Synimi kryesor – promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore

Koha Javore: Kohë më parë themeluat Organizatën Joqeveritare të emërtuar: “Safe life Tuzi” (Jeta e sigurtë Tuz). A mund të na tregoni kur u themelua saktësisht shoqata që Ju drejtoni dhe si erdhi deri tek jetësimi i këtij projekti?
L. Dukaj:
OJQ “Jeta e sigurtë Tuz” është regjistruar në regjistrin e shoqatave joqeveritare që nga viti 2021. Stafi i organizatës sonë ka 10 vite përvojë në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit, punës në strehimore, punës me institucione dhe në organizata kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke u bazuar në këtë eksperiencë shumëvjeçare dhe studimeve që kemi bërë gjatë këtyre viteve, kemi identifikuar nevojën e madhe që në Komunën e Tuzit të ketë një organizatë e cila do të ofrojë shërbime të specializuara të ndihmës dhe mbështetjes për fëmijë, gra dhe vajza.
Fëmijët, gratë dhe vajzat nga Tuzi, ku edhe vepron organizata, ndër vite nuk kanë pasur mundësi të marrin shërbime mbështetjeje dhe ndihmë të specijalizuar nga vendi dhe në gjuhën shqipe. Kjo e fundit është dhënë viteve të fundit vetëm në mënyrë të pjesshme dhe nga organizata jashtë Komunës së Tuzit.
Nga ana tjetër, numri i personave me eksperiencë dhunën është shumë i lartë në Komunën e Tuzit dhe rrezikon të rritet duke lënë kështu pasoja të mëdha për të gjithë komunitetin. Nga përvoja e fituar ndër vite nëpërmes bashkëpunimit me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, besojmë se organizata jonë posedon kapacitetin e domosdoshëm për të qenë agjente e ndryshimit në komunitetin tonë.
Prandaj, qëllimi kryesor i themelimit të kësaj organizate është të ndihmojmë zhvillimin dhe aplikimin pozitiv të kapaciteteve dhe potencialit të grave, vajzave dhe fëmijëve në familje dhe shoqëri nëpërmjet përmirësimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në mënyrë që të barabartë të ndërtojnë një komunitet të përkushtuar, të përgjegjshëm dhe të sigurt.

Koha Javore: Cili është misioni parësor që do të ketë shoqata Juaj në shoqëri?
L. Dukaj:
Shoqata Joqeveritare “Jeta e sigurtë Tuz” si organizatë e parë autonome, lokale, feministe joqeveritare në Tuz, përpiqet të jetë instrument i fuqishëm për përmirësimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave, vajzave dhe fëmijëve.
Objektivat kryesore të krijimit dhe funksionimit të organizatës janë fuqizimi i grave dhe vajzave me eksperiencë dhunën në familje – nëpërmjet këshillimit, ndihmës psikologjike dhe ligjore, si dhe lidhja dhe bashkëpunimi me organizata/institucione të tjera që merren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Qëllimet e përgjithshme të OJQ “Jeta e sigurtë Tuz” janë edhe zhvillimi dhe përmirësimi i të drejtave të migrantëve, zhvillimi dhe përmirësimi i të drejtave të të rinjve, fëmijëve, zhvillimi i kulturës së popujve pakicë në Mal të Zi, rritja e transparencës, mbrojtjes dhe përmirësimi i të drejtave të njeriut.

Koha Javore: Na flisni pak rreth aktiviteteve që keni realizuar deri më tani dhe për bashkëpunimin me shoqatat e tjera në vend?
L. Dukaj:
Organizata jonë ka realizuar projekte të ndryshme në Tuz, siç janë punëtori të organizuara në bashkëpunim me organizata partnere ndërkombëtare.
Qëllimi i projekteve të realizuara deri tani ka qenë ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe adoleshentëve për parimet bazë të barazisë gjinore, në mënyrë që ata të mund të jenë agjentë të ndryshimeve pozitive në shoqërinë dhe komunitetin e tyre.
Stafi i organizatës sonë ka qenë pjesë e Programit të Trajnimit Ndërkombëtar: “Parandalimi dhe reagimi ndaj dhunës me bazë gjinore – Forcimi i agjentëve të ndryshimit”, që kemi realizuar në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Suedeze që zbatoi këtë program në partneritet me Fondacionin Kvinna till Kvinna në emër të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).
Përfaqësuesja e organizatës sonë është edhe anëtare e organizatës “Vital Voices Global Partnership” (organizatë globale për fuqizimin e grave që punon me gra lidere anembanë botës). Me këtë organizatë kemi realizuar projektin “Fuqizimi i Avokatëve në Ballkan” , që është një program që ofron mbështetje të strukturuar për avokatë dhe ofrues të shërbimeve në fushat e sigurisë digjitale dhe mirëqenies psikosociale.
Ndër vite normalisht që nuk kanë munguar as trajnime dhe specializime të shumta të stafit të organizatës për punë në terren, për punë në strehimore dhe për ofrim të asistencës profesionale.

Koha Javore: Si i realizon shoqata Juaj aktivitetet, nga kush mbështetet (financohet)?
L. Dukaj:
Shoqata jonë deri tani është mbështetur vetëm nga organizatat ndërkombëtare si edhe nga profesionistë të ndryshëm të cilët kanë punuar vullnetarisht për të ngritur kapacitetet e stafit dhe të organizatës.
Aktivitetet që do të zhvillojmë në të ardhmen do të kenë qëllim ofrimin e shërbimeve, përkrahjen, edukimin, reintegrimin, ndërgjegjësimin e komunitetit, me synim që të jemi krahë për formimin e një jete të sigurt në Tuz, sidomos për fëmijët, vajzat, gratë dhe pjesës më të vjetër të popullsisë të cilëve u mungon një mbështjetje e tillë ndër vite.
Për të zgjeruar programin tonë duhet siguruar kushtet bazë në favor të ofrimit të ndihmës dhe mbështjetjes së specializuar për përfituesit tonë.
Për të qenë më efektivë, me këtë rast do të doja që të ftoj të gjithë ata persona që kanë dëshirë t’i bashkangjiten misionit tonë. Parandalimi i dhunës në komunitetin tonë është përgjegjësi e të gjithë neve dhe është shumë e rëndësishme të jemi pjesëmarrës aktivë dhe promovues të ndryshimeve pozitive.

Koha Javore: Aktualisht cilat janë projektet që po harton shoqata Juaj dhe planet më të afërta?
L. Dukaj:
Organizata jonë në këto momente është duke punuar në një projekt shumë të madh që mund të jetë shembull jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Shpresoj që shumë shpejt do të mund ta prezantojmë si shembull dhe model i punës së mirë dhe profesionale.
Duke u bazuar në vizionin tonë, ne ëndërrojmë për një botë ku të gjithë fëmijët, gratë dhe vajzat jetojnë në siguri, paqe dhe dinjitet.
Krahas kësaj, organizata do të vazhdojë të promovojë dhe mbrojë të drejtat e njeriut, duke avokuar për ndryshime në politika dhe ligje, duke rritur ndërgjegjësimin në komunitet për çështje të tilla dhe duke siguruar dhe ofruar mbështetje dhe shërbime të specializuara për ata/o që kanë përjetuar diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Këtu përfshihen mbështjetja ligjore, këshillimet psikologjike, bisedat konfidenciale, informimet dhe format e tjera të ndihmës.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat