Të mos vrapojmë vetëm për bukën e përditshme, për famë e pasuri, por për të qenë

Koha Javore: Imzot, besimtarët katolikë ndodhën në kohën e Kreshmëve, e cila i paraprinë festës së madhe të Pashkëve. Cilat janë detyrimet që ka një katolik përgjatë kësaj periudhe?
Imzot Rr. Gjonlleshaj:
Po, jemi në kohën e Kreshmëve e cila zgjat dyzetë ditë. Fillon nga e mërkura e përhimtë dhe është kohë pendese, kohë e agjërimit dhe e veprave të mira, veçanërisht kohë lutjeje, ku të gjithë besimtarët përgatiten përmes lutjeve, agjërimit dhe veprave të mira për festën e madhe të Pashkëve. Është kohë kur ne e kujtojmë periudhën që Krishti e kaloi në shkretëtirë, duke u përgatitur për veprën e madhe që ndërmori për shëlbimin e gjithë njerëzimit. Kjo kohë që zgjatë dyzetë ditë, është kohë obligative për të gjithë besimtarët, me synim që ta bëjnë një ripërtëritje shpirtërore të vetes, dhe është një kohë e mjaftueshme për ta njohur vetveten dhe për të përmirësuar atë që ndoshta deri tani nuk ka qenë në rregull në raport me Zotin, por edhe me të afërmin.
Jezu Krishti urdhëron që ta duam Zotin mbi çdo gjë, dhe të afërmin si vetveten.
Shpeshherë këtë urdhër të Jezu Krishtit e harrojmë ose e lëmë pasiv, dhe kjo kohë është e volitshme për ta parë veten tonë, se cili është raporti ynë me Zotin, se sa ne lutemi. Edhe Jezu Krishti pas gjitha aktiviteteve që bëntë, që e kalonte tokën duke bërë mirë, e pasi shëronte çdo sëmundje e çdo lëngatë, ai gjithë natën e kalonte në lutje, dhe në një moment ai thërret edhe nxënësit e vet dhe ju thotë: Ejani dhe Ju dhe pushoni! – që për Jezu Krishtin lutja nuk është mundim, por vërtetë një pushim.

Koha Javore: Si festohet sot në krahasim me të kaluarën e kremta e Pashkëve, a janë besimtarët po aq të devotshëm?
Imzot Rr. Gjonlleshaj:
Besoj se në përgjithësi janë, megjithëse ne po jetojmë një kohë më moderne dhe disa gjera duken sikur nuk janë si në kaluarën. Shkaku është se familjet në të kaluarën ishin më patriarkale dhe numerikisht më të mëdha dhe ashtu në një bashkësi më të madhe, me më shumë njerëz festohet dhe lutet më lehtë, sepse nxisin njëri-tjetërin, kurse sot familjet janë numerikisht më të vogla, dhe duke qenë të angazhuar në punë të ndryshme dhe në obligime të tjera që i sjellë jeta, atëherë dinë të lënë pas dore ndoshta lutjen, ose shpeshherë ajo bëhet individuale dhe jo familjare. Mirëpo, lutja duhet të jetë edhe në bashkësi, sepse lutja është shumë e fuqishme kur janë të angazhuar të gjithë anëtarët e familjes. Nënë Tereza e ka një shprehje shumë të fuqishme që thotë: “Familja që lutë së bashku, edhe jeton së bashku”. Pra, e nevojshme është të lutet së bashku, në mënyrë që të mund të jetohet në lumturi së bashku. Njeri duhet të gjejë gjithmonë kohë për lutje.
Sot për fat të keq shumë gjera janë shndërruar në komercializëm, dhe kështu prindërit bien në ato tundime duke menduar se mjaftojnë ato ca gjera, për t’i marrë të gatshme, për t’i sjellë në familje dhe me to të shënojnë një festë, siç është festa e Pashkëvë. Mirëpo, nuk e zëvendësojnë këto gjëra të blera gëzimin, sepse këtë gëzim e sjell përgatitja, pra kur anëtarët e familjes të gjithë se bashku i përgatisin gjërat e nevojshme, edhe ato tradicionale të festës së Pashkëve. Dhe në ato gjëra të përgatitura të dinë të japin edhe dashurinë, kurse në gjëra të blera nuk mbidhet dashuria, sepse i ka bërë dikush tjetër dhe mungon pikërisht ajo dashuria me të cilën janë gatuar ato gjëra.
Dhe për të kremtuar festën e Pashkëve, duhet që edhe në ato gjëra që përgatisim të japim dashuri ashtu sikurse duhet të japim dashuri në lutje, në flijim dhe nëpërmjet veprave të bamirësisë, ashtu duhet të mbjellin dashuri dhe lutje edhe në gjërat materiale që përgatitën për festën e Pashkëve, e nëpërmjet këtyre simboleve festat na bëhen shumë më atraktive dhe të dashura.

Koha Javore: Çfarë duhet t’u rikujtojë kjo periudhë e Kreshmëve besimtarëve katolikë?
Imzot Rr. Gjonlleshaj:
Kjo periudhë duhet të përkujtojë besimtarët se ata duhet t’i përgjajnë Jezu Krishtit. Në qoftë se një periudhë dyzetëditore Krishti e ka kaluar në shkretëtirë, ai atë periudhë nuk e ka kaluar kot, por me një qëllim, dhe qëllimi i Krishtit ka qenë pikërisht shpëtimi i njerëzve.
Gjatë asaj periudhe në shkretëtirë ai ka qenë i tunduar prej së keqës, që gurët shndërrohen në bukë, që të ketë pushtet, që të jetë atraktiv, që të përfitojë shumë, që të gjitha do t’i jap vetëm bje në gjunjë para meje, por që të gjitha këto, Krishti i ka refuzuar. Sepse thotë që nuk jeton njeriu vetëm nga buka, por edhe nga çdo fjalë që del prej gojës së Zotit dhe se duhet adhuruar vetëm Zotin Hyj. Dhe atëherë kjo periudhë çfarë na kujton? Na kujton të përngjarit e Krishtit. Pra, të mos vrapojmë dhe të angazhohemi vetëm për bukën e përditshme, për famë e pasuri, por për të qenë, dhe kjo është shumë e nevojshme.

Koha Javore: Cila është rëndësia e treditëshit të shenjtë e Javës së Madhe dhe domethënia (e të Enjtës, të Premtës dhe të Shtunës së Madhe)?
Imzot Rr. Gjonlleshaj:
Rëndësia e treditëshit të shenjtë e Javës së Madhe janë pikërisht ato ngjarje që i kanë paraprirë të të ngjallurit Zotit tonë Jezu Krishtit. Jezu Krishti edhe pse e ka ditur se çfarë e pret në Jerusalem, ai është drejtuar drejt Jerusalemit. Edhe pse janë përpjekur që ta tërheqin, t’ia ndryshojnë mendjen dhe vendimin e tij që ai të mos shkojë në Jerusalem, ai megjithatë shkon. E ka ditur që atje e pret mundimi, gjykimi dhe vdekja, por megjithatë ka shkuar. Pse? Ka shkuar, sepse ka dashur të dëgjojë vullnetin e Atit. Pra, jo çfarë dua unë o At, por çfarë don Ti. Dhe vullneti i Atit është pikërisht shpëtimi dhe shëlbimi i gjithë njerëzimit. Pra Jezusi pranoi që të jetë i gjykuar, i munduar, ta bart kryqin, të dalë në Golgotë, të jetë i kryqëzuar, ka lejuar që t’i shpohet krahërori, por ka dhënë edhe një shembull se si duhet bartur kryqi. Jezusi kështu ka plotësuar Besëlidhjen e Vjetër, ka kremtuar darkën në mbrëmje, na e ka lënë vetveten në pije dhe ushqim shpirtëror. Pra, ka themeluar meshën e shenjtë, ka themeluar meshtarinë, ka dhënë urdhërin e dashurisë, duke ua larë këmbët apostujve, duke u përulur dhe përvujtëruar, duke ju thënë: “A e kuptuat se çfarë bëra unë? Ju më thërrisni mësues e zotëri, dhe thoni të vërtetën se unë jam mësues dhe zotëri, por nëse unë si mësues e zotëri ua lava ju këmbët, bëni edhe Ju kështu!” Larja e këmbëve ishte shenja e dashurisë së Zotit për ne njerëzit, dhe njëkohësisht ishte mësimi dhe porosia konkrete e dhënë nxënësve të vet që ta emitojnë Krishtin në dashuri e përvujtëri. Të Premtën e Madhe ai lejon që mbi të, të bie gjithë ai mllef i njerëzve që s’e kanë njohur Zotin. Lejon që ta gjykojnë, ta rrahin, ta pështyjnë, ta mundojnë e kryqëzojnë. Të gjitha këto ai i lejon. Por jo vetëm që ata të kënaqen me mundimet e Krishtit, por nëpërmjet atyre mundimeve Krishti i jep setisfaksion Atit për mëkatet tona. Ai i merr mbi vete mëkatet tona për të na e mundësuar ne shpëtimin. Prandaj, ka shumë rëndësi që besimtarët të qëndrojnë pranë varrit të Krishtit në një heshtje, gjithnjë duke medituar dhe duke menduar se çfarë Krishti hoq dhe ndërmori për shpetimin tonë. Dhe pas të gjitha mundimeve arrin edhe gëzimi i Pashkëve, pasi menjëherë, të Shtunën e Madhe në mbrëmje janë ritet e mrekullueshme të bekimit të zjarrit që është ai zjarri i Shpirtit Shenjtë që e kullon dhe e pastron jetën tonë. Qiriu i bekuar i Pashkëve është simbol i dritës, ja drita e Krishtit, pra Krishti na thotë: “Ju jeni drita e botës”. Njeriu nuk mund të jetojë në errësirë, por në dritë. Dhe Krishti na mëson se kush i ka veprat e mira, ai jeton në dritë, sepse veprat na bëjnë të dalim në dritë. Për këtë arsye, nëpërmjet qiriut të Pashkëve që simbolizon dritën (Krishtin e ringjallur), ne duhet të jetojmë pikërisht për ato vepra të mira, vepra drite që të jetojmë në dritë dhe që t’i japin atë rrezatimin e duhur kësaj bote.

Koha Javore: Imzot, cili është mesazhi Juaj drejtuar besimtarëve të besimit katolik në Vigjilje të Pashkëve?
Imzot Rr. Gjonlleshaj:
Çdo festë është gëzim. E veçanta është se festa e Pashkëve është gëzim i madh. Uroj që njerëzit të jetojnë vërtetë gëzueshëm, me një gëzim shumë të madh, pikërisht me atë gëzim që na e sjellë Krishti i ringjallur. Që të mund ta jetojmë atë gëzimin që na e sjellë Krishti i ringjallur, secili nga ne duhet të jemi të angazhuar që në këtë shoqëri të sjellim gëzim.
Ne po jetojmë në një vend ku shumë njerëz ndjehen të pasigurtë dhe tentojnë ta braktisin atë, thuajse këtu nuk jetohet. Megjithatë, nuk duhet harruar se kudo që ne të shkojmë e të jetojmë, ne veten tonë e bartim me vete. Nëse ne duam të rrezatojmë gëzim e të japim dritë, të jetojmë si fëmijë të Zotit e të jetojmë gëzueshëm, atëherë ne duhet që kontributin dhe vlerat tona t’i mbjellim në shoqërinë ku ne jetojmë.
Nuk duhet që ne të shkojmë e ta kërkojmë një gëzim apo dritë diku tjetër, por gëzimin dhe dritën ta krijojmë këtu.
Dhe këtë urim kam unë, që të mos braktisen trojet tona, por t’i ruajmë dhe t’i duam trojet tona, ta duam jetën këtu në mënyrë që këtë vend ta bëjmë shumë më atraktiv për të jetuar ne dhe për t’ua lënë pasardhësve tonë, ashtu siç na e lanë ne baballarët tonë që e deshtën e ruajtën aq shumë, ashtu edhe ne duhet t’i ruajmë dhe të ndriçojmë, të japim dritë.
Të gjithë atyre që festojnë, gëzuar e për shumë vjet Pashkët dhe me zemër të pastër!

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat