Promovim i gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare përmes shfaqjeve

Teatri “Mërgimtari” ka zhvilluar aktivitete të rëndësishme për shqiptarët në Kroaci, me mbi dyzetë shfaqje si drama, komedi, mbrëmje poetike, etj. Ndër vite aktorët e Teatrit “Mërgimtari” në Zagreb kanë marrë pjesë në festivale e ngjarje kulturore si në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Austri, Gjermani, Rusi, etj. Aktori Leonard Hamitaj në vitin 2021, si pjesëmarrës në Festivalin e Monodramës “Albamono” i mbajtur në Maliq të Korçës, me shfaqjen e monodramës “Lopata e Artë”, u vlerësua me Çmimin për regjinë më të mirë të shfaqjes, ndër pjesmarrësit e teatrove nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Rusia

Koha Javore: Z. Hamitaj, duke pasur një eksperiencë të gjatë si aktor dhe regjisor i spikatur, kur Ju filluat të jepni kontribut në fushën e dramaturgjisë, si filloi karriera Juaj?
L. Hamitaj:
Kontributi im në fushën e dramaturgjisë filloi njëkohësisht me themelimin e Teatrit Shqiptar “Mërgimtari” në Kroaci, në vitin 2013.

Koha Javore: Z. Hamitaj, Teatri “Mërgimtari” të cilin Ju e themeluat në vitin 2013 dhe që e drejtoni edhe sot, ka zhvilluar aktivitete të rëndësishme për shqiptarët në Kroaci, me mbi dyzetë shfaqje si drama, komedi, mbrëmje poetike, etj. A mund të na tregoni cili ka qenë roli dhe kontributi i këtij teatri për kulturën dhe identitetin e shqiptarëve që jetojnë në Kroaci dhe në vende të tjera në diasporë?
L. Hamitaj:
Teatri “Mërgimtari” në Kroaci ka punuar dhe punon, që nëpërmjet shfaqjeve të veta, të promovoje gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Kemi vënë në skenë drama dhe komedi të autorëve shqiptarë në gjuhën shqipe dhe kroate, duke promovuar kështu dramaturgë dhe dramaturgjinë shqiptare si: “Tre mendje në ankand” të dramaturgut Ferdinand Hysi dhe “Ata hyjnë pa trokitur” të Armand Borës. Gjithashtu, kemi vënë në skenë dhe dy komedi të njohura dhe të suksesshme të dramaturgut të njohur kroat Miro Gavran, duke promovuar gjithashtu edhe dramaturgë kroatë në trojet shqipfolëse.

Koha Javore: Ndër vite aktorët e Teatrit “Mërgimtari” në Zagreb kanë marrë pjesë në festivale e ngjarje kulturore si në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Austri, Gjermani, Rusi, etj. A ka ndonjë shfaqje që do ta veçonit si më të suksesshme dhe më me influencë tek audienca?
L. Hamitaj:
Nuk do të doja të veçoja asnjë nga prezantimet tona si në Kroaci po ashtu edhe në rajon dhe Evropë, pasi të gjitha kanë patur veçantinë dhe emocionet e tyre.

Koha Javore: Teatri “Mërgimtari” funksionon në kuadër të Shoqatës Teatrore Shqiptare të Kroacisë. Sa keni mbështetje financiare institucionale për të realizuar veprimtarinë tuaj teatrale?
L. Hamitaj:
Mbështetja financiare kryesore për aktivitetet tona vjen nga Këshilli për Pakicat Kombëtare të Kroacisë, ku çdo fundvit ne aplikojmë me projektet tona. Gjithashtu jemi mbeshtetur disa herë edhe nga Bashkia e Qytetit të Zagrebit, Ministria e Diasporës së Kosovës dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës së Shqipërisë.

Koha Javore: Z. Hamitaj, në vitin 2021 si pjesëmarrës në Festivalin e Monodramës “Albamono” i mbajtur në Maliq të Korçës, me shfaqjen e monodramës “Lopata e Artë” u vlerësuat me Çmimin për regjinë më të mirë të shfaqjes, ndër pjesmarrësit e teatrove nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Rusia. A ishte ky një sukses i radhës edhe për Teatrin “Mërgimtari”?
L. Hamitaj:
Këto çmime janë vërtetë të merituara dhe me vlerë për teatrin tonë. Do të shtoja që i arritur ishte edhe turneu i fundit i zhvilluar në muajin prill të këtij viti me monodramën “Torba”. Ky turne filloi në Prishtinë, Shkup e Fier, ku u paraqitëm në Festivalin e Aktrimit Apollon dhe përfundoi në Tuz të Malit të Zi në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” të Tuzit.

Koha Javore: Veprimtaria Juaj dramaturgjike është urë lidhëse në mes dy kulturave – asaj shqiptare e kroate duke vënë në skenë për publikun kroat vepra të autorëve shqiptarë edhe në gjuhën kroate, ndërsa shqiptarëve të diasporës vepra të autorëve kroatë në gjuhën shqipe. Sa mendoni se kontribuon sot arti në tërësi në njohjen e kombësive të ndryshme?
L. Hamitaj:
Mënyra e punës sonë duke vënë në skenë vepra te ndërsjella të autorëve, si shqiptarë ashtu edhe kroatë, është një kontribut i rëndësishem i artit, në rastin tonë dramaturgjisë, për njohjen e kombësive të ndryshme dhe afrimin e tyre. Do të theksoj që në trupën tonë kemi edhe shumë kroatë, të cilët me dëshirë luajnë vepra të autorëve shqiptarë në gjuhën kroate. Gjithashtu, bashkëpunojmë edhe me aktorë e regjisorë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.

Koha Javore: Në vendin ku Ju jetoni dhe veproni, në Zagreb, sa janë të interesuar dhe të kyçur rinia shqiptare në fushën e artit skenik dhe sa e pasur është jeta kulturore atje?
L. Hamitaj:
Jeta kulturore në Kroaci do të thoja që është në një nivel mesatar përsa i përket publikut, ndërsa për rininë shqiptare, por edhe shqiptarët në përgjithësi do të flas pak me rezerva. Kyçja e tyre në aktivitete kulturore lë për të dëshiruar, megjithë përkpjekjet tona të gjithanshme për t’i sensibilizuar. Shpresojmë për një të ardhme më të mirë dhe produktive përsa i përket punës me të rinjtë, pasi kemi punuar dhe kemi projekte aktuale me fëmijët deri në moshën 14 vjeçare.

Koha Javore: Cili është bashkëpunimi Juaj me teatrot tjera shqiptare qoftë në Kosovë, Shqipëri apo gjetiu?
L. Hamitaj:
Dy vitet e fundit kemi pasur bashkëpunime të suksesshme si me Shqipërinë, po ashtu edhe me Kosovën. Kemi vënë në skenë dramën e Miro Gavranit “Pacienti i Dr. Frojdit”, në bashkëpunim me dy aktorë të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Neritan Licaj dhe Anila Bisha, si dhe me regjisorin e njohur Besnik Bisha. Gjithashtu, kemi pasur edhe një bashkëpunim me Teatrin AAB “Faruk Begolli” në Prishtinë, ku na u mundësua vënia në skenë e pemierës së monodramës “Torba”, të autorit dhe regjisorit nga Kosova, Naser Shatrolli.

Koha Javore: Nga përvoja Juaj e gjatë në jetësimin dhe shfaqjen e shumë veprave teatrore, si e shikoni sot figurën e aktorit në shoqëri, a e gëzojnë aktorët statusin e merituar, qoftë nga audienca që shikon shfaqjet, qoftë edhe nga institucionet e kulturës?
L. Hamitaj:
Për fat të keq do të thoja se gati prej më shumë se dhjetë vitesh rënia e interesit dhe audiencave që ndjekin teatrin kanë ndikuar jo pak edhe në statusin e aktorëve, kurse sa u përket institucioneve kulturore do t’ju kërkoja që të ndihmojnë dhe punojnë më shumë në këtë drejtim.

Koha Javore: Z. Hamitaj, para pak kohësh, përkatësisht më 29 prill shfaqët në Tuz monodramën “Torba”. Ku do të jetë shfaqja Juaj e radhës dhe cilat janë planet më të afërta të Teatrit “Mërgimtari” në Kroaci?
L. Hamitaj:
Për këtë vit kemi planifikuar turne në teatrot prestigjioze të Shqipërisë me dramën “Pacienti i Dr. Frojdit” si dhe festimin e 10-vjetorit të themelimit të Teatrit “Mërgimtari” në Zagreb, ku do të marrë pjesë edhe grupi i njohur për të gjithë shqiptarët – “Fisnikët”.

Koha Javore: Z. Hamitaj, Ju falënderoj për këtë intervistë!
L. Hamitaj:
Ju falënderoj për mundësinë e intervistës dhe për mbështetjen tuaj në promovimin e Teatrit Shqiptar “Mërgimtari” të Kroacisë!

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat