Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura gjatë 300 ditëve prej ardhjes së tij në krye të kësaj komune.
“Me shumë punë, mund e përkushtim e mbi të gjitha dashurinë për Ulqinin, rezultatet nuk munguan”, ka thënë ai në fjalën përshëndetëse në seancën solemne të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, që është mbajtur të shtunën në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Sipas tij, Ulqini është tani një qytet prej nga vijnë lajme të mira dhe që shquhet për cilësitë e tij të bukura, për krijuesit e tij kulturorë, sportistë e sipërmarrës, nxënës dhe studentë që arrijnë suksese në garat rajonale dhe ndërkombëtare.
Bajraktari ka thënë se për një kohë të shkurtër kanë arritur të fitojnë besimin e qytetarëve, gjë që vërehet më së miri në faktin se ata tani i paguajnë taksat me zell, “sepse kanë besim në administratën e tyre vendore dhe e dinë që këto para nuk shkojnë në xhepat e individëve dhe as nuk derdhen kot”. Sipas tij, “kjo është arsyeja pse ka mjaft para që të mund të planifikojmë dhe organizojmë në mënyrë të pavarur komunën tonë”.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka lavdëruar bashkëpunimin e partive që përbëjnë koalicionin qeverisës. Ai ka falënderuar po ashtu atë pjesë të përgjegjshme të opozitës, që sipas tij e kupton rolin e saj në një shoqëri demokratike.
“Veçanërisht dua të theksoj se të gjitha sukseset tona nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Malit të Zi, në radhë të parë të kryeministrit Dritan Abazoviq”, ka thënë Bajraktari.
Në seancën solemne të Kuvendit kanë marrë pjesë kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjashtë ministra të Qeverisë së Malit të Zi, deputetë, kryetarë të disa komunave, përfaqësues të korit diplomatik, këshilltarë të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, përfaqësues të institucioneve komunale, organizatave joqeveritare etj.
Për të pranishmit është shfaqur një program artistik me pjesëmarrjen e korit KIC Pop nga Podgorica, me dirigjente profesoreshën Zoja Gjuroviq, tenorit Gerald Murrja nga Tirana dhe sopranos Gjylie Pelingu – Hoxha, nën shoqërimin e pianistes Fatime Buzuku, një pike recitimi kushtuar Ulqinit etj.
Për nder të Ditës së Ulqinit – të shtunës së parë të muajit prill, janë organizuar aktivitete të ndryshme me moton “Sepse e duam Ulqinin”. Ato kanë filluar me koncertin e Shkollës së Muzikës dhe Baletit të Ulqinit, që është mbajtur të mërkurën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin. Të enjten mbrëma, në sallën e Qendrës së Kulturës është bërë përurimi i librit “Dasma e Ulqinit” e autorit Jusuf Lika. Promovimi është shoqëruar me një koncert me motive dasme, nën përcjelljen e grupit “Acoustic Band”, këngëtarëve Shaban Gjeka, Shemso Hasanaga, Nexhat Nikeziq, Xhaudet Llazorja, Egzona Salaj dhe ShKA “Olcinium”. Të premten është inauguruar fillimi i punimeve të rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në komunën e Ulqinit, si dhe është organizuar ekspozita “Rijetësimi i Pazarit (Çarshisë) të Ulqinit”, ku është prezantuar projekti për ndërrimin dhe unifikimin e fasadave të objekteve në këtë pjesë të qytetit, me qëllim të rikthimit të elementeve tradicionale të trashëgimisë historike. Ditën e shtunë është organizuar Karnavali, ku kanë marrë pjesë nxënës të shkollave fillore, fëmijë nga çerdhet e Ulqinit, anëtarë të shoqërive kulturore-artistike, grupe muzikore nga Shkodra dhe Herceg Novi, të cilët kanë defiluar nëpër rrugën kryesore të Ulqinit dhe kanë shfaqur një program artistik në Ranë. Po këtë ditë është mbajtur edicioni i 19-të i Turneut tradicional Ndërkombëtar të Karatesë “Ulqini Open 2023”, i cili është organizuar nga Klubi i Karatesë “Ulqini” dhe Federata e Karatesë së Malit të Zi, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit. Sipas organizatorit, në turne kanë marrë pjesë 64 klube të karatesë dhe 909 garues nga dhjetë shtete të rajonit dhe Evropës.
i. k.
Beqiraj, Dobreci dhe Shtajnaker – Qytetarë Nderi të Ulqinit
Me rastin e Ditës së Komunës së Ulqinit, Kuvendi ka ndarë titullin “Qytetar Nderi i Ulqinit” për tre personalitete që me veprimtarinë e tyre kanë kontribuar për këtë qytet. Ky titull iu është dhënë Zyhni Beqirajt, kryetar i Shoqatës Kulturore “Ulqini” nga Durrësi, Prof. dr. Simë Dobrecit (pas vdekjes) dhe ish-ambasadores së Gjermanisë në Malin e Zi, Gudrun Elisabeth Steinacker.
Ish-ambasadores Shtajnaker ky titull i është dhënë për arsye se “me punën dhe veprimtarinë e saj ka kontribuar ndjeshëm me angazhimin e saj personal, të fortë dhe afatgjatë për ruajtjen e trashëgimisë natyrore evropiane, veçanërisht në Evropën Juglindore, si dhe mbi të gjitha, luftëtares së përkushtuar për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit dhe realizimit të iniciativës për ruajtjen, mbrojtjen dhe rigjallërimin e mjedisit në Mal të Zi”.
Profesorit universitar dhe dermatologut të njohur Prof. dr. Simë Dobreci, titulli “Qytetar Nderi i Ulqinit” i është dhënë me motivacionin “me punën, veprimtarinë e tij shkencore dhe politike, kontribuoi dukshëm në përparimin dhe ngritjen e reputacionit në Komunën e Ulqinit dhe ka merita të jashtëzakonshme në fushën e mjekësisë, si dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe publikimin e së vërtetës ndaj dhunës në Kosovë, sidomos gjatë vitit 1990, si dhe merita për pozitën dhe reputacionin e komunës së Ulqinit dhe statusin e saj në raport me qytetet tjera brenda dhe jashtë vendit”.
Ndërsa kryetarit të Shoqatës Kulturore “Ulqini” nga Durrësi, Zyhni Beqirajt, për arsye se “me punën e tij, veprimtarinë shkencore, ka kontribuar dukshëm në përparimin dhe përmirësimin e reputacionit të Komunës së Ulqinit dhe statusit të saj në lidhje me qytetet e tjera brenda dhe jashtë vendit; ruajtjen e lidhjeve familjare, institucionale dhe thelbësore ndërmjet Ulqinit dhe Durrësit; ruajtjen e traditave dhe identitetit ulqinak në familjet ulqinake të shpërngulura në Durrës, Shkodër dhe Tiranë; përpilimin e një përmbledhjeje të folklorit ulqinak dhe kompozimin e këngëve të reja që lidhen me Ulqinin”.