
Shpesh na bien në sy shtëpitë e vjetra, shumica e të cilave ashtu të braktisura, si të gurosura rrëzë maleve apo në lugina, na japin të kuptojmë një kohë jo të largët kur komunikimi i banorëve me to, kur hapja e mbyllja e derës së shtëpisë ishte rutinë ditore, kur lëvizjet përreth saj ishin përditshmëri e pavërejtshme dhe kur oxhaku nxirrte tymin jashtë, na tregonte për jetën brenda shtëpisë. Po ashtu, shpesh edhe shpërfillja e tyre merr përmasa më të gjera kur interesimi për to zbehet dita-ditës. Dhe, nuk janë vetëm shtëpitë e gurta që na bëjnë roje nëpër fshatra që vegjetacioni nuk tregon mëshirën e tij ndaj tyre, por janë edhe ndërtimet tjera që na rrethojnë që nga aspekti historik e kulturor shfaqin disa vlera të veçanta për ne. Shpesh mund të lexohen, por edhe më shpesh mund të dëgjohen glorifikime të paskajshme rreth historisë, traditës, kulturës, forcës e mençurisë që paraardhësit tanë i kanë karakterizuar. Shpesh mund të lexohen dhe të dëgjohen mburrjet rreth monumentalitetit të kalave tona, se si në rrjedhën e shekujve përzënë e pritën “mysafirë të padëshiruar”. Madje, më shpesh na mahnisin pamjet natyrore, të cilat në brendinë e tyre fshehin ende shtigje të harruara dhe presin që përmes bukurisë së egër të përçojnë vlerat e trashëgimisë natyrore si monumente natyre.
Çdo 18 prill, ICOMOS shënon “Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve”. Për herë të parë u propozua nga ICOMOS në vitin 1982 dhe pastaj u aprovua nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, më 1983. Kjo datë ka rëndësi të veçantë në jetën kulturore botërore, sepse me të bëhet promovim dhe ndërgjegjësim për diversitetin e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, cenueshmërinë e saj, si dhe më e rëndësishmja, me këtë datë bëhen përpjekje për ndërgjegjësimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Tashmë si traditë, çdo vit, për të shënuar 18 prillin e monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike, ICOMOS ndër të tjera propozon temën si motiv për aktivitetet që do të organizohen nga anëtarët, partnerët dhe çdokënd tjetër që do dëshironte t’i bashkëngjitej kësaj dite. Këtë vit u propozua tema “Ndryshimet e trashëgimisë”, e cila “shtron nevojën e të mësuarit rreth mënyrave tradicionale të njohjes dhe sistemeve të njohurive në lidhje me veprimin klimatik dhe si të përdoret një fokus i trashëgimisë kulturore për të mbështetur mbrojtjen e barabartë të komuniteteve të cenueshme përmes veprimit klimatik.” (IDMS 2023 – Heritage Changes)
Çfarë bëhet te ne? Dhe si mund të shpjegohet gjendja e trashëgimisë sonë kulturore në tre rrëfime të shkurtra?
Pranë detit qëndrojnë të heshtura bedemet e kalasë duke vrojtuar përtej tij se çfarë të papriturash të tjera mund të vijnë në këtë qytet. Ishte viti 2007 kur mbi shtresa të rëndësishme arkeologjike filloi ndërtimi i një strukture ilegale mbi Kalanë e Ulqinit. U pajtuan se ndërtimi gjigant do të mveshet me gurë dhe kështu do të ambientohet me ndërtimet përreth dhe do të japë përshtypjen e të vjetrës në harmoni me ndërtimet tjera në kala. Pra, të bëhet edhe më e vjetër se të tjerat dhe më e madhe se edhe vetë kalaja! Për disa vjet me radhë kishte disa mendime të ndryshme rreth ndërtimit të saj. Nuk u desh të kalonin shumë vjet, kur pasojat e këtij ndërtimi do të rrënonin një pjesë të bedemeve, pra të mureve rrethuese të kalasë. Në fillim të vitit 2021, pas kësaj ngjarjeje, përfaqësuesi arkitekt për planifikim hapësinor dhe zhvillim të qëndrueshëm i Komunës së Ulqinit, ndërtimin e kësaj strukture e arsyeton si “të rregullt dhe komuna (sipas tij) nuk ka pasur mundësi që ta refuzojë kërkesën për leje.” Mund të shtrohet pyetja: Pse komuna nuk është thirrur në ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ta ndalojë cenimin e mëtejshëm të vlerës historike-kulturore të komunës?
Anës liqenit mezi qëndrojnë rrënojat e kishave mesjetare duke pritur vizitorë të rrallë, të cilët janë bërë edhe më të rrallë që t’i sodisin dhe të mrekullohen me to. Kisha e Shën Marisë në Shas është një rrënojë që të habitë për nga bukuria dhe për nga vlerat arkitektonike që ajo paraqet. Gërshetimi modest i romanikës dhe gotikës është shprehur mjeshtërisht në këtë ndërtim, duke i dhënë kishës vlera të veçanta estetike dhe artistike. Plastika e formimit të hollësive me bazë skulpturore e bëjnë këtë rrënojë si kishën simbol të tërë lokalitetit arkeologjik të Shasit dhe rrethinës. Me të drejtë, rrënojat e kishave në këtë lokalitet mund të klasifikohen si të ashtuquajtura “bukuri e rrënojave”. Por, siç thuhet, çdo bukuri ka edhe anën e saj të errët. Vizita e kësaj rrënoje nuk është e sigurt. Fasada ballore, përpos që është përfaqësuese, ajo paraqet një anim strukturor duke përbërë rrezik potencial drejt rrënimit dhe humbjes së autenticitetit. Një kërcënim i shtuar që i është bërë lokalitetit arkeologjik të Shasit është edhe masa parandaluese e rrënimit të rrënojës tjetër, të kishës së Shën Gjonit. Ndërhyrjet emergjente kundër rrënimit që i janë bërë kësaj të fundit mund të quhen një shembull i mirë se si nuk do duhej të praktikohej një veprim parandalues për mbrojtje, sepse me të, përpos që rrënoja është bërë e paqasshme, pajisjet e hekurta përpos që i kanë humbur fillin estetik, ato i kanë kërcënuar edhe autenticitetin dhe integritetin e asetit kulturor.
Nëpër male qëndrojnë të mbushura me ujë duke pritur banorët që ta nxjerrin me kova atë dhe duke pritur ndonjë vizitor kureshtar që të shkrepë ndonjë fotografi nga afër apo nga ajri. Ngado që të shkosh në Krajë, mund të hasësh ubla. Ubla të veçanta dhe ubla të grupuara. Ublat e veçanta si ndërtime më vete mund të konsiderohen si monument më vete, sepse ato përcaktojnë një zonë të veçantë ku vetë prania e saj e bën të rëndësishëm vendndodhjen. E tillë është Ubla e Krajës, e cila shfaq atributet e një monumenti arkitektonik që shpreh vlera ndërtimore dhe historike. Mund të cilësohet monument, sepse shfaq tiparet e një objekti të përhershëm në një pronë të paluajtshme dhe që definon qartë vendndodhjen dhe duke përbërë një zonë të veçantë të hapësirës urbanistike të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, njëjtë janë edhe ublat e grupuara. Është mirë që këto lloj ndërtimesh që krijojnë peizazh të spikatur kulturor, të quhen nën terminologjinë e ansamblit ashtu siç e përcakton UNESCO. Të tilla janë Ublat e Bolajve, të cilat edhe këto në të kaluarën e afërt patën një goditje për tentimin e ndërrimit të emërtimit dhe duke tentuar në këtë mënyrë të ndërrohet edhe historia e faktuar e tyre, duke i mveshur me misticizëm dhe duke i mbuluar përjetësisht në harresë. Edhe në këtë rast, u bë tentativë për denigrimin e autenticitetit dhe integritetit të një trashëgimie tjetër kulturore.
Jemi të vetëdijshëm që vendet e pasura me trashëgimi të llojllojshme kulturore herë pas here mund të përçojnë mesazhe logjikshëm të kundërta. Sepse, mund të konsiderohet se trashëgimia kulturore të institucionalizohet dhe të merret më seriozisht në programet politike dhe institucionale, prandaj edhe në programet e emancipimit shoqëror dhe edukativ-arsimor. 365 ditë jemi mësuar të dëgjojmë rreth historisë, kulturës dhe monumentalitetit historik që ka Ulqini, rrethina e tij dhe shqiptarët në përgjithësi. Ndërsa, në ditën e 18 prillit, kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve, gojët na mbyllen, veshët na shurdhohen, sytë na verbohen dhe krenaria na bie. Si 18 prillat e kaluar, kur në të vërtetë një vend me pasuri të begatë të monumenteve kulturore do duhej të kremtonte shpesh, edhe kësaj here nuk pati ndonjë lajm, fushatë emancipuese a ndërgjegjësuese për rëndësinë, ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore as nga shoqëria civile, as nga OJQ-të që janë krijuar për këto qëllime, as nga institucionet përkatëse, siç është Muzeu i qytetit. A po shkon drejt mbulesës së harresës trashëgimia kulturore njëjtë si institucionet përkatëse që janë mbuluar me mykun e papërgjegjësisë?