
Nga 12 qershori i vitit 1999 Kosova mbrohej nga KFOR-i dhe administrohej nga UNMIK-u, por ne këtë periudhë kohore në pjesën veriore të Kosovës ndodhi spastrimi etnik ku u shpërngulen me dhunë rreth 25.000 shqiptarë. Në të njëjten kohë ndodhi kolonizimi me popullsi serbe, proces i cili vazhdon edhe sot.
Askush me parë nuk e trajtoi këtë çështje që në rrethana të reja shqiptarët të bëhën refugjatë në vend të vet, ku një proces i tillë në Mitrovicën e Veriut u bë me miratimin e heshtur të KFOR-it dhe UNMIK-ut, çështje e cila supozon se një veprim i tillë është bërë me një koordinim perfid kundër shqiptarëve në këtë mjedis. Madje diplomacia ndërkombëtare as që është dëgjuar për këtë çështje, që jep për të kuptuar se një veprim i tillë nuk ishte rastësi.
Ndarja e Mitrovicës – kurthi ndërkombëtar
Ndarja e Mitrovicës nga 12 qershori 1999, është bërë pa pëlqimin e shqiptarëve dhe ende nuk është dhënë përgjigje se kush e ka marrë një vendim të tillë dhe pse forcat franceze në kuadër të KFOR-it që i kanë marrë urdhërat nga komanda e NATO-s, por edhe nga autoritet ushtarake në Paris, ishin ata të cilët pënguan lëvizjen e lirë të qytetarëve duke e ndarë qytetin në dy pjesë, jug e veri. Ishte ky një veprim i cili paralajmëronte autonominë serbe në veri të Mitrovicës dhe në veriun e Kosovës. Nuk ka si të kuptohet ndryshe, pengesa e ushtarakëve gjermanë nga ushtarët francezë që të vazhdojnë në veri të Kosovës. Në lidhje me këtë çështje guvernatori nderkombëtr i Kosovës, Kushner ka theksuar se gjatë misionit të tij “qyteti i Mitrovicës mbeti një plagë e dhimshme në trupin e Kosovës, një problem human i pazgjidhur dhe i pa dalje politike, një kokëçarje teknike, një kurth”.
Nga ajo kohë e deri më tash Mitrovica veriore si dhe tërë veriu i Kosovës u bë strehë e serbeve lokalë dhe të tjerëve që ishin bandat, kriminelët si roja të urës dhe paramilitarët të cilët ishin nën komandën e Millosheviqit duke e trajtuar këtë territor me status të veçantë për serbët lokalë, me direktiva të politikës neofashiste të Beogradit.
Serbët e previligjuar
Nga qershori i vitit 1999, serbët në veri të Kosovës janë entiteti më i previlegjuar, jo vetëm në rajon por edhe në Evropë. Jo vetëm se nuk kanë paguar rrymën elektrike e komunalet, por ata kanë qenë të mbështetur financiarisht dhe të dirigjinuar nga Beogradi. Ata kanë injoruar programin shkollor të Kosovës por kanë punuar me atë serb, sikurse edhe me tekstet shkollore në 131 shkolla në gjuhën serbe. Ndonëse ata janë rreth 4% në kuadër të popullsisë së përgjithshme të Kosovës, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në tërë Kosovën! Në Mitrovicë është universiteti serb i Beogradit që quhet Universiteti i Prishtinës. Serbët rrugët e sheshet i emërtojnë me emrat që kanë bërë krime kundër shqiptarëve në Kosovë.
Serbët kanë dhjetë komuna të vetat në Kosovë që punojnë pa respektuar simbole të shtetit të Kosovës e me para të buxhetit të Kosovës. Ata kanë 10 deputetë (Lista Serbe) me mandat të garantuar në Kuvendin e Kosovës, të cilët janë nën dirigjimin e Beogradit, që u dëshmua me largimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës.
Serbia i zgjedh dhe i emëron gjithnjë kryetarët e të gjitha komunave serbe në Kosovë me vula e stema të Serbisë, si dhe emëron “naçellnikët” e vet për rajone të Kosovës. Enklavat serbe në Kosovë veprojnë me ligjet ekonomike të Serbisë, ndërsa dinari serb përdoret i pandaluar në Kosovë, ndërsa shtypi i Serbisë me shkrimet kundër Kosovës e sidomos kundër shqiptarëve shpërndahet lirshëm dhe pa asnjë pengesë nëpër Kosovë. RTK ka program gjithëditor në gjuhën serbe dhe aty shpesh përkrahet politika hegjemoniste e Beogradit.
Nga Lumi Ibër e lart, ka funksionuar vazhdimisht ekonomia informale me grupe kriminale e paramilitare serbe duke qenë zonë e veçantë jo vetëm tregtare për oligarkët serbë dhe të tjerë, duke injoruar shtetin e Kosovës.
Ndonëse kanë gëzuar këto privilegje, si askund në Evropë, ata kërkojnë edhe më tepër sikurse është Bashkësia e Komunave Serbe, që është një parapërgatitje për Republikën Serbe, identike sikurse në Bosnjë e Hercegovinë.
Kemi te bëjmë me kërkesë e cila është destabilizuese dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ku në këtë drejtim Kryeministri i Kosovës A. Kurti këtë kërkesë është duke e refuzuar me argumente. Në mënyrë identike është duke vepruar edhe presidentja V. Osmani dhe shumica parlamentare, ndërsa përjashtim bënë opozita e cila është më e interesuar për pushtet se sa për sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Njëanshmëria e ndërkombëtarëve
Ndonëse serbët në Kosovë janë të previlegjuar, një status i tillë nuk u bën përshtypje ndërkombëtarëve të cilët janë të angazhuar në dialogun në mes dy vendeve, por janë duke bërë presion ndaj Kryeministrit të Kosovës A. Kurti, ndërsa janë duke e joshur Presidentin e Serbisë A. Vuçiq, duke harruar se ai ndjek politikë të agresionit ndaj Kosovës, që u dëshmua edhe me rrëmbimin e tre policëve kosovarë brenda territorit të Kosovës. Ndonëse joshja e tillë ka përmasa gjeopolitike në saje të agresionit rus në Ukrainë për ta afruar me politikën evropiane, por politika serbe nuk ka dilemë së është peng i Rusisë, si më parë edhe tash.
Njëanshmëria e përfaqësuesve ndërkombëtarë (Borell, Lajçak) nuk paraqet befasi, sepse ata vijnë nga vendet (Spanjë, Sllovaki) të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Jo vetëm kaq, por ata janë pro politikës serbe e cila i ka instrumentalizuar serbët në veriun e Kosovës për qëllime destabilizuese ndaj sovranitetit shtetëror të Kosovës. Mosgadishmëria e tyre për të gjykuar serbët të cilët sulmuan ushtarët e KFOR-it por duke akuzuar Kryeministrin e Kosovës A. Kurti se ka tensionuar situatën sepse ka mbrojtur ligjshmërinë dhe sovranitetin e vendit, është dëshmi transparente se ata si ndërmjetës nuk kanë pasur qëndrim neutral, por të njëanshëm, duke mbështetur politikën serbe e cila është destabilizuese si më parë edhe tash në rajon. Ndonëse janë mediatorë ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi, si të njëanshëm ata kanë humbur rolin e tyre për të cilin janë emëruar, të veprojnë për arritjen e përfundimit të negociatave në mes këtyre vendeve.
Zgjedhjet lokale si shkak për protesta
Pavarësisht se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar (SHBA, BE) ka shtyrë vitin e kaluar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komuna në veri të Kosovës, ato megjithatë u mbajtën më 23 prill të këtij viti por u bojkotuan nga serbët të dirigjuar nga Beogradi. Ndonëse pjesëmarrja në zgjedhje ishte minimale, ato ishin legale dhe të pranueshme ku i mbetej Qverisë së Kosovës të inaugurojë kryetarët e zgjedhur në zyrat e tyre në komunat përkatëse (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut). Por, inaugurimi i kryetarëve të këtyre komunave më 26 maj, ishte shkas për protestat e serbëve që eskaluan më 29 maj në Zveçan duke sulmuar forcat e KFOR-it me 30 të plagosur dhe 52 të lënduar. Pamjet e tilla në media dëshmuan se kemi të bëjmë me organizim të grupeve kriminale dhe bandave serbe për të destabilizuar vendin.
Në ndërkohë Policia e Kosovës ka arritur të burgosë disa individë të cilët kanë marrë pjesë në protesta të cilët kanë sulmuar dhe lënduar pjesëtarët e KFOR-it dhe i kanë dërguar në paraburgim ku do të zhvillohet procedura gjyqësore. Si kundërveprim policia serbe ka hyrë në Kosovë dhe më 14 qershor ka rrëmbyer tre policë të Kosovës që ishin me shërbim në brezin kufitar Kosovë-Serbi. Një veprim i tillë ishte demonstrim i agresionit kundër Kosovës në atë pjesë ku ruhet nga pjesëtarët e KFOR-it. Pas presionit ndërkombëtar, policët e Kosovës pas dy javëve në një proces gjyqësor u liruan me kusht, që është dëshmi se politika e Beogradit kërkon incidente për të destabilizuar Kosovën. Në ndërkohë vazhdon njëanshmëria e faktorit ndërkombëtar duke kërkuar kryesisht nga Kosova për shtensionim të situatës në veri, a thua se janë ata faktor i kësaj krize, duke heshtur rolin kryesor të Serbisë në këtë eskalim të krizës në veri të Kosovës.
Masa për shtensionimin e veriut
Në lidhje mbi shtensionimin e situatës në veri, nga BE-ja kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetrëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime. Këto kërkesa janë të pranueshme për Qeverinë e Kosovës, por duhet gadishmëri edhe nga Serbia, që varet nga presioni i ndërkombëtarëve ndaj saj.
Por për shkak të mospërmbushjes së këtyre këkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Në BE kanë thënë se “mbetemi të gatshëm të ndërmarrim masa edhe ndaj Serbisë nëse vlerësojmë se nuk po vepron sipas pritjeve”. Kujtojmë se zyrtarët në BE kanë thënë se masat ndëshkuese ia kanë komunikuar Kosovës më 28 qershor. Ato përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të MSA, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu duhet cekur se masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024. Propozimet e Kosovës në kuadër të kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor po ashtu nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Në lidhje me këto masa Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka cekur se “masat e BE-së janë të padrejta, dhe s´ka kompromis me kushtetushmërinë e vendit”, nga del se sovraniteti i Kosovës mbetet çështje parësore shtetërore ku nuk mund të bëhen pazare politike.