Një shembull frymëzues

Vehbiun e gjen gjithmonë në tavolinën e tij në hyrje të restorantit “Barakuda”. Puna dhe veprimi i tij, guximi dhe rrezikimi për të blerë një restorant të njohur në lumin Buna është një shembull i mirë frymëzyes, por edhe shikim përpara drejt së ardhmes

Ismet Karamanaga

Në dhjetor të vitit të kaluar isha shoqërues i një grupi të mysafirëve nga Dubrovniku, të cilët ishin në vizitë në Tivar dhe Ulqin. Pas vizitës së Kalasë së Tivarit dhe asaj të Ulqinit, në orët e pasdites shkuam deri te lumi Buna dhe në Adë, për ta vizituar këtë bukuri magjepsëse. Sipas dëshirës së mysafirëve vendosëm që për darkë të ndalemi në restorantin “Barakuda” të pronarit Vehbi Gjoni, ku ishte edhe vendi më i përshtatshëm për parkimin e autobusit. Restoranti mbi lumin Buna, me një pamje magjike, kurse brenda një ambient i jashtëzakonshëm, i dekoruar me mobilje nga druri, bëri që mysafirët e lindur në Dubrovnik, në njërin ndër qytetet më të famshme të turizmit në Evropë, të mahniten me ambientin, mikpritjen, sjelljen, shërbimin e personelit dhe natyrisht edhe me ushqimin në këtë pjesë të parajsës te ne. Të kënaqur dhe të mahnitur nga qyteti i Ulqinit, në veçanti nga Kalaja 2500-vjeçare, në fund edhe nga restoranti “Barakuda” mysafirët u ndanë me mbresa të jashtëzakonshme, kështu që edhe unë e plotësova misionin tim si një ambasador i turizmit në Malin e Zi.
Udhëheqësja e grupit Nada Zanse, një zonjë e veçantë, më tha: “ovoga nima ni kod nas” (diçka të tillë nuk ka as te ne), kështu që edhe mua m’u bë zemra mal, duke ditur se detyrën time e kreva me sukses. Gjithashtu më befasoi edhe Vehbiu, pronari i restorantit, i cili dikur ishte nxënës i rëndomtë në shkollën e mesme të Ulqinit, ku mësonte për gjellëbërës në drejtimin e hotelierisë. Biseduam pak në tavolinën e tij gjatë qëndrimit të mysafirëve. Kjo më nxiti që të shkruaj një portret për këtë gastronom i cili sot mban lart flamurin e gastronomisë te ne.
Ai rrjedh nga familja e njohur Gjoni nga fshati Selitë i Anës së Malit. Është një njeri i rrallë dhe guximtar që ka pasur kurajo të përmbushë ambiciet e tij të mëdha të kohës kur sapo ka filluar të merret me gastronomi. Të heqësh dorë nga blegtoria dhe ferma e madhe (me 150 lopë e 250 dele) për t’u marrë me gastronomi, përbën padyshim një guxim dhe sfidë të madhe.
Vehbiu ka pasur fat që rrugëtimin në gastronomi e ka filluar menjëherë pas mbarimit të shkollës së mesme, në kohën e artë të turizmit tonë. Ky ishte gurthemeli që e vendosën prijësit e turizmit tonë dhe që ndikuan që ai të bëhet më vonë një gastronom dhe pronar i suksesshëm në këtë fushë. Ndonëse i ri dhe pa shumë përvojë, sistemi shkollor dhe puna praktike gjatë shkollimit në objekte hotelierike të asaj kohe kanë ndihmuar shumë nxënësit që të përvetësojnë zanatin. Punonjësit e turizmit te ne kanë pasur dije dhe përvojë të madhe, kështu që nxënësit kanë fituar përvojë dhe disiplinë që prej fillimit të punës së tyre në profesionin që kanë ushtruar.
Të shkruash për Vehbiun duhet të depërtosh thellë në personalitetin dhe jetën e tij, që nga rinia dhe shkollimi për gjellëbërës në Shkollën e Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, punësimi në objekte të ndryshme hotelierike e deri në ditët e sotme. Krahas talentit dhe ambicies, vështirësitë e kanë përcjellur në këtë rrugëtim.
Ai u lind në fshatin Selitë në vitin 1957. Unë e njoh që nga shkolla e mesme. Si nxënës ka qenë “i butë”, siç thotë populli ynë, i mirë, i sjellshëm dhe i vyeshëm. Pas përfundimit të shkollës në Ulqin, është punësuar në Ostros, ku ka punuar tri vjet. Por temparamenti i tij dhe kërkesa për të kaluar në turizmin e lartë të kohës në qytet, bënë që të punësohet në NHT “Riviera e Ulqinit”, ku filloi punën në kompleksin e njohur “Ada Bojana”, si kompleksi më tërheqës i turizmit në Ulqin, por edhe në përgjithësi në Malin e Zi. Dëshira për të mësuar më shumë bëri që ai më pas të kalojë në hotelin “Albatros”, ku drejtor ka qenë i ndjeri Filip Martinoviq, njëri prej drejtuesve më të mirë dhe më të njohur të turizmit tonë. Falë përvojës së fituar në Australi, Martinoviqi e ka ngritur ofertën e këtij hoteli në një nivel jashtëzakonisht të lartë. Krahas kësaj ai ka vendosur disiplinë të madhe në punë dhe ka grumbulluar personelin më të mirë në fushën e turizmit te ne, në mesin e të cilëve Ruzhdi Karamanagën, Refik Mollabeqirin, Gani Vogliqin, etj. Kryeshef i kuzhinës ka qenë Refik Mollabeqiri, i cili përveçqë ka qenë njëri ndër njohësit më të mirë të gastronomisë në Ulqin dhe më gjerë, ka qenë edhe mësimdhënës në Gjimnazin e Ulqinit. Kombinimi i teorisë dhe i praktikës, nën patronatin e tij, ka qenë gjëja më e mirë dhe dhunti për të gjithë ata që kanë pasur fatin të mësojnë nga ai. Ne të tjerët e kemi quajtur “doktori i Albatrosit” pasiqë gjithmonë, qoftë në hotel apo në shkollë, ka qenë i veshur në mënyrë elegante, me mantel të bardhë dhe me kollare. Kështu që Vehbiu ka pasur fat, por edhe vullnet që të mësojë dhe të punojë në hotelet më të njohura të kohës, siç ishte në ishullin Ada, pastaj në “Albatros”, më vonë në hotelin “Mediteran” dhe në disa objekte të tjera hotelierike.
Pasioni për profesionin, por edhe dëshira për të kërkuar më shumë ka bërë që të fillojë edhe vetë si pronar me angazhimin e tërë familjes. Në fillim ka marrë me qera restorantin “Skenderbeg” në Katërkollë, të cilin e ka menaxhuar mbi tri vjet, pastaj “Bukuria e Ulqinit” në Plazhin e Madh për rreth gjashtë vjet. Një kohë ka punuar gjellëbërës edhe në një anije. Prandaj rrugëtimi i tij është për librin e rekordeve të Ginesit pasi ë si njeri i thjeshtë, gjellëbërës, falë punës ka arritur që sot të jetë njëri ndër pronarët dhe gastronomët më të njohur në Ulqin.
Mjeshtrin e kuzhinës, Refik Mollabeqirin, nga i cili ka mësuar shumë, nuk e harron kurrë.
“Edhe sot kur më shkon ndërmend puna dhe qëndrimi i këtij virtuozi të gastronomisë, ndiej respekt të madh dhe më kujtohet secila fjalë dhe recetë. Asgjë nuk ka lënë pas dore. Ka pasur dijeni, por edhe besim te nxënësit e tij. Ai ka qenë model i gastronomisë, shembull për të gjithë ne, por edhe për ata që dëshirojnë të arrijnë një nivel të lartë në gastronomi. Kurrë nuk i harroj këshillat e tij dhe i jam mirënjohës deri në fund të jetës sime”, shprehet Vehbiu.
Të rrallë janë ata njerëz që kanë pasur karizëm dhe guxim, siç e ka pasur Vehbiu. Sepse të shesësh fermën në fshat, të rrezikosh për të blerë një restorant në lumin Buna, t’i përkushtohesh plotësisht gastronomisë dhe turizmit, të fillosh punë në një konkurrencë të restoranteve me famë dhe të arrish të bëhesh njëri ndër gastronomët më të fuqishëm, është dashur të kesh një zemër të madhe. Përpos restorantit “Barakuda”, si njëri ndër restorantet më prestigjozë në lumin Buna, në pronësi të familjes së tij sot janë gjithsej tre restorante që përbëjnë një kompleks të rrallë në këtë zonë të Ulqinit.
Vehbiu është i kënaqur me punën dhe me familjen e tij, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë në restorant, si dhe me personelin tjetër që gjithmonë është i sjellshëm dhe i qeshur. Ai është mikpritës dhe padyshim është shembull se si duhet të duket një punëtor i gastronomisë. Ju pret mirë dhe gjithmonë me buzëqeshje, kurse kuzhina është në nivel evropian. Ai është një burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës, një figurë markante e qytetit tonë, baba, gjysh dhe padyshim një vëlla shembullor. Sipas mendimit të shumë ekspertëve të turizmit, por edhe të shumë mysafirëve që ditë për ditë e vizitojnë restorantin “Barakuda” në lumin Buna, Vehbiu është sot njëri ndër gastronomët më të mirë dhe më të suksesshëm te ne. Për këtë arsye them se ai është bërë sinonim i gastronomisë sonë.
Edhe në këtë shkrim po e përsëris një mendim timin që e përdori pothuajse gjithmonë si mesazh për të gjithë ata që i lexojnë shkrimet e mia, se turizmi i periudhës ndërmjet viteve ’70 dhe ’90 të shekullit të kaluar, duhet të jetë shembull për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Për turizëm duhet të jesh i lindur, por edhe të mësosh dhe punosh. Është mirë që në mesin tonë ka njerëz që në gjakun e tyre kanë gjenet e forta për biznes. Padyshim që Vehbiu i ka të gjitha këto veti, të cilat e kanë ndihmuar për t’u bërë gastronom i suksesshëm.
Në bisedë me të më tregon se është besimtar i devotshëm, është aktiv në Xhaminë e Selitës ku është muezin dhe e thërret ezanin, një traditë e trashëguar nga paraardhësit e tij. Është po ashtu adhurues i peshkimit, e njeh mirë peshkun dhe shpeshherë dhe peshkon si zhytës.
Dhe çfarë është më e rëndësishmja për të, thotë se gjithçka e ka fituar me djersën e ballit dhe se pavarësisht rrethanave të vështira gjatë tranzicionit, kurrë nuk është marrë me punë të paligjshme. Jeton në fshatin Selitë dhe në Ulqin. Është i kënaqur me familjen e tij të ngushtë dhe restorantin e menaxhon bashkë me djemtë. Vehbiun e gjen gjithmonë në tavolinën e tij në hyrje të restorantit.
Puna dhe veprimi i tij, guximi dhe rrezikimi për të blerë një restorant të njohur në lumin Buna është një shembull i mirë frymëzyes, por edhe shikim përpara drejt së ardhmes.

Të fundit

më të lexuarat