në anën e Shqipërisë. Ka pasur shumë pritje për të kaluar kufirin. Iu afrova vendkalimit të Shqipërisë dhe u luta që t’i lëshojnë mysafirët jashtë rendit. Polici shqiptar e lejoi këtë gjë dhe unë i mora dokumentet e tyre. Njëri prej atyre që ishin duke pritur rendin u kundërshtua dhe filloi të fliste. Polici shqiptar i tha: “Ti mos fol, këta janë mjekë të dalluar, me merita të veçanta dhe unë do t’i lëshoj para të tjerëve”.
Hajro Ulqinaku
Prej vitit 2002 fillon një bashkëpunim, shoqërim dhe miqësi me Hajro Ulqinakun. Ky ka qenë redaktor dhe lektor për dy librat e mi të parë („Mjekimi me faktorë natyrorë në regjionin e Ulqinit“ (2008) dhe „Historiku i shërbimit shëndetësor në Ulqin“(2011). Gjithashtu ishte redaktor për librin „Dielli, deti, shëndeti“(2013). Prej vitit 2002 fillon një bashkëpunim me gazetën „Kronika“ të Ulqinit. Atëherë, me përkrahjen e redaktorit të „Kronikës“, shkrimtarit dhe publicistit të njohur, Hajro Ulqinakut, botohen disa artikuj: „Ndikimi i temperaturave të larta në shëndet“, “Hepatitis epidemica“, „Tuberkulozi i mushkërive“, “Shfrytëzimi i kushteve të përshtatshme natyrore“, “Materniteti në Ulqin“, “Çështjen e maternitetit do ta zgjedhim të gjithë së bashku”, “Sarsi-pneumoni fantomike“. Gjithashtu janë botuar edhe tekstet lidhur me formimin e Shoqatës „Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi“- intervistë “Krijuesit shqiptarë do të jenë të bashkuar“.
Duke përgatitur librin e parë, Hajro më tha: “Po mundohemi që libri të dalë i mirë, se ti me siguri nuk do të shkruajsh ma“. Atëherë nuk u përgjigja. Pas një pushimi të shkurtër fillova të punoj. Kisha materiale plot prej takimeve të shumta medicinale në të dy gjuhët. Çdo gjë e kam ruajtur me kujdes. Gjithashtu i kam arkivuar edhe tekstet e botuara në revista dhe gazeta.
Pas katër viteve e përkujtova Hajron për mendimin e tij të atëhershëm. Kjo gjë mund të ketë ndikuar si pikënisje për angazhimin tim deri tani.
Akademik Zuvdija Hoxhiq-Berisha
Për herë të parë u takuam pas themelimit të Bashkimit të Krijuesëve Shqiptarë në Mal të Zi. Ndër aktivitetet e para ishte ekspozita e piktorëve shqiptarë nga Mali i Zi. Pjesëmarrësit e ekspozitës ishin: Bilal Nikeziqi, Gjelosh Gjokaj, Gjergj Noc Martini, Musa Prelvukaj, Naser Hasa, Rexhep Feri, Rudi Goga, Seida Belegoviq, Zake Prelvukaj, Ivanka Gjonoviq, Mehmet Aloja, Qazim Muja, Vahida Hasanaga-Nimanbegu.
Zuvdija Hoxhiqi ka ndihmuar rreth organizimit të ekspozitës. Ka shkruar kritika estetike, letrare, na ka përcjelluar nëpër Mal të Zi (Ulqin dhe Tuz nga dy herë, në Cetinë) dhe Shqipëri (Shkodër, Tiranë). Mund të themi lirisht se piktorë shqiptarë për herë të parë kanë pasur ekspozitën e veçantë në Biliardën e Njegoshit në Cetinë.
Në vitin 2008 Zuvdija Hoxhiqi ka qenë një ndër organizatorët e përurimit të librit tim të parë „Mjekimi me faktorë natyrorë në regjionin e Ulqinit” në Qendrën Kulturore në Podgoricë. Pas kërkesës time që të flas për librin në promovim më tha:
“Unë jam shumë nëpër media, takime letrare.. Më mirë të flasin të tjerët, unë gjithashtu jam këtu…“. Zuvdija është shkrimtar i madh, poet, piktor, por është shumë i lidhur me vendlindjen e tij (Gucinë) për të cilën ka shkruar me dashuri, me kujtime të paharrushme. Është njeri modest, komunikativ. Në takimin tonë në kafenenë në afërsi të Televizionit të Malit të Zi më ka pritur më se një orë…
Duke u shoqëruar me Zuvdinë, ai shpesh herë më thotë:
“ Unë kam dëshirë të punoj, me pasur qetësinë time, por nuk më lënë…”.
Zuvdija Hoxhiq-Berisha kaherë nuk i takon vetëvetes. Më librat e tij “Ylli i Davudit, “ Vitet e Gucisë” dhe tash “ Të gjithë të mitë” ai është i joni, i Malit të Zi, por edhe i rajonit.
Pra ky është fati i akademikut, shkrimtarit të madh Zuvdija Hoxhiq-Berisha.
Ai është krenar se e ka preardhjen shqiptare. Në librin i cili u përurua sot këtu ai shkruan me dashuri dha respekt edhe për shqiptarë dhe për të gjithë tjerët… Se për Zuvdinë nuk ka kufinj , nuk ka ndarje, ai u takon të gjithëve…
Veprat e Zuvdija Hoxhiq-Berisha do të jetojnë gjithmonë si Bjeshkët e Nemuna në vendlindjen e tij. Zuvdija Hoxhiq ishte lektor i disa librave të mi në gjuhën malazeze. Të gjitë këtë punë e bëri falas.